Home | Opinion | Protestat të reflektojnë kulturë europiane

Protestat të reflektojnë kulturë europiane

image
Protestat paqësore janë shumë të fuqishme, ata vënë në panik të korruptuarit, ato të afrojnë shumë shpejt...

 

 

 

 

Nga Sokrat Ndreçka

 

 

 

Organizimi i protestave nga opozita, sindikata, apo kushdo qofshin, janë shenjë e mirë që tregojnë se ka diçka që nuk shkon dhe duhet ndërhyrë. Protestat janë instrumente të shëndetshme atëherë kur ato pasqyrojnë në misionin e tyre të gjithë elementët e qytetarisë, vlerat europiane dhe nuk lejojnë në asnjë rrethanë të preken interesat ekonomike, shoqërore, sociale e njerëzore. Të protestosh në mënyrën e duhur për të reaguar ndaj një padrejtësie është vlerë, është zhvillim, është e drejta e kujtdo për të ruajtur standardet europiane të zhvillimit drejt perfeksionit.

 

Nuk ka protestë më të pastër kur sheh se si biznesi i vogël ka ulur qepenat duke shprehur në mënyrë të drejtpërdrejtë pakënaqësinë që ka ndaj strukturave tatimore, të cilat e kanë ndëshkuar keq, aq keq sa nuk e lejon të marrë frymë. “Taksat janë shumë të larta, po falimentojmë, nuk arrijmë dot të paguajmë qeratë e njësive të shitjes, detyrimet ndaj shtetit, e jo më të ushqejmë familjet tona”. Janë me qindra biznese të vegjël që kanë vënë në shitje, ose jepen me qera, për arsye falimentimi. Deri këtu ka arritur puna. Tregtarët e vegjël e thonë hapur falimentimin, i cili i kërcënon me mbijetesë dhe kjo nuk është një shaka. Këtë nuk e thonë biznese që numërohen me gishtat e duarve, por janë me qindra. Ulja e qepenave dhe vendosja e njoftimeve për shitje ose dhënie me qera është një protestë e hapur, shumë e kulturuar, që zhvillohet në sy të opinionit shoqëror, pa ekses dhe u drejtohet pushtetarëve, qeveritarëve, deputetëve, politikës së çakejve, nëpunësve të administratës, që ta kthejnë kokën e të mendojnë se me ato vende pune ushqehen familjarë dhe njerëz të rrethit shoqëror.

 

Kjo protestë është për t`u marrë shembull, sepse nuk ka investime financiare, nuk ka thyerje xhamash, nuk ka përqendrim të forcave të policisë së shtetit. Kjo lloj proteste vërtetë nuk ka grumbullime njerëzish nëpër kryqëzime rrugësh, por në thelb është e fuqishme për moralin dhe mesazhin që përcjell tek ata që merren me organizimin e punëve të shtetit. Ulen me qindra qepenë për ditë me radhë, pezullon veprimtarinë e tij biznesi, ndalohet tregtimi i mallrave, zvogëlohen buxhetet familjare dhe askush nuk e merr mundimin të thotë përse ndodh kështu. I kujt është faji? Çfarë do të thotë mbyllje biznesi dhe problemet që vijnë prej këtij çrregullimi në një komunitet ku banojnë e ushqehen mijëra njerëz, punësohen shumë të tjerë. Është i pamjaftueshëm edhe një urdhër i dhënë tatimorëve të mos e gjobisin biznesin e vogël. Biznesi nuk është pyetur ndonjëherë se çfarë halli ka që ul përditë qepenat, që është i pakënaqur me të ardhurat që fiton, pasi detyrimet vendore janë shumë të larta dhe ato duhen paguar.

 

Protesta e Rrugës së Kombit në Kalimash ishte një dëshpërim i thellë i banorëve të zonës, që rezultojë në luftë me gurë e dëmtim të pronës së taksapaguesve shqiptarë. Në vetvete, protesta nuk e humbi qëllimin e saj, e cila mbetet një kërkesë e drejtë e banorëve të zonës, por mënyra se si u kërkua e drejta e njerëzve, nuk shpreh vlera qytetarie, të një shoqërie të civilizuar, që kërkon të integrohet në botën e shoqërisë së hapur, ku të drejtat para ligjit janë për të gjithë njësoj. Të protestosh për një të drejtë legjitime, të ngresh zërin të kërkosh të drejtën tënde, s’ka forcë në botë që të ndal. Ajo që spikat, është mënyra si e kërkon të drejtën tënde të nëpërkëmbur, të mohuar nga shteti, nga segmente të tij, qoftë edhe nga kryeministri i vendit. Të vandalizosh sot është varfëri arsyetimi, është më shumë se të zbatosh një urdhër verbal politik,të një drejtuesi shpirtëror, apo i ardhur nga zoti. Një irritim i shkuar deri në lartësinë e shkatërrimit, djegies, thyerjes, sabotimit është mungesë kulture qytetarie, është dhunë e shprehur qorrazi, thjeshtë për të kënaqur egon e dikujt që të përdor si mish për top.

 

Si mund të ndodhë sot në shekullin e të gjithëve që shqiptarët të rrëmbejnë gurët e të plagosin shqiptarët, të godasin emblemën e shtetit që janë punonjësit e policisë në detyrë, si është e mundur të gjakosësh publikisht njerëz në krye të detyrës, duke harruar se sulme të tilla mund të shkaktonin viktima në njerëz. Ka plot mënyra e forma për të protestuar, për të gjetur të drejtën tënde dhe modele ka sa të duash. Shpesh herë ndodh që protestat bëhen të dhunshme. Bëhen të tilla kur udhëhiqen nga suflerë politikë, nga njerëz afër politikës, të cilët spekulojnë si derri në kurriz të njerëzve, që u cënohet liria e profesionit, u rrëmbehet prona, u shkatërrohen financat, biznesi e kështu me radhë. Politikanët tanë janë nga spekulantët më të mëdhenj që ka parë kjo farë demokracie, që duam të ndërtojmë. Ata ndezin turmat me urrejtje dhe vetëlargohen duke i masakruar, duke i përplasur njerëzit me Policinë e Shtetit. Dhe rastet nuk mungojnë. Shikojeni me kujdes protestën tejet të drejtë të kuksianëve në Kalimash. Banorët thanë shkoqur dhe bindshëm se protesta është krejt ekonomike, ndërsa për politikën thanë se duhet të distancohet. Në fakt politika, opozita e Bashës dhe e Kryemadhit iu ngjitën si rrodhe pas protestës duke spekuluar se “mbështesim të drejtën e qytetarëve në kauzën e tyre”. Në rast se protestuesit e shohin të udhës se kishin të drejtë në kërkesat e tyre, ata janë të zot t’i zgjidhin problemet sipas mënyrës së tyre dhe nuk është nevoja të ndërhyjë politika për t’i “dhënë garanci” duke u bashkuar në bllokimin e Rrugës së Kombit. Është dora e politikës, ajo që e degradoi protestën në vandalizëm.

 

Nuk e di se ku është gjetur shprehja më torollake mosbindje civile, e cila ka hyrë në të përditshmen tonë si një mesazh proteste të pandalshme, e cila ka si qëllim rrëzimin e qeverisë. Ata që e kanë sajuar, nuk e dinë as vetë çfarë do të thotë dhe ç`duan të bëjnë kur thonë mosbindje civile. Mos e kanë gjë fjalën për të krijuar trazira, të krijojnë panik në popull? Edhe kjo mund të jetë, por për t`iu larguar kësaj mënxyre e veshin atë me të drejtën e qytetarëve për të protestuar. Prapa thirrjes për mosbindje civile fshihen ata që e bënë një herë ‘97 dhe sot kërcënojnë përsëri se po nuk u dëgjuan urdhrat e tyre, ata janë gati të bëjnë edhe një ‘97 tjetër. Europa, Shqipëria, bota e qytetërimit modern nuk ka nevojë për luftë, për teorizëm, nuk dëshiron të fusë popujt në një luftë të re, përkundrazi kërkojnë të realizohen aspiratat e tyre përmes demokracisë funksionale e jo të krijojnë panik duke i dhënë fuqi politike shprehjes retorike të opozitës se pushteti merret me dhunë. Protestat paqësore janë shumë të fuqishme, ata vënë në panik të korruptuarit, ato të afrojnë shumë shpejt në pushtet përmes votës së lirë. Për këto protesta ka nevojë sot ky vend, i cili çdo ditë pret t’i hapet dera për të nënshkruar negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian.

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00