Home | Opinion | Vetting i mirëorganizuar për t'u hequr maskat

Vetting i mirëorganizuar për t'u hequr maskat

image
Ja shihni përvojën e re që sjell Shqipëria me Vetingun! Është një gjë e re edhe për të tjerë, që ju janë të pranishme këto shqetësime me drejtësinë. Është fillimi i një rrugëtimi të ri ...

 

 

 

Nga Bajram Peçi

 

 

 

Opinionistë, dukshëm të njëanshëm, të motivuar nga simpatira ose antipatira personale, tash, kur strukturat e ngritura me aq mund, për pastrimin e organeve të drejtësisë nga të korruptuarit ose të papërshtashmit, kanë marrë formë, po dalin hapur në mbrojtje të të ndëshkuarve. Këtë e bëjnë duke vënë në dyshim vendimet e organit kushtetues të Vetingut, ose duke hedhur baltë mbi të, ose-ose duke vënë në dyshim profesionalizmin e tyre. Pak a shumë, sjellja e këtyre biçim opinionistëve ngjan të jetë idem me atë të kundërshtimimit hapur të ngritjes së kësaj strukture, të cilën plot një vit më parë Lulzim Basha e cilësoi si “krijesë të Sorosit”.

 

Do ishte këmbëngulja e përfaqësuesve të Europës dhe Amerikës në Shqipëri që të vihej në rrugë një procedurë krejt e pa zakontë në hapësirat juridike europiane. Dhe rezultatet nuk po vonojnë! Janë organet më të larta të drejtësisë, prej të cilave ka filluar procesi i hetimit, që provojnë se sa thellë ka hyrë qelbëzimi në çdo pore të shoqërisë dhe ç’kalbësira qelbin ajrin. Dhe ky “opinonisti”, skuth i vjetër i shtypit të shkruar, u qan hallin dhe i paraqet si viktima që u hidhen turmave për t’i shqyer.

 

Mbi bashkëatdhetarët e mi, mbi popullin tim, nuk ka zotëruar ndonjëherë përsosmëria apo pjekuria, siç Bajroni “më të arrirë” do donte ta shihte. Cilësit s’është se zilepsin ndokënd nga popujt e tjerë, fqinj apo më tej, por uji rrjedh dhe koha na shtyn përpara. Ja, së paku, një pikë për të cilën 28 vëndet e Europës së Bashkuar nuk mund të na kundërshtojnë, si kur të mblidhen tani në maj në Sofie, ashtu dhe në qershor, kur do jetë koha për negocime.

 

Kjo pikë është ushtrimi i Vetingut, një formë që qysh u mendua dhe si u inspirua, nuk ka shumë rëndësi. Rëndësi ka rezultati që po sjell. Ajo që lexonjësi e di mirë është kupa e mbushur e një Drejtësie që hoqi pas vetes zvarrë gjithë një vend, e shkatërroi atë.

 

Nuk është tani çasti, në këtë shkrim, për ta vërtetuar, por megjithatë mund të pohohet se keqdashësia është zhytur në një batak të qelbur, kur sheh se orvaten që të ndotin punën e sapo filluar të Vetingut dhe shfaqin gëzimin, që shumëkush shfaq hapur apo fshehur, se Shqipëria do refuzohet për në BE. Edhe nëse duket diçka shumë e vështirë, tani që ju dha rekomandimi, po ta shohësh nga një tjetër këndvështrim, duket e vështirë për të mos u pranuar.

 

Ja shihni përvojën e re që sjell Shqipëria me Vetingun! Është një gjë e re edhe për të tjerë, që ju janë të pranishme këto shqetësime me drejtësinë. Është fillimi i një rrugëtimi të ri në një fazë të re. Udhëtarë të saj, politikanë, media dhe opinionistët, si njerëz në udhëtim, do jenë për një kohë të detyruar t’i kthehen shumë herë, deri në fund të udhëtimit, por aryeja ta do që të jenë mbështetje e jo armiq të Vetingut e kundërshtarë të pranimit në BE.

 

Jemi dëshmitarë se si hallkat e sistemit të drejtësisë e përçuan korrupsionin në rrjedhime ku vendosën jo vetëm padrejtësinë por dhe pabarazinë. Rendi shoqëror i dobësuar kish sjellë humbjen e besimit se ndonjë ditë gjërat do rregulloheshin. Dhe, meqë kryengritja nuk është tipar i këtij populli, njerëzit i kish kapluar dëshpërimi.

 

Shoqëria me drejtësi të korruptuar ndihmoi në thellimin e pabarazisë. U nda dallueshëm në njerëz të mëdhenj e të vegjël, të pasur e të vobegtë me shumicë, të varfër “të lumtur” dhe të pasur “të brengosur” nga pesha e pasurisë. Secili qytetar i thjeshtë e sheh shumë mirë se grushtet e “fatit” që rritëm vetë për madhështinë e çdo budallai luksoz, na janë kthyer turinjve.

 

Ai që e ka ndërgjegjen e pastër, që i ka qëndruar besnik betimit dhe ka çuar një jetë të drejtë e të ndershme në organet e drejtësisë, është dhe rri i qetë. Kështu do ndodhë me të gjithë ata gjyqtarë dhe prokurorë që i kanë dhënë secilit atë që i përket. Të tjerë që i tregojnë organit të Vetingut, vetë ose përmes avokatëve përfaqësues, mite mbushur me gënjeshtra, trillime të pabesueshme e marrëzira qesharake, veçse përforcojnë bindjen se ushtrimi i rreptësisë duhet të jetë një kriter i pa negociueshëm. Këta njerëz dhe bashkë me ta edhe broçkullaxhinjtë opinionistë, nuk gjejnë rehat.

 

Deri dje, përpjekjet për ngritjen e strukturave të Vetingut i bënin të çonin buzën në gaz, tani po u mundojnë shpirtin dhe frika se rrëzimi i tërë këtij sistemi të korruptuar është i afërt, i tmerron. “Shuhet Gjykata Kushtetuese”, formulonte para dy ditësh një TV kombëtare lajmin aperturë, kur organi i vetingut dha vendimin për një tjetër anëtar të saj që nuk e kaloi këtë provim. Të thuash ti se është pikërisht ky halli ynë, mos funksionimi i këtij kësaj gjykate dhe jo morali e pastërtia e organit më të lartë të pushtetit gjyqësor!?

 

Ka qenë e rrënjosur në popull bindja se Drejtësia s’është gjë tjetër përpos se ajo që i leverdis më të fortit. Kjo bindje ka qenë dhe ende vazhdon të mbetet e pandryshuar. Për mua vjedhësi i xhepave, ai i biçikletave apo aparateve celularë, është ku e ku më i ndershëm se një gjyqtar që ka pranuar mitë.

 

Ky vjedhësi i vogël është nxitur drejt krimit nga varfëria, ndërsa mitmarrësi, “mbrojtësi i ligjit” e ka bërë këtë në dobi të mëkatit kapital, bollëkut, duke dhënë vendime të pa drejta, që u kanë bërë keq njerëzve, u kanë hyrë në “gjynah”. Por ka dhe kështu: gjyqtari ua merr të dy palëve në konflikt shumën. Më pas jep vendimin dhe një pale ja kthen shumën e marrë dhe mban ato të fituesit, duke mos hyrë në “gjynah” me ligjin.

 

Ky është një shembull i marrë nga vitet e çmëndura ’90, kohë kur mbretëroi kaosi, deri kur jo vetëm drejtësinë, por vetë shtetin e çuan drejt humnerës. Dinakëria e fshehtë e këtij gjyqtari “të shkathët” kurrë nuk u zbulua, ndonëse vila e tij katër katëshe bënte hije në mes të kryeqytetit (tashmë e dhënë me qera se pronari jeton në amerikë). Maksima, se “nuk duhet t’i bëjmë keq tjetrit”, i ka bërë këta që të ngërdheshen shpotitës, kur janë ndodhur para tufës së kartmonedhave.

 

Askush prej të korruptuarve, në jetën e tyre të errët, nuk u pengua t’i paraqitej shoqërisë me maskën e njeriut të ndershëm. Në drejtësi hynë me shumicë njerëz pa moral, pa integritet, pa formim profesional.

 

Madje atyre të “plepave” as që ju bë ndonjë verifikim paraprak se kush janë!? Ju kërkua vetëm besnikëria ndaj partisë në pushtet dhe një diplomë çfarëdo. Nga këtu, babëzia dhe etja për pasurim të menjëhershëm e përdhosi përfundimisht sistemin. Përdhosi dhe shkollën, emrin e fakultetit.

 

Një pjesë e madhe kamarierësh kanë diploma të juridikut, që mbinë si fakultete në gjithfarë shkollash kërpudha apo kotece pulash, të marra ligjërisht apo të blera. U shndërrua në fakulteti më i zgjedhur dhe më i kërkuari. Kam njohur prindër që i nxisnin fëmijët të ndiqnin doemos atë që quhej “zanat me para”, juridikun. Për t’u futur në listat e të zgjedhurve për magjistratë, çmimi: 100 mijë euro. Prokurori u aftësua të gjente hapësirat brënda kodit penal për ta shndërruar “vrasjen me dashje” në “vrasje nga pakujdesia”.

 

Çmimi për shndërrimin: 80 mijë euro. Së toku, të gjithë këta, së bashku me hipotekën, bënë lesh arapi pronat, si private ashtu dhe publike. Në një shoqëri që kish vuajtur shumë, s’ishte e vështirë për të parë dhe kuptuar se pushteti që të jep puna në organet e drejtësisë të jep pasuri, siç dhe pasuria nga ana tjetër i jep pushtet atij që e ka.

 

Fatkeqët, të dobtit, shtresat në nevojë, në gjithë këto vite të demokraturës, kanë qenë të braktisur. Bashkëjetesa me padrejtësinë i shtrëngoi njerzit të binden ndaj të padrejtëve dhe disa, që besonin ende, shiheshin e përqesheshin si naivë. Me një fjalë, humbi çdo shpresë se ky vend do ngrihej. Fatmirësisht, jo!

 

Është struktura e Vetingut që shihet si shpresë se shoqëria jonë do ringrihet fuqishëm dhe plot gjallëri. Ndaj tyre do bëhen plot presione, siç ndodhi ajo para dy javësh, që do organizohej një dorëheqje kolektive e gjyqtarve. Synimi: bllokimi i sistemit. Dhe kështu, ai mëkatari llahtariset dhe jeton i munduar nga parandjenja të kobshme se do t’ua nxjerrin nga hundët kënaqësitë e Afrovitit, nuk do i gëzojnë dot më, nuk do e shohin më Barcelonën dhe Realin prej Spanje, nuk do t’u bien skedina mijra eurosh, nuk do kenë “dhurata”, arsimimi i fëmijve në Londër mbaron këtu, janë vetë ata që, i bren apo jo ndërgjegja, nuhasin se dhe kariera e tyre mbaron këtu.

 

Vetingu po ecën në një rrugë të re, të pa shtruar, të pa njohur e gjithsesi, prej tyre pritet thellimi më tej i procesit. Jo vetëm pasuria e pa justifikuar duhet ndjekur si kriter. Më shumë se të korruptuar kanë qënë ata që kanë hetuar dhe dhënë vendime politike, në dobi të partisë e të miqve dhe në dëm të “armiqve”.

 

Ishin ata që i dhanë qytetarinë padrejtësisë, ata që lanë të pandëshkuar krimin, që për të keqen tonë u ricikluan në politikë dhe sot bëjnë moral. Ja tani ajo që ka rëndësi për formacionin e organizuar Veting: të njihet me vendimet e atyre që lanë kriminelët jashtë dhe krimin pa ndëshkuar! Kemi shumë shpresa se do ta bëjnë. Po më tej? Natyrshëm që mendja të shkon te pasuritë e vëna në shpërdorim të detyrës. Çdo bëhet me këtë pasuri, do t’u lihet ta gëzojnë apo do t’u merret?/

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00