Home | Opinion | Etërit tanë

Etërit tanë

image
E keqja e të këqijave qëndron se “Etërit tanë...”, nuk menduan kurrë, qoftë edhe një herë të vetme...

 

 


Nga Bedri Çoku


   
Është më se normale që pjella të ushqejë respekt për prindërit e tij gjenetikë. E të mos lerë asnjë rast pa ua përmendur emrin, kur e ndjen të domosdoshme për të përjetësuar kujtimin e tyre. Mirëpo, ka një përcaktim moral e shoqëror në traditën e popujve të zhvilluar, fatkeqësisht, më pak këtu tek ne, sidomos për prindërit, që kanë qenë njëkohësisht me poste të larta politike e shtetërore, veprimtaria e të cilëve,  domosdoshmërisht ka qenë përcaktuese për jetën dhe mirëqenien e bashkëkombësve të vet, logjikisht, “etër” të tillë nuk i përkasin më vetëm pjellës së tyre gjenetike, por mbarë   bashkëkombësve, jeta e të cilëve ka pasur efekte pozitive apo negative nga “politika dhe  qeverisja” e këtyre paraardhësve tanë...
Padyshim që nuk jam vetëm unë ai që ndoqa me vëmendje debatin në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, me gazetarët përballë Lulzim Bashës dhe Genc Rulit, me rastin e përmbytjeve të mëdha në Veri të vendit tonë, por, ma do mendja se cilido shqiptar i ndershëm e demokrat, nuk ka mbetur pa u indinjuar prej gazetarit Lorenc Vangjeli, i cili jo vetëm me anë të mimikës dhe vështrimeve tinëzare krijoi ilaritet dhe cinizëm në panel, sa herë pyeste e debatonte “për t’u nxjerrë bojën” pushtetarëve, por në një moment, çuditërisht arriti dhe provokoi hapur, kur shprehu nostalgji dhe krenari, njëkohësisht, për të kaluarën komuniste me shprehjen “...etërit tanë...” në kontekstin se,  baballarët e tyre, ish pushtetarë dhe specialistë digash e kantieresh, në diktaturën komuniste, nuk mund t’u gjeje sot asnjë shkak për t’i kritikuar lidhur me “veprat” e tyre që ndërtuan në regjimin e ndritur komunist dhe na i lanë neve trashëgim...Dmth, çdo fatkeqësi e prapambetje që evidentohet sot, sipas gazetarit socialist, nuk ka lidhje aspak me veprat e përsosura të trashëguara prej “etërve tanë”, por nga pseodemokratët dhe pseudospecialistët e sotshëm, të korruptuar dhe injorantë...
Ka dy momente të trishtueshme në këtë pohim, aspak në vendin e duhur dhe në kohën e duhur.
E para, ky njeri, i cili nuk është i vetëm në këtë përhedhje të shekullit XXI, pikërisht kur të gjithë shqiptarët mendojnë se e kanë lënë prapa të kaluarën e tyre të errët komuniste dhe krimet e epokës së trishtuar, pinjolli i ngajkuar i racës së vet, që nuk është linçuar ende nga ligjet demokratike, guxon të përkujtojë “arkitektët e Përbindëshave Veriorë”,  të cilët, herë pas here, si me gjasë, lëshojnë nga goja e tyre e stërmadhe vjellje ujërash përmbytëse drejt nën Shkodrës dhe Shkodrës së përhershme antikomuniste...Një realizim i përsosur i atyre që i ideuan dhe i realizuan me moton makabre: “Pas nesh, kiameti le të bëhet!... Mjafton që ua kemi lënë litarin përjashta!”
Nuk bëhet fjalë pse u ndërtuan hidrocentrale mbi lumin Drin në regjimin komunist, madje do të ishte mëkat nëse ata nuk do të ekzistonin sot aty ku janë. E keqja e të këqijave qëndron se “Etërit tanë...”, nuk menduan kurrë, qoftë edhe një herë të vetme, për brezat e  tyre pasardhës, aq më pak për popullatën antikomuniste të Shqipërisë, për çka bënë e nuk bënë në kohën e tyre të sterrosur. S’ ka se si të ndodhte ndryshe, kur një prind ndjek gjithë jetën e tij rrugë të liga e armiqësore për gjithçka dhe bëhet armik me të gjithë bashkëkombësit e vet, duke u lënë pinjollëve vetëm armiqësi dhe telashe të mëdha brenda dhe jashtë vendit...apo ndërton e prish vetëm ato gjëra që i shërbejnë interesave të tij ekonomike e politike, për sa kohë që do të ishte ai vetë, gjallë...
Është e vërtetë që “Etërit tanë komunistë” sunduan gjatë dhe ndërtuan e prishën në Shqipëri si deshën e sa deshën, sepse i patën duart të lira, vranë apo i burgosën të gjithë politikanët dhe specialistët që mund t’i kundërshtonin. Ndërtuan një sistem pa opozitë, pa kundërshtarë politikë dhe specialistë, që t’i kundërshtonin e t’i korrigjonin... Ndaj edhe fabrikat, uzinat, hidrocentralet u ndërtuan siç i mendonin vetëm ata, “200 petritët” e maleve. Çdo gjë bëhej e zhbëhej vetëm në shërbim të sundimit të tyre demoniak...
Edhe hidrikët mbi lumin Drin, u ndërtuan vetëm për nevojat e një popullsie proletare, e zhveshur nga prona private, nga interesat e dobishme jetike, siç ishin pajisjet elektronike shtëpiake, lavatriçet, frigoriferët, dushet për të larë trupin e zhulosur nga punët e përditshme në kushte primitive, të privuar nga dëshira për të pasur më tepër ndriçim në dhomat e tyre, apo ambientet e çlodhjes së kulturuar, por vetëm nga një llambë 40 vat, e cila do të ishte ajo e tërë mrekullia e ndërtimeve gjigante mbi lumin Drin...E çka për t’u mburrur, pastaj, me “Etërit tanë...” për veprat që projektuan dhe realizuan për kushte vetëm për njerëzit proletarë, të cilët, me këtë rast nuk duhet as të ëndërronin për një të ardhme tjetër më të mirë, si  kjo sot, por vetëm për një copë bukë, një tollon djathë dhe një llambushkë varur mbi kokat e tyre prej skllavi?
E dyta, këmbëngulja e socialistëve, pinjojve të baballarëve që ndërtuan hidrocentralet mbi lumin Drin në komunizëm, nuk është se i ha meraku shumë për fatkeqët e  përmbytur nga shirat dhe derdhjet e mëdha të hidrocentraleve, ngaqë po ngulin këmbë aq shumë për t’i bërë fajtorë të përmbytjeve politikanët dhe specialistët e sotëm, porse halli i tyre është, vendosmërisht për të rrëzuar qeverinë e demokratëve dhe marrjen e pushtetit, me këtë rast, nën drejtimin e kryepinjollit, të realizojnë ëndrrën e shumëpërfolur, “kthim në identitet” që do të thotë ringritjen e dinastisë komuniste nën petkun e demokratit. Kjo nuk ka më diskutim, sepse është një platformë tashmë e shpallur botërisht, ndërkohë që ata ndjehen të organizuar, të pasuruar dhe të vendosur, gjallë a vdekur, me veprimet e mosveprimet e tyre, të mos i lejojnë shqiptarët të fitojnë statusin e ëndërruar për të qenë njerëz të lirë e dinjitozë në Evropë, ndryshe, e ardhmja platformës së e tyre është e destinuar të dështojë.
 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00