Emri i kompromisit
Në kufirin jugor të Kosovës së shpejti mund të lindë Maqedonia e Epërme...
Nga Veton Surroi
Në kufirin jugor të Kosovës së shpejti mund të lindë Maqedonia e Epërme. Dhe duhet përkrahur.
1.
Në fillim të pluralizmit në ish-Jugosllavi, në Prishtinë mblidheshin partitë politike shqiptare gjithandej Jugosllavisë. Sa herë që vinin përfaqësuesit nga Maqedonia këshilla jonë, e aktivistëve kosovarë të asaj kohe, ishte që sa më shumë ta përkrahin ndërtimin e shtetit të ri dhe sa më shumë të jenë pjesë e tij.
Në atë kohë në qendrat politike etnocentrike, Beograd e Zagreb, partitë e periferive etnike merrnin sinjale të tjera, jo rrallë aso që do të ishin destabilizuese, dhe kjo u pa më së miri në Bosnjë-Hercegovinë.
Në Kosovë kishim një vizion tjetër për Maqedoninë, një që do t’u krijonte më shumë hapësirë shqiptarëve për punë, arsim, biznes dhe që këtë hapësirë të mos e kufizonte në rripin e ngushtë të Pollogut (mes Tetovës e Gostivarit), ku ishin shumicë dhe në disa "enklava" të tjera shqiptare.
Të njëjtin qëndrim, që do të integronte shqiptarët në Maqedoni kemi mbajtur gjatë luftës së vitit 2001. Në atë kohë jam përpjekur të ndihmoj edhe personalisht drejt vendosjes së parimeve për Marrëveshjen e Ohrit, dhe falë mençurisë së Arben Xhaferit dhe Ali Ahmetit, u vendos një proces evolutiv, i cili ndonëse i vështirë bëri që në vend të enklavizimit, shqiptarët të kenë si hapësirë të tyre jete, pune e vendimmarrje politike tërësinë e Republikës së Maqedonisë.
Alternativa ka mundur të jetë shumë lehtë ndarja territoriale, aq më shumë kur shqiptarët kishin krijuar edhe avantazh ushtarak. Ndarja, megjithatë, do të krijonte një konflikt të gjatë, nuk do të përmbushte interesat e popullatës shqiptare në Maqedoni dhe nuk do të përmbushte interesat strategjike shqiptare në regjion. E interesi strategjik shqiptar në regjion është integrimi i shteteve të regjionit në NATO dhe BE.
2.
Gjatë kësaj jave, 27 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Republika e Maqedonisë mund të gjendet në situatë të përballojë edhe një sfidë. Në bisedimet mes kryeministrit grek dhe atij të Maqedonisë, me ndërmjetësim të Matthew Nimetz, që me këtë punë merret tashmë çerek shekulli, më në fund mund të zgjidhet problemi i emrit të shtetit, i cili me gjasë mund të quhet Republika e Maqedonisë së Epërme. Ky emër, nëse kjo është marrëveshja, do të duhej të shndërrohej në emër kushtetues brenda një periudhe dyvjeçare dhe brenda kësaj periudhe do të zgjidheshin edhe çështjet e përdorimit zyrtar (si për shembull përdorimin uniform të titullimit anglisht "Upper Macedonians" në të gjitha gjuhët, përfshirë edhe maqedonishten ("gornomakedonski") dhe shqipen.
Marrëveshja do të ketë ndërlikime gjuhësore dhe politike. Por çfarëdo që të jenë, shqiptarët e Maqedonisë duhet ta përkrahin marrëveshjen. Për dy arsye që kanë mbetur të njëjta si edhe më herët. Marrëveshja në fjalë nuk prek identitetin kombëtar të shqiptarëve; shqiptarët mbesin të njëjtë sido që të quhet shteti. Dhe dy, marrëveshja ka të bëjë me avancimin e mëtejmë të Maqedonisë drejt Perëndimit.
3.
Nëse Maqedonia arrin kompromis rreth emrit, mund të ndodhë që BE-ja ta ftojë Maqedoninë të hapë negociatat për anëtarësim dhe kështu të zhbllokojë qëndrimin prej statusit të kandidatit që e mban vite me radhë. Për më tepër, zhbllokimi i çështjes së emrit mund t'ia sigurojë vendit anëtarësimin në NATO, në Samitin e korrikut.
Që të dyja këto veprime do të kishin një jehonë pozitive për Maqedoninë dhe qytetarët e saj, por do të kishin edhe implikime pozitive regjionale. Hapja e negociatave për anëtarësim në BE mund të shtojë presionin pozitiv që kjo të ndodhë edhe me Shqipërinë. Ndërsa, anëtarësimi në NATO do të krijonte një gjysmë hark të mirë sigurie të NATO-s (Mal i Zi, Shqipëri, Maqedoni) rreth zonës së konfliktit ende të papërfunduar mes Kosovës dhe Serbisë, duke shënjuar simbolikisht edhe rrugën e ardhmërisë.
4.
I tërë ky zhvillim pritet të jetë sfidues për testin e virusit rus. Sikundër në sistemet kompjuterike, aparati shtetëror - mediatik, i inteligjencës, diplomatik - i Rusisë vë në sprovë "sistemet operative" të shteteve që i konsideron antagonistike. Mali i Zi qe sprovuar me një përpjekje të vogël grushtshteti, superfuqia botërore, SHBA-ja me ndërhyrje në procesin zgjedhor më 2016 nëpërmjet të Facebookut dhe hackerëve. Maqedonia prej kohësh është testuar me përpjekje acarimi në marrëdhëniet ndëretnike dhe nuk do mend se do të bëhet sërish përpjekja për futje pykash, si brenda trupit politik etnik maqedonas ashtu edhe brenda atij ndëretnik të Maqedonisë. Apo, nëse arrihet marrëveshja, të Maqedonisë së Epërme.
Nëse kalon marrëveshja, do të shënohet një hap i rëndësishëm jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për demokracinë liberale të sulmuar prej Rusisë dhe bashkëmendimtarëve./koha.net
Comments (0 posted)
Post your comment