Hipokrizi në emër të Europës
Thirrjet e 1990, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ishin klithma që buronin nga thellësia e shpirtit...
Nga Bardhyl Bejko
Europa është kontinenti ku gjendemi gjeografikisht. Ende nuk jemi pjesë e saj në kuptimin e përfshirjes në Bashkimin Europian. Herë na duket afër. Herë si një fiksion që as mendja s’e imagjinon. Tek shqiptarët, këto vite forcohet mendimi se bashkimi me Europën vonon. Psikologjia e shqiptarëve para vitit 1990 për kontinentin e vjetër edhe pse pjesë e tij, ishte një ëndërr që as guxoje të shikoje. Ideologjia na mbante vite dritë larg saj. Formimi ynë qytetar, fal propagandës komuniste e paraqiste Europën si kërcënim për rendin ton. Sistemin që ndërtonim e konceptonim si më progresiv dhe as që na lidhte gjë me shtetin kapitaliste ku “njeriu për njeriun ishte ujk” dhe dollari pikonte gjak të punëtorit të shfrytëzuar. Ishim fizikisht në kontinent, po idelogjikisht e mendërisht shumë larg prej saj. Lidhjet tona ishin me kontinente të tjera që vetëm rruga bënte ditë të tëra edhe në se fluturoje me avion. Natyrisht për fatlumët se për popullin as që mendohej të shkonte edhe në fshatin më të afërt në shtet pranë. Ne ishim shteti komunist. Ata revizionist e kapitalistë. Shtete të penguara për ne. Përreth ishte kloni, gardhi që kush guxonte të kalonte mbetej sipër tyre i varur si një rrobe nderur në erë. Viti 1990, përmbysi sistemin dhe Shqipëria hyri në rrugën e ekonomisë së tregut. Diktatura e Proletariatit u zëvendësua me demokracinë në veprim. Ekonomia e centralizuar u shndërrua në ekonominë e tregut. Konkurenca nisi të jetë motori I zhvillimit të ekonomisë. Vargu i ndryshimeve ishte i pafund. Vendi ynë u bë pjesëmarrës në organizata të rëndësishme, jo vetëm Europiane, por edhe më gjerë.
Thirrjet e 1990, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ishin klithma që buronin nga thellësia e shpirtit. Ato mbartnin emocione dhe ideale të mëdha. Dhe ishin të sinqerta, jo vetëm kur i dëgjoje nga masat e gjera, por edhe vet politikanët tanë. Po vetëm në fillim ndodhi kështu. Vitet do kalonin dhe sinqeriteti për Europën u zëvendësua me hipokrizinë,duke e përdorur këtë simbol si një pasaportë për t`u shitur si europian që ideologjia e politika kishin vetëm një frymëzim, bashkimin me shtetet e kontinentit. Me fjalë, liderët tanë kërkonin: Zbatimin e politikave më të mira që kishin hartuar e programuar baballarët që e themeluan këtë union të rëndësishëm. Vendet themeluese, ia kishin ndjerë vlerën bashkimit. Në shtete themeluese dhe të tjerët që nisën këtë rrugëtim u praktikuan reforma të rëndësishme, të gjithanshme, të thella dhe që ndikuan në rritjen e mirëqenies dhe i dhanë ritme të larta ekonomisë. Po jo vetëm ekonomia. Impulse të rëndësishme fituan edhe të drejtat e njeriut. Arti. Kultura. Infrastruktura. Shërbimet. Dhe kjo ishte epërsia e Europës së re tanimë të bashkuar. Mekanizma të rëndësishme ndikuan fuqimisht përparimin dhe zhvillimin. Shtetet dhanë dhe morën më të mirën nga njëri tjetri pa barriera dhe kosto shtesë. Po a u kopjua Europa në politikat tona? Sa të sinqertë ishin udhëheqësit tanë pas vitit 1990? Po sot? A e gjetën veten në mes të popujve europianë dhe sa u ndjemë të barabartë me ta? A punuan për afrimin me shtetet europiane liderët tanë politikë me seriozitet e sinqeritet apo nisën të bëjnë siç kanë bërë denbabaden të parët tanë siç dinë vetë?
Në këtë aspekt ajo që evidentohet dukshëm, është zëvendësimi i dashurisë dhe ndershmërisë, sinqeritetit, aspiratave dhe devocionit të ditëve të para me hipokrizinë në çdo veprim politikë e strategji të ndërtimit të vendit dhe në rrafshin e të drejtave të njeriut. Politikanët tanë u errën europianë po u gdhinë afrikanë. Me deklarata, europianë safi. Me veprime, zi e vetëm zi. Ligjet si në Europë. Në jetë si në gropë. Politikanë me dy faqe. Nga njëra anë qesh. Në tjetrën ngjesh. Buzëqesh e përqesh. Nëse ndjekim fjalimet, thua se Berisha, e kompani u bënë shumë më progresistë se vet themeluesit e Europës së bashkuar. Po me qëndrim të dyzuar. Kur bëhet teori, liderët tanë politikë shpallen fanatik të Europës. Po në jetën e përditshme të bien me dru kokës. Me fjalë europianë e veprime bajraktarë. Jo të sinqertë. Vetëm tinëzarë. Sjellja e politikës shqiptare është hileqare. Në këtë rrafsh, vijë sjelljeje është hipokrizia. Peshqesh që nga fillimet e Luftës së Dytë Botërore. Në qëndrimin ndaj anglo-amerikanëve në shtabet e luftës. Në vitin e parë pas çlirimit. Me dëbimin e diplomatëve perëndimorë, amerikanë, anglezë e radhazi tërë ata që nuk ishin dakord me politikën komuniste. Politika jonë ishte hipokrite. Vendin e pragmatizmit dhe marrëdhënieve mes shteteve e zuri distancimi, largimi, braktisja. Sjellje që la një zbrazëti të jashtëzakonshme në pesëdhjetë vite diktaturë. Plagë që nuk u shëruan kurrë. Po pse themi se liderët tanë politikë janë hipokritë kur flitet për Europën edhe sot? Dhe sa realë jemi? Flasim drejt apo ia fusim kot?! Le të shikojmë vetëm këto dy tre vitet e fundit.
Të analizojmë disa nga episodet në mbështetje të argumentimit se politikanët tanë janë vërtetë hipokritë. Nderimin për Europën në fjalime. Hipokritë të pastër në veprime. Reforma në drejtësi. Ishte BE dhe SHBA që kërkuan me forcë miratimin e reformës në drejtësi. Reformën më të rëndësishme dhe kaq të nevojshme në një vend që nuk ka pasur asnjëherë drejtësi të pavarur. Po cili ishte qëndrimi i politikës? Pa përjashtim. Ca përballë e ca në maskim. Berisha, Basha, Prokurori i Përgjithshëm, gjyqësori e organizma të rëndësishme që ishin faktor në përgatitjen e reformës dhe miratimin e kushtetutës e shpunë këtë aksion të rëndësishëm në buzë të greminës. Liderët politikë të opozitës bënë gjithë përpjekje të jashtëzakonshme për ta sabotuar. Po në fund të detyruar të ngrenë kartonat dhe t`i thonë “po” ndryshimeve të thella. Po nuk përfundoi këtu. Nuk u mbyll me një natë të gjatë pas shumë peripecish, vota e 140 deputetëve të cilët e brohoritën E gjetëm! Miratimin me konsensus. Brenda ditës. Transformim si të ishin kameleonë. Pas këtij akti final, ligjet e vettingut dhe tërë paketa e ligjeve të reformës në drejtësi, u përplas në dyert e gjykatave. U bënë përpjekje të jashtëzakonshme për t`i ndryshuar rrjedhën. Partnerët qëndruan fort dhe organet e drejtësisë dhe verifikimi i figurës dhe pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve vazhdon me ritme të shpejta. Po politika? Si ngahera. Në mëngjes “po”. Në mbrëmje “jo”. Para të huajve buzëqeshje. Të “sinqertë”. Në mbrëmje, ngërdheshje. Liderë fjalamanë, burra llafazanë. Europianë e puthin nga halli. Hipokritë nga malli. Përpjekjet e jashtëzakonshme të opozitës për qeveri teknike dhe mospjesëmarrjen në zgjedhjet e qershorit 2017.
Në fjalime të zjarrta, politikanët bënin sikur dëgjonin diplomatët dhe zyrtarët që vinin në emër të shteteve dhe organizmave që drejtojnë. “Respekt” për BE, deklaronin opozitarët. Sapo ata kthenin kurrizin rrëmbenin armët e hipokrizisë. Në ditë me Europën. Tjetrën për gropën. Iknin miqtë, vazhdonin me të vetën. Hipokrizi dhe tinëzari binjake tek një lideri e partie. Zgjedhje sugjeronte Mogherini. Bashkëpunim ministri i Jashtëm gjerman. Bashkë kërkonte Vlahutini. Po, po, tundte kokën Basha. Jo lëvizte gishtin, Berisha. Të gënjeshtërt me kritikët europianë, servilë me mbështetësit. Njëri mburrje në mbrojtje të demokracisë europiane. Të tjerët luftë me slogane. Një ditë “po” sugjerimeve të Europës. Në mbrëmje me grushta kokës. Me hipokrizi në mëngjes. “Jes” Europë, “jes”. Me djallëzi në mesnatë “No, no” friend. Politika e ditës. Politika e natës. Hipokrizia i bëri të pabesueshëm. Të kritikueshëm. Pas futjes në zgjedhje, Europës i dërgonin mesazhin se ja u dëgjuam. Jemi të sinqertë në qëndrimet tona. Pas tyre vepronin ndryshe. Sinqeriteti ishte flakur tutje. Hipokrizia ishte busulla e orientimit dhe qëndrimit të liderëve të opozitës. Europës “po”. Popullit “jo”. Jemi me ju europianë. Ecim sipas orientimeve tuaja. Natën ndryshe. Tutje e më tutje. Gjithnjë larg të vërtetës. Pranë gënjeshtrës. Të pavërtetë, kurrë të sinqertë. Europa kërkonte largimin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe SHBA e shpalli të jashtëligjshëm. Asnjë fjalë nga liderët e opozitës. Në njërën anë buzëqeshje në krahun tjetër ngërdheshje. Të “sinqertë” në mëngjes. Hipokritë në palcë në mbrëmje. Zgjidhni një Kryeprokuror të pranueshëm kërkonte Europa. Profesionist të zotin. Me integritet. Me kualifikime. Me magjistraturë. Bënin sikur ishin dakord me Europën po kundër jepnin votën.
Me hipokrizi shfaqën agresivitet në sallën me deputetë. Skena më e shëmtuar, jo vetëm në sytë e shqiptarëve, po edhe të ndërkombëtareve. Një ditë duam çeljen e negociatave. Brohoritje para ekraneve. Ditën tjetër përmes mijëra informacioneve në kancelaritë e shteteve vendimmarrëse nxijnë Shqipërinë. Sipas video përgjimeve që dërgojnë partitë politike në opozitë në kancelari, vendi ynë duhet të presi për të zënë vend në tavolinën e europiane po edhe të heshti. Një ditë duan. Tjetrën s`duan. Pas raportit të Komisionit Europian dhe gjykimit pozitiv për Shqipërinë, liderët politikë, Berisha, Basha, Monika, Vasili, Noka e të tjerë vetëm nxinë. Deklarojnë “punët” e mëdha që kanë bërë për çeljen e negociatave. Hipokrizi e pastër. U qeshin europianëve. U ngërdheshen e hakërrehen shqiptarëve. Iu ulërasin pushtetarëve. Në njërën anë po, tjetrën jo, jo, jo! Në dukje të sinqertë. Në prapaskenë hipokrizi. Kuptohet në emër të Europës gjithsesi.
Asnjëherë nuk kemi parë një sjellje normale. Një qëndrim pajtues. Një marrëveshje të sinqertë për të ecur bashkë drejt Europës. Përkundrazi. Këto ditë, kur edhe fundi i qershorit po afron dhe pritet vendimi final, opozita jonë ka ndezur projektorët. Ka vënë në punë motorët. Kërkon të na pengojë me çdo çmim Europën. Për këtë i ka publikuar video përgjimet. Në emër të kësaj kauze ka mbajtur deklaratat e fjalimet. Në funksion të axhendës së mospranimit vazhdon të thërrasë në protestë në 26 maj. Të gjitha duke u fshehur pas kauzave false. Pas hipokrizisë. Deri atje arrijnë liderët e opozitës sa të na mbushin mendjen se vetëm ata e duan BE-në. Se për të luftojnë. Nëse hyjmë në BE, si gjithnjë do brohorasin e bëmë ne! Nëse jo, bërtitet dënim- dënim-varje. Me Europën servilë e hipokritë, brenda në luftë e beteja për ta nxirë qeverinë dhe gjithë Shqipërinë. Kësaj sjellje të opozitës tonë i thonë sipas fjalës së urtë të popullit tonë: “Brenda masha, jashtë pasha”. Brenda vendit me ulërima. Me ata jashtë, me buzëqeshje e dashuri. Realisht puro hipokrizi. PD dhe LSI, dhe vargu i partive të frontit të bashkuar opozitar këto ditë përmes trukimeve dhe fantazisë, duke u sjellë si kineastë e regjisorë mbetën me video kasta në dorë. Edhe protestën e 26 majit e paraqesin si një revoltë në emër të Europës. Për ta bërë më të mirë Shqipërinë!? Liderët e opozitës në popull babaxhan. Me Europën jargaviten. Qeverinë kacafyten. Për të treguar dashurinë për Europën, protestën e radhës e trumbetojnë aksion për në Europë. Se me këtë qeveri shkojmë në gropë e kurrë në Europë. Veprimet nga të cilat udhëhiqet sot opozita, me gjeste dhe fjalë, simbolika, sikur i dhëmb zemra për Europën. Për popullin. Po vetëm fjalë, fjalë. Në të vërtetë opozita jonë nuk është e sinqertë as me veten as me Shqipërinë. Kur liderët politikë në opozitë bëjnë alibinë se protesta e 26 majit e bëjnë për Europën e Shqipërinë, bëjnë hipokrizinë dhe vetëm hipokrizinë!
Comments (0 posted)
Post your comment