Cui bono?
Si i shfaqi kriza me kimikate pasojat e mungesës së një sistemi...
Nga Veton Surroi
Si i shfaqi kriza me kimikate pasojat e mungesës së një sistemi.
1.
Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, më pyeti një herë se si shkonte puna në Kosovë nën protektorat ndërkombëtar dhe në vend të analizës së gjatë mbi kompetencat e ngatërruara, sistemin e ligjeve të Kosovës, Serbisë, Jugosllavisë dhe rregulloreve të UNMIK-ut, që bënin lëmshin që vetëquhej sundim i ligjit dhe çdo gjë tjetër që dukej sikur Kulla e Babelit në të cilën njerëzit e të gjitha gjuhëve të botës nuk mund të merreshin vesh, ia tregova në një rrëfim që tingëllon si anekdotal për krizën e një dite të vetme.
Ajo qe njëra prej ditëve kur u ndërpre në tërësi prodhimi i energjisë elektrike. Në mbledhjen e mëngjesit të udhëheqjes së vendit - UNMIK-ut, kryeadministratori Kouchner kërkoi menjëherë informatë nga shefi i Shtyllës së Katërt (BE-së, që merrej me ekonomi), Dixon, përse bëhej fjalë. Ai kishte marrë informatë se ndërprerja e energjisë ishte bërë sepse mungonte një kimikat, i cili ishte banal, dhe si i tillë i blerë në furnizim të rregullt, por kur mungonte, siç bënte tash, ishte një kimikat banal që e ndërpret tërë prodhimin e energjisë elektrike. Rrëfimi për kimikatin u elaborua gjerë e gjatë nga teknologët, pastaj nga drejtuesit ekonomikë. Ai nuk u ble, sepse këtë nuk e bëri Prokurimi, dhe këtu pastaj u hap debati për kompetencat e Prokurimit - a i kishte KEK-u apo Shtylla e Katërt e UNMIK-ut, dhe brenda KEK-ut a e kishte kushëriri i këtij apo atij “komandanti”. Debatin e ndërpreu në atë moment Kouchneri dhe kërkoi që të gjendet urgjentisht kimikati, për të cilin për herë të parë kishin dëgjuar, por që të gjithë tanimë ia shqiptonin emrin sikur të kishin qenë në Obiliq për më shumë se një mandat.
2.
Që të gjithë të përfshirët në atë që ishte efektivisht Qeveria e Kosovës filluan të merreshin me kimikatin. Nxorën telefonat e tyre celularë shefi i OSBE-së, shefi i UNHCR-it dhe nga aty filloi të japë urdhra edhe komandanti i KFOR-it. OSBE-ja nuk kishte ndonjë përvojë me këtë e as me ndonjë kimikat tjetër - nuk ishte në misionin e saj - e kimikati nuk kishte ndonjë lidhje me kthim refugjatësh, kështu që të dy prijësit e këtyre misioneve rrudhën shpejt krahët në shenjë mungese suksesi. Shpresa më e madhe qe te komandanti i KFOR-it, por për dallim prej paragjykimeve që ekzistojnë për ushtrinë si një linjë vertikale ekzekutive që kryen punë, kjo zakonisht ndodh në luftë e në paqe, ku ushtritë duhet të merren me burokracitë e veta. Dhe kështu komandanti i KFOR-it u mor disa orë jo me kimikatin, por si të gjendeshin dhiare të ndryshme në burokracinë e ushtrive të ndryshme që përbënin KFOR-in e që disi ta siguronin atë kimikat. Sepse, në fund, KFOR-i nuk e kishte problem transportin e atij kimikati, por KFOR-i nuk ishte entitet buxhetor që të mundë të blinte kimikate për KEK-un; këtë në rastin më të mirë mund ta bënin ushtritë e veçanta që operonin brenda KFOR-it.
Gjatë ditës vendimmarrja kryesore për vend ishte puna e kimikatit të KEK-ut, që duhej të rivendoste punën dhe të nxirrte nga terri vendin.
3.
Kimikati u sigurua disi; Kouchner dhe komandanti i KFOR-it ishin edhe të përkushtuar, edhe punëtorë , edhe këmbëngulës. Dukshëm i lodhur, tërë rrëfimin ma tregoi Kouchneri. Dukshëm krenar ua bënte me dije vetes dhe të tjerëve se nuk kishte sfidë që nuk do ta tejkalonte. E nesër do të lindte një kimikat i ngjashëm, në një pjesë tjetër të Kosovës, që do t’ia merrte tërë energjinë.
Atë ditë, me krizën e kimikateve ndodhën shumë gjëra, por tri për të veçuar për këtë shkrim. U shfaq pasoja e mungesës së një sistemi: kimikati duhej të kishte ardhur në një sistem prokurimi normal, por u pa se nuk ka sistem prokurimi normal, për më tepër, nuk ka sistem menaxhimi në KEK.
Këtij dështimi sistemor iu dha përgjigje e një mungese tjetër sistemore: Qeverisja (protektorar apo ndonjë tjetër) nuk mund të mikromenaxhojë. Nuk mund të zëvendësohet mungesa e një sistemi prokurimi me një mungesë sistemi tjetër, një në të cilin Shefat nxjerrin telefonat dhe shohin se ku mund ta gjejnë një fuçi kimikatesh për të cilat nuk kishin dëgjuar një orë më parë.
Dhe, tre, siç do të vërenin paraardhësit romakë të Sherlock Holmesit, ndodhi mungesa e pyetjes: “cui bono”? Kujt i sjell të mira mungesa e kimikateve? Po të ishte gërmuar më thellë, do të mundë të kuptohej se kimikatet nuk mungojnë vetëm për shkak të mungesës së sistemit, por, duke e shkaktuar mungesën e sistemit, dikush mund të përfitojë. Ndoshta jo aq dikush që është në prokurim të kimikateve sa ai që mund të jetë në prokurim a shitje të energjisë elektrike, asaj që blihet jashtëzakonisht shtrenjtë kur do ta blesh aty për aty. Ose, ai që shet gjeneratorë.
4.
Kështu erdhëm deri më sot. Një rrëfim i këtillë do të kishte vlerë po të pyeste zonja Albright se si shkojnë punët në Kosovën e pavarur.
Në vend të analizës më të thellë, mund t’i tregohej se Kosova erdhi në “prag të krizës energjetike” (kështu e përshkruan zyrtarët dhe diplomatët) pasi nuk kishte qymyr nga mihjet, e nuk kishte, sepse nuk ishte hapur mihja e re në Shipitullë, e nuk ishte hapur sepse... Sepse ka munguar sistemi, ai sistem është zëvendësuar me improvizim dhe në fund dikush ka përfituar.
Apo, mund t’i tregohej se si PTK-ja po i afrohet “krizës që e çon në falimentim”. Në vend të sistemit të menaxhimit u vendos sistemi i eksploatimit të PTK-së nga organizata që u bë gati simotër, PDK-ja. Lista e përfituesve është e gjatë.
Rruga për Shkup, duke kaluar nga Gryka e Kaçanikut, u mbyll sepse në vend të sistemit të menaxhimit të rrugëve u ndërtua sistemi i eksploatimit të biznesit të ndërtimit të rrugëve (përfshirë edhe gurëthyesit). Përgjatë 19 vjetëve përgjigjja ndaj degradimit rrugor ka qenë improvizim dhe arnim, që kushton. Cui bono?
Ah, po. Prej vitit në vit hyjmë në krizë marrëdhëniesh me Serbinë. Vite me radhë u përpoqëm të ndërtojmë një sistem negociator vetëm për të parë se si negociatat dhe interesi shtetëror në një konflikt të papërfunduar me Serbinë trajtohen njëjtë si kimikatet e KEK-ut, mihja e Shipitullës, menaxhimi i PTK-së dhe shembja e gurëve në Grykë të Kaçanikut. Tre hapa të thjeshtë: në vend të sistemit bëhet improvizim, shkaktohet kriza që merr përgjigje improvizuese dhe vazhdohet deri te cikli i ri, sërish negociata.
Cui bono?
Comments (0 posted)
Post your comment