Zbulohen gjurmë të reja të qytetërimit Pajon në Radovish të Maqedonisë
Sipas shumë studiuesve vendës dhe të hua, në kohën e sundimit të Filipit II dhe Lekës së Madh, në territorit e Radovishit të sotëm kanë banuar kryesisht fiset pajone-ilire, sipas emrave të të cilave njihen edhe vendbanimet e kësaj periudhe.
Nga Abdulla Mehmeti
Këto zbulime duhet t'i alarmojnë studiuesit shqiptarë dhe të jashtëm, sepse përvoja e derisotme ka dëshmuar që studiuesit vendës përherë kanë qenë të prirur t'i falsifikojnë dhe mbulojnë këto gjurmë, duke i vjedhur, zhvendosur artefaktet nga një lokalitet në tjetrin, ose duke i transferuar jashtë vendit, kryesisht në Beograd, Sofje, Atinë, Moskë e gjetiu, dhe sidomos u kushtojnë rëndësi vetëm shtresave të kulturës materiale nga periudha e Mesjetës, pas ardhjes së sllavëve në këto hapësira.
Këto ditë, gjatë punimeve në trasenë e rrugës së re mes qytetit të Shtipit dhe Radovishit janë zbuluar së paku katër lokalitete arkeologjike, të cilat i takojnë qytetërimit Pajon. Kjo u bë e ditur edhe nga drejtori i Entit për mbrojtjen e monumenteve të kulturës dhe muzeut të Shtipit.
Sipas arkeologëve të cilët kanë dalur në terren dhe i kanë nisur kërkimet, këto lokalitete i takojnë periudhës parahistorike, qytetërimit Pajon, por mund të ketë edhe shtresa të mëvonshme nga mesjeta. Sipas arkeologëve vendës në këto lokalitete pritet të gjenden dëshmi shumë të rëndësishme për dinastinë e mbretërve pajonë dhe qytetërimin e lashtë në këto hapësira.
Edhe më herët është përmendur nga arkeologët dhe studiuesit e ndryshëm se në territorin e Radovishit janë hasur gjurmë të kulturës materiale nga periudha parahistorike. Është theksuar gjithashtu se, interes të veçantë paraqesin artefaktet e gjetura që i takojnë periudhës së neolitit, eneolitit (periudha e bakrit), hallshtatit dhe periudhës së bronzit.
Sipas shumë studiuesve vendës dhe të hua, në kohën e sundimit të Filipit II dhe Lekës së Madh, në territorit e Radovishit të sotëm kanë banuar kryesisht fiset pajone-ilire, sipas emrave të të cilave njihen edhe vendbanimet e kësaj periudhe. Por, shkenca ende nuk e ka përcaktuar saktë vendndodhen e këtyre vendbanimeve të qytetërimit pajon.
Artefaktet e gjetura deri më sot në këto hapësira dëshmojnë për një qytetërim të zhvilluar që i takon periudhës së hershme ilire dhe para romake. Këto janë kryesisht vendbanime, nekropole, kastrume, akuadukte etj. Dinastia e mbretërve pajonë dallohet, përveç të tjerash, edhe për shtypjen e monedhave.
Comments (0 posted)
Post your comment