Fundi i...?
Në ADN-në kulturore mund të ketë hyrë bindja se me qindra vjet dikush ka menduar për shqiptarët në...
Nga Veton Surroi
Në ADN-në kulturore mund të ketë hyrë bindja se me qindra vjet dikush ka menduar për shqiptarët në Stamboll a Moskë. Tash është ndoshta momenti i mirë për t’u zgjuar nga bindja se ka kush mendon për shqiptarët në Washington...
1.
Barsoleta e vjetër e Luftës së Ftohtë thoshte se kur Moska teshtin vetëm një herë i tërë blloku lindor, prej Varshavës e deri në Tiranë, fiton një grip serioz, me zjarrmi e kollitje.
Analogjia është frikësuese sot për Perëndimin. Presidenca e Donald Trumpit është, për më keq, diçka më shumë se teshtitje dhe tash bëhet viti i dytë që diplomatë e burrështetas (përfshirë edhe gratë e fuqishme si zonja Merkel) analizojnë zjarrminë e pashmangshme të organizmit të krijuar me shumë mund pas Luftës së Dytë Botërore e të quajtur Aleanca Transatlantike. Dy nga tri shtyllat e kësaj aleance, SHBA-ja dhe BE-ja, kanë sëmundje që nuk kurohet me aspirinë, e kur SHBA-ja ka problem që nuk kurohet me aspirinë atëherë ky është problem i madh edhe për shtyllën e tretë, NATO-n.
Problemi i SHBA-së quhet presidenca Trump dhe evidencohet nëpërmjet të asaj që në Evropë perceptohet gjithandej si braktisje të politikës tradicionale atlanticiste, së cilës SHBA-ja i ka prirë me sukses prej fundit të Luftës së Dytë Botërore.
Ky është, automatikisht, problemi i shtyllës së dytë, problemi i NATO-s; kjo nuk është organizatë e njëjtë nëse SHBA-ja nuk beson në të dhe nuk i prin.
Dhe, pastaj vjen edhe problemi i shtyllës së tretë, BE-së. Problemi i kësaj shtylle ilustrohet me Brexitin, dëshirën e njërit shtet anëtar (të madh e të rëndësishëm) për t’u larguar nga Klubi, e që në masë të madhe ka të bëjë me krizën e përhershme të identitetit të një organizmi në rritje: sa e thelluar mund të jetë vendimmarrja brenda BE-së? Pastaj, a ekzistojnë parakushtet strukturore - në politikë ekonomike, fiskale e të mbrojtjes, për të dhënë një listë të shkurtër - për ta bërë këtë?
2.
Ortodoksia amerikane e shqiptarëve (dhe natyrisht, fjala ortodoksi nuk ka të bëjë këtu me besimin e krishterë, por me besimin në Amerikë) është këtu para një dileme të madhe. Shqiptarët janë periferi e Evropës, madje edhe e Perëndimit. Megjithatë, edhe duke qenë në periferi, kanë krijuar një lidhje që në momente ka arritur pikë ekzistenciale me SHBA-në. Kosova nuk do të ishte kjo që është sot, e me të edhe tërë relacionet brenda shoqërive shqiptare, pa ndërhyrjen vendimtare amerikane. Për më tepër, siguria fizike e Kosovës varet në masë të madhe nga SHBA-ja, gjegjësisht roli prijës i SHBA-së në NATO.
Një Shqipëri brenda NATO-s është që sot e sfiduar me krizën e trefishtë të Aleancës perëndimore, dhe është më e sfiduar se shtetet si Hungaria apo Portugalia, për shembull, sepse duhet të adaptohet, në formë spektatori i periferisë ndaj zhvillimeve në Qendër, pa mundësi të drejtpërdrejtë ndikimi. Syçeljen e parë të kësaj gjendjeje të re Shqipëria e mori me zbulimin e formulës franceze “ju duam në shtëpi, por prisni derisa ta rregullojmë atë”.
Një Kosovë që është një protektorat i suksesshëm i NATO-s dhe i pasuksesshëm i BE-së, ka aq më shumë arsye brengosjeje. Duhet të hyjë në negociatat e radhës me Serbinë, ndërkohë që prej shpalljes së pavarësisë së vendit bota ka ndryshuar aq sa sot nuk flitet më për krizën e Irakut, Afganistanit apo ndonjë vendi tjetër ekzotik, por për krizën e vetë Perëndimit.
Dilema bazike është: çka bëhet me shqiptarët, banorët e periferisë evropiane nëse vazhdojnë trendët e kësaj krize të Perëndimit? Siç dihet në ligjet fizike të gjeopolitikës, nuk ka zbrazëtira që nuk mbushen dhe në drejtim të periferisë së Perëndimit ka kohë që janë angazhuar së paku tri lëvizje lindore: ajo e Rusisë së Putinit, neootomanizmi i Erdoganit dhe “internacionalizmi islamik” që kësaj here ka marrë formën e ISIS-it, dikur e kishte të Al Qaedas e nesër mund të ketë formë tjetër.
Për shqiptarët, anëtarësia në NATO e Shqipërisë është e pamjaftueshme si masë mbrojtëse; kjo anëtarësi nuk ka ndryshuar vetvetiu gjë në relacionin e Shqipërisë me BE-në, apo në relacionet e sigurisë në Kosovë. Rusia ka depërtuar deri në veri të Mitrovicës me apo pa anëtarësim të Shqipërisë në NATO. E njëjta gjë ka ndodhur me neootomanizmin dhe me “internacionalizmin islamik”. Dhe, Kosova, duke vendnumëruar, është shndërruar në shtet të kapur nga krimi i organizuar politik; apo ka ndodhur e kundërta, është kapur si shtet dhe prandaj ka vendnumëruar - sidoqoftë rezultati është i njëjtë.
3.
Janë tri gjëra që shqiptarët mund të bëjnë, pa pritur se si do të zhvillohen gjërat më tutje.
E para, nuk kanë pse të mos jenë filoamerikanë. Kriza identitare, të cilën e filloi presidenca Trump jo domosdo është strukturore. Ç’është e vërteta, SHBA-ja filloi tërheqjen nga Evropa me presidentin Obama - fill pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës - por SHBA-ja është ende në regjion. Presidenca Trump krijoi një rol të ri amerikan në Aleancë, atë të partnerit që, bën sikur, apo, me të vërtetë largohet. Për më tepër është një presidencë, e cila sikur u tregua në Samitin e Helsinkit, nuk e sheh Rusinë si fuqi që punon në formë aktive për prishjen e depërtimeve historike të Perëndimit, atë të krijimit të zonës së demokracisë liberale, të ekonomisë së tregut e të sigurisë fizike të Evropës. Por me gjithë këtë, lidhja që kanë shqiptarët me SHBA-në nuk mund të lidhet me mandat presidenti; Kosova do të punojë të jetë anëtare e NATO-s me ndihmë të SHBA-së pa marrë parasysh kush është president. Shqipëria dhe Kosova kanë pasur dhe duhet të kenë lidhje me Kongresin e me shoqërinë civile amerikane - ashtu siç kanë pasur në kohë të vështira pa marrë parasysh kush ka qenë president.
E dyta, Shqipëria në gjendjen në të cilën është, ndonëse periferi, duhet të marrë pjesë në debatin politik për evoluimin e institucioneve evropiane dhe kjo është kërkesë, e cila do bërë nga “grupet periferike” të regjionit të vendeve të Qendrës. Pjesë e kësaj duhet të jetë domosdo e fillimisht edhe gatishmëria për pjesëmarrje në përgatitjen e strukturave evropiane të mbrojtjes, aty ku Shqipëria ka kapacitet reagimi të menjëhershëm.
Dhe e treta, Kosova, në momentin kur për këtë krijon konsensusin e nevojshëm politik e institucional, mund të ndërtojë një qasje proaktive për negociatat me Serbinë, në një platformë e cila do konsultuar fillimisht me Parisin e Berlinin dhe Londrën. Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë ka gjasa të nënshkruhet në Komisionin Evropian vetëm nëse më parë është pjesë e një negociate në kontekst më serioz e me peshë çfarë mund të japin të tri kryeqytetet evropiane.
4.
Në dy vjetët e fundit emra eminentë të shkencës, diplomacisë dhe politikës në të dyja anët e Atlantikut kanë shkruar artikuj e libra që në titull a në përmbajtje kanë “Fundi i...”. Disa herë, madje shumë herë, është paralajmëruar fundi i rendit vestfalian, fundi i marrëdhënieve transatlantike, fundi i Perëndimit, fundi i Evropës çfarë e njohim, fundi i fitoreve të demokracisë liberale...
Për shqiptarët besoj të vlejë përshkrimi se ky është fundi i komoditetit që krijon instinkti i të qenit brenda sistemeve perandorake. Në ADN-në kulturore mund të ketë hyrë bindja se me qindra vjet dikush ka menduar për shqiptarët në Stamboll a Moskë. Tash është ndoshta momenti i mirë për t’u zgjuar nga bindja se ka kush mendon për shqiptarët në Washington.
Ky është fundi i komoditetit që krijon protektorati./Koha.net
Comments (0 posted)
Post your comment