Home | Opinion | Refleksione mbi marrëveshjen e Prespës

Refleksione mbi marrëveshjen e Prespës

image
(Udhëtari që e vajton trenin e ikur, rrezikon ta shkelë treni tjetër që vjen pas)

 

 

 

 

 

Refleksione mbi marrëveshjen e Prespës

 

 

Nga Abdulla Mehmeti

 

 

 

(Udhëtari që e vajton trenin e ikur, rrezikon ta shkelë treni tjetër që vjen pas)

 

Me Marrëveshjen mes Maqedonisë dhe Greqisë, të njohur si Marrëveshja e Prespës (Nivicës), për ndryshimin e emrit të shtetit në Maqedonia Veriore, janë vendosur kornizat e këtij shteti dhe të rajonit me këtë emër, së paku për një shekull në të ardhmen. Gjuhën diplomatike që përdorin ekspertë të shquar ndërkombëtarë në përmbajtjet e këtyre marrëveshjeve është tepër vështirë ta kuptojnë lexuesit e zakonshëm, sidomos kur pas këtyre marrëveshjeve ngrihet shumë pluhur , krijohet mjegull dhe zhvillohet propagandë nga shumë anë, siç ndodh aktualisht pas kësaj marrëveshje.

 

Me këtë zgjidhje, sipas përmbajtjes së saj, janë të pakënaqur një pjesë e intelektualëve dhe qytetarëve në Maqedoni, një pjesë e grekëve, në heshtje kanë shprehur pakënaqësinë e tyre edhe qarqe të ndryshme politike dhe intelektuale bullgare dhe serbe, por edhe një pjesë e shqiptarëve, këtu në Maqedoni dhe në botën e jashtme.

 

Duke marrë parasysh të kaluarën e këtij rajoni, asnjë zgjidhje nuk ka mundësi të jetë plotësisht e pranueshme për të gjitha palët, megjithatë, atë që kanë mbjellë popujt e këtij ranoni të të kaluarën, jemi të detyruar ta korrim ne sot dhe me ato të jetojnë e mbijetojnë edhe gjeneratat e reja për një kohë.

 

Nëse historia e ka dëshmuar që atë e shkruajnë fitimtarët dhe më të fortit, atëherë të gjithë energjitë që sot mund t'i shpenzojmë për gjërat e kaluara që nuk kthehen prapa, ta fokusojmë dhe orienetojmë në ndërtimin e të sotmes dhe të ardhmes, duke punuar e përjekur, nëse jo të jemi më të mirët, më të fortit dhe më konkurrentët, së paku të jemi mes të fortëve, me miq dhe aleatë që t'i përballojmë me suksese sfidat e reja, që sigurisht secila kohë i sjell me vete mbi fatet e popujve dhe të shteteve.

 

Nëse kjo marrëveshje nuk u sjell shqiptarëve në Maqedoni atë që dëshirojnë, është shumë e sigurt se u sjell shumë më tepër seç kanë pasur deri më sot. Të ardhmen e kemi përpara dhe duhet të punojmë për atë. Vlem me këtë rasta ta përsëritim thënien: të mençurit mësojnë nga pësimet e të tjerëve, jo nga fatkeqësitë e veta!

 

Udhëtarit që i ka ikur treni, nëse ulërin, vajton e vardiset pas tij, rrezikon ta shkelë treni tjetër që vjen pas!

 

(2 shtator 2018)

 

 

 

UNITETI I THYER, APO KEQPËRDORIMI I DEMOKRACISË

 

 

 

Në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, në prag të pavarësimit të Maqedonisë (1990, 1991), shqiptarët në këtë shtet ditën më së miri të bashkohen, të ndërtojnë qëndrime me një zë të përbashkët për parandalimin e tendencave negative kundër shqiptarëve, si referendumi i njëanshëm dhe manipulues për pavarësi, regjistrimi i popullsisë pa mbikëqyrje ndërkombëtare, por edhe organizimi i referendumit për Autonomi politike territoriale të shqiptarëve, organizimi i protestave të përbashkëta në Shkup me afër 100 mijë pjesëmarrës, dhe bashkëveprim për çështje të tjera, ndërsa sot, ky unitet është thyer keq dhe nuk rikrijohet lehtë mes shqiptarëve në këtë shtet, edhe pse aktualisht çështjet janë më serioze dhe kërcënimi ndaj shqiptarëve vazhdon të jetë si në vitet e para të pluralizmit dhe në prag të pavarësimit të Maqedonisë, në të cilën atë kohë ende ishte këmbëkryq edhe UDB, edhe KOS, edhe Armata jugosllave dhe gjithë aparati shtetëror represiv i asaj krijese famëkeqe.

 

Edhe gjatë asaj kohe janë bërë gabime politike, strategjike, konceptuale, të papërmirësueshme dhe katastrofale, sidomos nga drejtuesit e partive poltike, por kjo nuk është temë e kësaj trajtese, me të cilën mëtohet të sensibilizohet faktori shqiptar për unitet më të madh, me qëllim të arritjes së suksesit siç e kërkojnë kushtet, rrethanat dhe nevojat e shqiptarëve në Maqedoni, për faktorizimin e tyre në vend dhe më gjerë.

 

Sot, në rrethana shumë më të favorshme dhe relaksuese, siç duket fajtorë janë vetë shqiptarët, sidomos strukturat udhëheqëse të partive politike, të cilat nuk janë të vetëdijshme për rrezikun që edhe më tej u kanoset shqiptarëve për të ardhmen, duke harruar se ato nuk mund t'i përfaqësojnë të gjithë shqiptarët e këtij vendi, sepse nuk e kanë këtë mandat dhe legjitimitet të fituar nga shumica e qytetarëve shqiptarë, por vetëm nga anëtarësia e tyre; se aktualisht të gjitha partitë parlamentare të shqiptarëve janë të përfaqësuara me vetëm 16,6% në parlamentin e këtij shteti, ose e përfaqësojnë më pak se gjysmën e shqiptarëve, prandaj, veçmas asnjëra nga këto parti nuk ka mandat të vendosë për fatin e të gjithë shqiptarëve në Maqedoni. Shihni për këtë edhe sondazhet e agjencive të specializuara, nga konstatohet se asnjëri subjekt politik i shqiptarëve nuk arrin ta kalojë gjysmën e përqindjes që e përbëjnë shqiptarët në numrin e përgjithshëm të popullsisë së këtij shteti.

 

Arsyet janë të shumëta që të gjitha partitë politike të shqiptarëve të rikthehen në anën e interesit të përgjithshëm, duke i lënë teket e derisotme, të cilat më tepër do t'u kushtojnë vetë atyre në të ardhmen se sa qytetarëve shqiptarë në Maqedoni.

 

Bashkohuni (në qëndrime), që të mos turpëroheni!

 

(2 shtator 2018)

 

 

 

 

 

 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00