Berlini dhe bufeja ballkanike
Si po rrezikon Gjermania të mbetet në bishtin e ngjarjeve, ndërsa përkrahësit e ndarjes së...
Nga Enver Robelli
Si po rrezikon Gjermania të mbetet në bishtin e ngjarjeve, ndërsa përkrahësit e ndarjes së Kosovës po vazhdojnë fushatën e tyre. Dhe si dështoi Kosova të ndërtojë marrëdhënie intensive me Gjermaninë, njërin prej vendeve që ka bërë më së shumti për shtetësinë e Kosovës.
Që nga viti 1999 lirinë e Kosovës e kanë siguruar 130 mijë ushtarë gjermanë. 27 ushtarë gjermanë kanë vdekur në misionin paqësor të KFOR-it. Angazhimi i Gjermanisë në kuadër të trupave paqeruajtëse ka kushtuar 3.4 miliardë euro. Këtu nuk hyjnë edhe shumë miliona që Gjermania ka dhënë për funksionimin e UNMIK-ut, EULEX-it, OSBE-së dhe misioneve të tjera ndërkombëtare.
Ky investim i madh gjerman për shtetndërtimin në Kosovë ka për qëllim krijimin e një ambienti stabil si parakusht për zhvillim të ekonomisë,sundim të ligjit, qeverisje të mirë. Fakti se Kosova nuk i ka arritur këto ende, nuk është faji i Gjermanisë, së paku jo faji kryesor. Përgjegjës për gjendjen e rëndë të Kosovës janë vetë kosovarët dhe udhëheqjet e tyre politike. Pasojat e qeverisjes së keqe u panë në vitet 2014/15, kur mbi 100 mijë shqiptarë të Kosovës ikën kryesisht në Gjermani – jo për shkak se ishin të përndjekur politikë, por për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike dhe mungesës së perspektivës. Nëse gjendja në Kosovë vazhdon të jetë e tensionuar, atëherë Gjermania do t’i vërejë pasojat menjëherë – dhe madje në formën e valëve të refugjatëve ose emigrantëve ekonomikë.
Që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 2008, Gjermania pa luhatje ka përkrahur Republikën e Kosovës. Gjatë vizitës së tij në Kosovë, si ministër i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle në Kuvendin e Republikës së Kosovës më 27 gusht 2010 deklaroi: «Pavarësia e Kosovës e ka përmbyllur kapitullin e vendosjes së kufijve dhe copëtimeve në territorin e ish-Jugosllavisë. Harta e Ballkanit Perëndimor është përcaktuar përfundimisht. Pavarësia e Kosovës dhe integriteti i saj territorial janë fakte». Pak a shumë të njëjtin mesazh ai më parë e kishte përcjellë edhe në Beograd. Sipas tij, pavarësia e Kosovës është realitet, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është i qartë, harta e shteteve pasardhëse të ish-Jugosllavisë është përcaktuar.
Më 2011 Beogradin e vizitoi Angela Merkel. Gjatë konferencës për shtyp ajo u konfrontua hapur me presidentin e atëhershëm Boris Tadiq. Merkel tha se Gjermania e ka pranuar Republikën e Kosovës, ndërsa Serbia jo. «Kjo është një situatë ku duhet të ecim përpara», tha Merkel. Kur Tadiqi mendoi se mund të luajë me muskuj, Merkel nuk e përkrahu më. Në pushtet erdhi Aleksandar Vuçiqi me socialistët e Slobodan Milosheviqit. Vuçiqi në raport me Kosovën luajti një lojë: ktheu kopjet e kadastrës, kopjet e certifikatave të lindjes etj., të cilat Serbia i kishte vjedhur më 1999, po ashtu Serbia lejoi kosovarët të udhëtojnë nëpër Serbi me letërnjoftim dhe me disa «targa prej letre» që duhej vendosur në veturë. Vuçiqi punoi me shpejtësi: të gjitha këto i shiti në Berlin si kompromise gjigante që paskësh bërë ndaj Kosovës. Ai rreth vetes mblodhi këshilltarë gjermanë, e tërhoqi në anën e Serbisë edhe ish-kancelarin Gerhard Schröder, i cili madje mori pjesë edhe në një miting të partisë së Vuçiqit. Vuçiqi filloi të fliste shumë për nevojën e serbëve që të mësonin etikën evangjeliste të punës si gjermanët.
Çfarë bëri Kosova? Asgjë serioze. Përfaqësimi diplomatik i Kosovës në të gjitha nivelet ishte në pjesën më të madhe të kohës katastrofal. Në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës nuk mori pjesë asnjë politikan gjerman me nam. Schröderi, që kishte bombarduar Serbinë, është mysafir i shpeshtë në Beograd. Mund të thuhet me arrogancë se Schröder shkon në Serbi për ndonjë honorar, por përse një gjë të tillë nuk arritën ta bënin politikanët e Kosovës, në radhë të parë ata të PDK-së, që kanë qeverisur që nga viti 2008. Ndërsa Vuçiqi është i interesuar të përmirësojë imazhin e Serbisë në Gjermani, politikanët e Kosovës janë të preokupuar me ndreqjen e imazhit të tyre. Para disa vjetësh Kadri Veseli i dha një intervistë një gjermani shëtitës, i cili hiqej si gazetar dhe muhabeti i Veselit doli në një portal turistik, të cilin gjermani misterioz e kishte hapur me gjasë vetëm për intervistën me Veselin.
Do të ishte e padrejtë që për mosangazhimin gjerman në Kosovë të fajësohen vetëm politikanët e PDK-së. Kishte diplomatë gjermanë në Kosovë që nuk ishin në nivel të detyrës dhe silleshin më shumë si aktivistë të PDK-së. Gjermanisë tani po i hakmerret që nuk i ka mbikëqyrur nga afër negociatat e Brukselit, por ato i ka lënë në duart e Federica Mogherinit, e cila para se të bëhej kryediplomate e BE-së ishte akuzuar për qëndrime proruse. Pas aneksimit të Krimesë, Mogherini nuk e mori më guximin që hapur të tregojë simpati për Rusinë, por ndaj Serbisë ajo është treguar pafund tolerante në çdo aspekt. Vuçiqi ka futur gjithçka nën kontroll dhe BE-ja ka heshtur. Policia e Vuçiqit gjatë natës sulmon banorët e një lagjeje në Beograd, i dëbon dhe ua prish shtëpitë për t’i bërë vend projektit «Beogradi mbi ujë» dhe BE-ja pothuaj nuk dëgjohet. Vuçiqi kontrollon çdo institucion, demonton pavarësinë e institucioneve, stigmatizon pandërprerë çdo opozitar duke ia ndërsyer shtypin e tij fashist, me vite të tëra e mban në postin e shefit të armatës një gjeneral të akuzuar nga aktivistët për të drejtat e njeriut se ka kryer krime në Kosovë – dhe Bashkimi Evropian e Federica Mogherini nuk bënë asgjë. Nuk bëjnë as gjermanët. Besojnë se gjërat janë vënë në binarë për aq kohë sa Aleksandar Vuçiqi e Hashim Thaçi po flasin në Bruksel.
Por, nga ideja fillestare që dy vendet të normalizojnë marrëdhëniet dhe të hapin rrugën për anëtarësim në BE, tani kemi debatin mbi ndarjen e Kosovës. Vuçiqi po flet vetëm për ndarje. Jo për shkëmbim territoresh. Nuk po flet as për njohje të Kosovës. Në këtë situatë Gjermania po rrezikon të mbetet në bishtin e ngjarjeve. Kancelarja Angela Merkel ka kundërshtuar ndryshimin e kufijve në Ballkan, por kjo ashiqare nuk mjafton.
Në vitin 2011 ministri i atëhershëm i Jashtëm i Polonisë, Radosllav Sikorski, në një fjalim programatik në Berlin tha se më shumë se fuqisë gjermane i frikësohet indiferencës gjermane. Debati për ndarjen e Kosovës është pasojë edhe e indiferencës gjermane ndaj rajonit. Para disa javësh historiani i njohur britanik Timothy Garton Ash kritikoi në një intervistë në «Der Spiegel» plogështinë gjermane.Sipas tij, në koalicionin e madh në Berlin, por edhe në opinionin publik nuk ekziston vetëdija e duhur mbi urgjencën e momentit. «Kur udhëtoj nëpër Gjermani nuk e kam përshtypjen se është kuptuar serioziteti i situatës» sa u përket sfidave të BE-së. Garton Ash foli kryesisht për Brexitin. Por indiferenca gjermane në Ballkan është po ashtu njëra nga pikat e dobëta të politikës së Berlinit. Ndërkohë që autoriteti i Merkelit po zbehet edhe në Gjermani, duket se pas shpinës së saj nismën për ndarjen e Kosovës është duke e përkrahur presidenti dinamik francez Emmanuel Macron, i cili në nëntor do t’i presë në Paris Thaçin dhe Vuçiqin, dy gjeodezistët e rinj të Ballkanit. Nuk ka garanci se deri atëherë gjiganti gjerman do të zgjohet nga kllapia. Ndërsa politika cinike franceze është po ajo e qershorit të vitit 1999, kur në vend se të lejonin shqiptarët të ktheheshin në shtëpitë e tyre në veri të vendit, ushtarët francezë vendosën telat me gjemba dhe një ditë u dhanë urdhër Thaçit dhe Veselit të qetësonin popullin që donte të kthehej në vatrat e tij. Ata i thanë popullit se Mitrovica do të bashkohet. Thaçi dhe Veseli e kryen punën sipas porosisë. Pastaj Mitrovica u bashkua – në këngë me çifteli./koha
Comments (0 posted)
Post your comment