Home | Opinion | Shqipëria e rrezikuar nga sharlatanët

Shqipëria e rrezikuar nga sharlatanët

image
Greqia ka interes të madh ekonomik e strategjik në hyrjen më thellë në ujërat shqiptare, sepse nëpër këtë pjesë mendohet të kalojë gazi që do të vijë nga Turqia, për të kaluar në Itali e në gjithë Evropën.

 

 


Faik Smajli

 

Vendimi i drejtë i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për anulimin e Paktit detar me Greqinë, përfundimisht u dha fund spekulimeve e gënjeshtrave të Qeverisë skandaloze të Sali Berishës. Gjykata Kushtetuese e shpëtoi kësaj radhe Shqipërinë! E ndaloi ekzekutimin e tradhtisë kombëtare të qeverisë së Sali Berishës.

Zaten që nga fillimi i negociatave me palën greke, qeveria shqiptare është munduar që gjithë këtë proces ta mbajë disi sekret, ose ta paraqesë jo aq të rëndësishëm, e në asnjë mënyrë kundër interesave shtetërore të Shqipërisë. Përkundrazi, bënin be e rrfe se kjo marrëveshje është më shumë në interes të Shqipërisë se sa të Greqisë, dhe se vijat ndarëse detare janë vendosë në mënyrë proporcionale dhe të drejtë.

A nuk është kjo skandaloze? A nuk është kjo tradhti kombëtare, shitje e interesave shtetërore?

Shitja ose falja e një pjese detare Greqisë nuk mund të justifikohet në asnjë mënyrë.
Sharlatanët e grupit (ekspertët) negociues me në krye Gjen. Gërvenin, janë mbështetur vetëm në hartat detare greke, të cilat harta kushedi se si janë bërë e për çfarë qëllimi, e të cilat kuptohet se kanë qenë vetëm në interes të Greqisë.

Nuk janë marrë parasysh hartat shqiptare, matjet e dokumentet që janë bërë edhe më herët. Nuk janë mbështetë në konventat e rregullat ndërkombëtare, në të drejtën ndërkombëtare dhe nuk është kërkuar ndonjë ndihmë nga një palë e tretë etj.. Krejt këtë Pakt, në dëm të Shqipërisë, negociatorët ("ekspertët") tanë e kanë bërë sharlatançe dhe me vetëdije të plotë, sikur të ishte kjo tokë e askujt.

Greqia ka interes të madh ekonomik e strategjik në hyrjen më thellë në ujërat shqiptare, sepse nëpër këtë pjesë mendohet të kalojë gazi që do të vijë nga Turqia, për të kaluar në Itali e në gjithë Evropën. Gjithashtu grekët parashohin ose kanë informata se kjo pjesë detare është e pasur edhe me naftë, dhe po ashtu për ta shfrytëzuar për peshkim, turizëm etj. Leverdi e mirë apo jo!

Greqia duke qenë në pozitë më të favorshme ndërkombëtare, sidomos që është anëtare e Bashkimit Evropian nuk le asnjë shansë pa përfituar në kurriz të Shqipërisë, derisa edhe Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër, frika e Shqipërisë se Greqia mund të bëjë ndonjë pengesë gjatë rrugës për në Bashkimin Evropian, e vën në pozitë më të dobët dhe në një farë presioni. Këtij presioni i shtohet edhe numri i madh i emigrantëve shqiptarë që gjenden në Greqi etj.

Por përkundër këtyre rrethanave e arsyeve tjera, kjo marrëveshje nuk mund ta justifikojë vendimin e qeverisë shqiptare të Sali Berishës që t'ia falë qoftë një milimetër ujë apo tokë Greqisë. Çdo milimetër tokë shqiptare, nuk është pronë private e asnjë qeverie që vjen në pushtet! Qeveritë vijnë e shkojnë, ndërsa toka apo uji i mbeten shtetit, popullit të tij. Nuk mbrohen interesat shtetërore e fqinjësia e mirë duke i falur tjetrit pjesë të shtetit tënd. Për këtë nuk të detyron askush, asnjë rregull, asnjë kod, asnjë ligj. Përkundrazi, je i detyruar edhe me Kushtetutë që t'i mbrosh interesat shtetërore, me çdo çmim.

Sikur të ishte kjo qeveri e ndërgjegjshme kombëtarisht dhe e përgjegjshme politikisht, nuk do të vinte puna fare deri këtu. Shumë tragjedi e skandale e kanë kapluar Shqipërinë nga kjo qeveri, e pandërgjegjshme kombëtarisht, dhe e papërgjegjshme politikisht, dhe nuk është aspak çudi që edhe në të ardhmen, të na ndodhin tragjedi e zezona tjera.

Merita shumë të mëdha kanë ata burra të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, që përkundër presioneve e shantazheve të ndryshme të kësaj qeverie, nuk u gjunjëzuan, por e mbrojtën Shqipërinë.

Po kaq merita kanë edhe ato media shqiptare dhe të gjithë ata ekspertë e atdhetarë që ngritën zërin kundër këtij akti skandaloz, dhe bën të mundur që kjo çështje të shkojë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, dhe në këtë mënyrë të shpëtohet një pjesë e Shqipërisë.

Për mua, Kolonel Myslim Pasha është hero i vërtetë, i cili ngriti fuqishëm zërin kundër këtij Pakti, edhe me ndihmën e disa medieve shqiptare e atdhetarëve tjerë, luftoi me të gjitha mundësitë, ua qiti për fushe gënjeshtrat dhe të pa vërtetat kësaj qeverie sharlatane dhe negociatorëve të saj. Ani pse kryesharlatani Sali Berisha e quante sharlatan, por që tani kur doli e vërteta, po shihet se kush është sharlatani i vërtetë!

A thua si ndjehet tani sharlatani tjetër, Gjen. Gërveni, i cili bërtiste dhe i shkonte shkumë nga goja duke e mbrojtur këtë marrëveshje, në një debat televiziv me Kol. Myslim Pashën!
Nuk është i gjithë faji i Gjen. Gërvenit, sepse ai vetëm ka zbatuar urdhrat, por e ka një pjesë të fajit, sepse nuk është dashur ta pranojë një detyrë të tillë kur është në dëm të Shqipërisë. Aq më tepër si një ushtarak i lartë shqiptar. Fundja nuk kanë mundur ta detyrojnë për ta bërë një gjë të tillë.

Në çdo shtet normal e demokratik, një qeveri e tillë do të duhej të shkarkohej dhe të vihej para përgjegjësisë, për shitje të interesave kombëtare e shtetërore. Pra do të duhej të dënohej ashpër ky akt i rëndë. Por në Shqipërinë tonë edhe kjo ngjarje, si shumë ngjarje tjera deri më tani, do të kalojë pa përgjegjësi ligjore, pa ndëshkim.

Ashtu edhe siç pritej, Greqia reagoi me indinjatë ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Ta merr mendja, sepse ishte interes i madh grek që ta zgjerojë edhe më shumë hapësirën detare, pa çka se ishte në dëm të Shqipërisë. Ish-ministrja e Jashtme Dora Bakojanis e cila e pat nënshkruar këtë marrëveshje me homologun e tij shqiptar Lulzim Basha, asokohe pat deklaruar në parlamentin grek se kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme për Greqinë.

Pala greke ka qenë e bindur se ia hodhi edhe kësaj radhe Shqipërisë, dhe se kjo marrëveshje është çështje e përfunduar. Ajo akuzoi sidomos Edi Ramën, se iu bashkua ekstremistëve shqiptarë dhe e bëri të mundur që kjo çështje të shkojë në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë. Ajo fajësoi edhe qeverinë aktuale greke, se pse nuk e mbrojti e ratifikoi këtë marrëveshje me procedurë të shpejtë në parlamentin grek.

Po ashtu edhe ministri i Jashtëm Dimitris Droutsas e cilësoi si ngjarje negative anulimin e kësaj marrëveshje nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, dhe kërkoi sqarim nga pala shqiptare për këtë. Ku ta dimë se si është arsyetuar ministri i jashtëm shqiptar Ilir Meta gjatë takimit me të.

Doemos ndodh kështu kur një qeveri e papërgjegjshme si kjo, që është mësuar të përulet ndaj të tjerëve, të futë në telashe të panevojshme.
Qeveria shqiptare, së pari do të duhej ta shtronte në tavolinë me palën greke problemin çam, që sëpari shteti grek t'u njohë të drejtat e tyre dhe t'ua plotësojë kërkesat, t'i zgjidhë të gjitha problemet e çamëve, e tek atëherë të ulen dhe t'i vendosin kufijtë tokësorë e detarë. Kjo do të ishte marrëveshje e mirë, marrëveshje e drejtë, marrëveshje përfundimtare!

Greqia e din shumë mirë se kufiri i vërtetë nuk është në Gjirin e Sarandës, por shumë më në jug, aty ku kufizohet Çamëria me Greqinë. Por me këso qeverishë antikombëtare qe vijnë e shkojnë në Shqipërinë tonë, Greqia le që nuk do të qajë kokën për problemin e pazgjidhur të Çamërisë, por do t'i rritë orekset edhe më shumë, dhe nesër a pasnesër do t'i kërkojë të "drejtat" e saj, shumë më thellë në tokën shqiptare...

Ky rast, qoftë i fundit, ndoshta na i ka hapur pak sytë dhe na ka bindë, mjerisht, se Shqipërinë duhet ruajtur nga shqiptarët , nga qeveritë e saj. Duhet të jemi vigjilent sepse, përsëri duhet të ulemi në tavolinë me grekët, dhe me këtë qeveri sharlatanësh, përsëri rrezikojmë të humbasim ndonjë pjesë Shqipërie.

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00