Home | Opinion | Shqipëria, në mëshirë të sindromës komuniste...

Shqipëria, në mëshirë të sindromës komuniste...

image
Moshatarëve të mi,  padyshim atyre që dje ishin me “biografi të mirë”, duhet t’iu vijë turp sot nga vetja për sa ndodhte dje ...

 

 


Nga Bedri Çoku


Çfarë entuziazmi, me tituj të mëdhenj nëpër gazetat e majta, sa herë që ndërkombëtarët   shprehin nota jo optimiste, apo vërejtje për ecurinë e Shqipërisë në kapjen e standardëve evropiane... Thua se në këto gazeta nuk janë shqiptarët ata që i shkruajnë këto tituj me kaq gëzim, por as edhe armiqtë tradicionalë të Shqipërisë, të cilët gjithsesi, përpiqen në një farë mënyre ta fshehin vrerin e tyre, ndërsa këtë kënaqësi çuditërisht e paskan këtu,  në Shqipëri, disa për të cilët veç ne, shqiptarët, askush tjetër në botë nuk mund të flasë si  lindën dhe u edukuan në diktaturën e proletariatit, pikërisht këta “Njerëz të Rinj”, me pikëpamje të majta dhe antikombëtare. 
       Përveç atyre që lindën pas vdekjes së diktatorit më 1985, të tjerët, besoj edhe pse në moshë të vogël i kanë patjetër të skalitura metodat e edukimit komunist në shkollë,  familje e në shoqëri. Madje që në Kopshtin e Fëmijëve praktikohej edukimi revolucionar i luftës së klasës, urrejtja për të gjithë shqiptarët që nuk e donin xhaxhin Enver dhe regjimin e tij gjakatar, urrejtja për shtetet perëndimore kapitaliste, që shfrytëzonin popujt e botës, mbi të gjitha urrejtja ndaj Amerikës, si xhandar numër një i lirisë dhe pavarësisë së popujve (kujtoni pikturat nëpër muret e kopshteve të fëmijëve me njerëz të shëmtuar e të deformuar, mu si djaj, që personifikonin armiqtë e popullit këtu, në Shqipëri dhe  imperialistët dhe revizionistët e vendeve armike nëpër botë) ...
      Për gjendjen politike sot në Shqipëri, një përkufizim kuptimplotë për këtë rast e ka dhënë edhe ish kryetari i Akademisë së Shkencave, zoti Ylli Popa, në një intervistë me Blendi Fevziun, kur iu përgjigj pyetjes këmbëngulëse të këtij se: “Si e shikonte profesori  gjendjen politike të Shqipërisë, sot...?”. Por që ish kryetari i Akademisë, kundrejt përgjigjes, i rrëfeu gazetarit një ngjarje domethënëse për politikën dhe politikanët e sotshëm.
       “Një ditë të bukur vere, partia më caktoi mua për të shoqëruar disa miq nga Holanda në qytetin piktoresk të Sarandës. Fjetëm në Hotelin e bukur të Turizmit dhe në mëngjes  dolëm në bregdet për shëtitje. Aty pari, si për koincidencë kalojnë fëmijët e kopshtit në rresht, duke kënduar për partinë dhe shokun Enver. Njëri nga miqtë holandez, kureshtar, më pyeti se çfarë kuptimi shprehnin fjalët e këngës që po këndonin fëmijët. Dhe unë i tregova të vërtetën.
       _ Ç’fatkeqësi! -  ia bëri holandezi me keqardhje, pasi mësoi përmbajtjen e këngës së fëmijëve të Kopshtit - Këta fëmijë, gjithë jetën do të jenë besnikë të partisë e të Enver Hoxhës...”
        Më vonë këta fëmijë, duke u rritur mësuan se lufta e klasës që zhvillonte partia dhe shoku Enver, kishte pikësynim të krijonte klasën e vet, besnike të partisë e të shokut Enver, e cila duhet të ishte e lumtur sepse si e tillë, ajo do të gëzonte të gjitha privilegjet e kohës. Ndryshe nga fati i armiqve të brendshëm, të cilësuar me “biografi të keqe”, që sipas ideologjisë marksiste-leniniste, u mohoheshin në mënyrën çnjerëzore të mirat materiale dhe ato morale në Shqipërinë e tyre, jo vetëm për të mos pasur të drejtën e të qenit studentë në Universitetin e vetëm të Shqipërisë, me emrin e diktatorit “Enver Hoxha”, apo kuadro në administratën e shtetit, por u mohoheshin edhe të drejtat më natyrale të njeriut, si ajo e ripërtëritjes së racës apo e të qenit i lirë në tokën e vet. Ndërsa për ata me “biografi të mirë” ishte krejt ndryshe. Ata do t’i kishin dyert të hapura në  “parajsën komuniste”, edhe pse fëmija i besnikut të partisë dhe i shokut Enver, apo vetë “besniku i partisë...” do të ishin idiotë, apo mediokër. Gjithsesi, për të ruajtur këtë shtresë debilësh që nuk viheshin kurrë në “garë” për të fituar të drejtën e studimit apo vendin e punës sipas aftësive, por vetëm sipas kriterit të “besnikërisë ndaj partisë e shokut Enver”, shoqëria jonë, edhe nën terrorin e frikës përballë kampeve të internimit dhe të burgjeve, u shndërrua përherë e më tepër në një shoqëri servile, injorante dhe e indoktrinuar deri në palcë. Përherë e më tepër, drejt një degradimi moral e intelektual. Moshatarëve të mi,  padyshim atyre që dje ishin me “biografi të mirë”, duhet t’iu vijë turp sot nga vetja për sa ndodhte dje me moshatarët e tyre me “biografi të keqe”, mu tamam siç u thoshte partia dhe shoku Enver, që ishin gjoja “armiq të popullit” dhe si të tillë, nuk kishin të drejta të barabarta me ata që partia i quante me “biografi të mirë”. T’u vijë turp nga vetja që dje i pranonin si të drejta këto teori çnjerëzore dhe antikombëtare, duke e ditur se asnjeri nga moshatarët e tyre, lindur e rritur, po si ata, në epokën e diktaturës, nuk ishin fajtorë për “njollën biografike” që ua ngarkonin me detyrim në kurriz. Mirëpo, atëherë, mund të justifikohet dikush, i detyronte “Forca maxhore”, por sot në demokraci, vallë kush i pengon të shprehin me indinjatë dhe ndershmëri ligësitë dhe krimet e asaj kohe?
Sindroma komuniste!
    Çfarë skandali moral dhe politik njëkohësisht, ndodh sot në Shqipërinë pluraliste! Janë ngritur në revoltë fëmijët e besnikëve të partisë e të shokut Enver për të vendosur demokracinë e zgjedhjeve të lira në Shqipëri...(!!!) Pikërisht ata që janë edukuar që në bankat e shkollës se demokracia e vërtetë ekziston vetëm në sistemin komunist; se socializmi dhe shoku Enver janë binjakë që i lindi historia e Shqipërisë; se partizanët janë heronjtë e kombit që çliruan vendin nga okupatorët fashistë e nazistë, të tjerët janë armiq, me devizën staliniste: kush ka qenë kundra luftës partizane të udhëhequr nga serbët dhe komunizmin e tyre, është armik i përjetshëm i popullit shqiptar; se komunistët ishin të vetmit që mundën të ndërtonin shoqërinë komuniste, pse jo, bijtë e tyre sot, të mos jenë të vetmit për të ndërtuar edhe shoqërinë kapitaliste? Sepse, thonë ata, ne, bijtë e bijat e komunistëve jemi më të ndershmit, më të diturit, më atdhetarët nga cilido tjetër në këtë tokë që quhet Shqipëri. Sepse u kemi ngjarë etërve tanë... Ata thonë: Shqipërinë e çliruan etërit tanë nga okupatorët dhe kjo tokë na takon neve. Thonë: Vetëm ne, bijtë e  bijat e komunistëve dimë të qeverisim, të bëjmë demokraci apo të zhvillojmë zgjedhje të lira e demokratike. Çdo grup tjetër që s’i takon tarikatit tonë nuk ka të drejtë të qeverisë vendin. Nuk ka të drejtë të gjykojë paraardhësit tanë. Nuk ka të drejtë të quhet demokrat, as i aftë se mund të çojë Shqipërinë në Evropën e Bashkuar. Ne dhe vetëm ne jemi ata që mund të vendosim demokracinë e vërtetë në Shqipëri. Ne dhe vetëm ne e dimë më mirë se çdo institucion i vendit apo i ndërkombëtarëve se ç’duhet të bëjmë me popullin dhe Shqipërinë. Këtë vend e këtë popull e trashëgojmë nga etërit tanë të nderuar e të respektuar, për të cilët ne jemi gati ta djegim e ta shkatërrojmë sa herë na jepet kjo  mundësi. O ne në Shqipëri, ndryshe, askush s’ka për ta gëzuar Evropën e lirë dhe Shtetin e së Drejtës që të tjerët po përpiqen ta ndërtojnë në Shqipëri! O me ne, o kundra nesh! O hapni kutitë, ose ikni nga pushteti! O vdekje, o liri! Rrugë të mesme nuk ka...
      A nuk jemi edukuar kështu nga prindërit tanë komunistë? Që ta djegim vendin sa herë   rrezikohet pushteti ynë, pasuria dhe e ardhmja e fëmijëve tanë? Demokraci në Shqipëri ka vetëm kur jemi ne në pushtet, përparim ka vetëm kur drejtojmë ne, bijtë e bijat e atyre që sunduan vendin gjysmë shekulli me forcën e dhunës më çnjerëzore. Vetëm dinastia jonë ka të drejtën morale për të ndërtuar të ardhmen e Shqipërisë demokratike, ndryshe këtë vend, ne, bijtë e bijat e Bllokut të Udhëheqjes Komuniste nuk do ta lemë të qetë asnjë çast. Shqiptarët, o do të gëzojnë ato që dëshirojmë ne t’u falim atyre, lirinë dhe  demokracinë që ëndërrojnë, ose ata do të vithisen në humnerë së bashku me evropianët dhe imperializmin amerikan! 
      A nuk janë të gjitha këto simptomat e një të kaluare të hidhur për popullin shqiptar? Sindroma e “njeriut të ri” që krijoi Enver Hoxha? Prandaj është bërë problem serioz e  ardhmja e demokracisë në Shqipëri. Por është edhe përgjegjësia e shumicës sot në  pushtet, e cila me veprimet dhe mos veprimet e saj për dënimin e krimeve të sistemit komunist e ka katandisur Shqipërinë në mëshirën e sindromës komuniste... 
 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0