Home | Opinion | Larg duart nga shpërdorimi i fondeve publike!

Larg duart nga shpërdorimi i fondeve publike!

image
 Ç’problem delikat! Nga duhet të anojë peshorja e drejtësisë sociale?

 

  

 

 

Nga Bardhyl Ermiri

 

 

U kthye në ligj të pashkruar. Nuk kalon muaji dhe në vend krijohen shqetësime tepër serioze! Ja, si kjo e banorëve që përfshihen në shpronësimin e banesave dhe dyqaneve për efekt të vazhdimit të ndërtimit të “Unazës të Re”. Ç’problem delikat! Nga duhet të anojë peshorja e drejtësisë sociale?

 

Unë vetë, jam padyshim për shpërblimin e banorëve njësoj, pa dallim kategorizim prone. E di që kjo është një padrejtësi në raport me postulatin “prona është e shenjtë”. Ai që e ka përfituar atë në kushte force e anarshie, duhet ta vuajë veprimin e vet. Po u prek diçka e shenjtë, kundravajtësi kryen krim! Si zgjidhet kjo mëdyshje? Edhe bën krim, edhe shpërblehesh për krimin e bërë!? Së pari krimi i prekjes dhe cënimit të pronës është bërë në flagrancë, përballë krejt faktorëve shoqërorë. Përballë shtetit, përballë ligjeve, përballë pronarëve dhe përballë krejt opinionit publik. Shteti nuk u përgjigj, përkundrazi e stimuloi vetë këtë situatë. Pas tij gjithçka bie! “Shenjtëria” e pronës u përdhunua pikërisht nga garanti i mbrojtjes të saj. Është fare e qartë se përballë një shteti të tillë, të cilin e “zgjedhim” vetë dhe i cili nuk mban qëndrim në kohën e duhur e nuk dënon veprimet e kundraligjshme, të gjithë jemi përgjegjës. Në shoqërinë njerëzore ka një postulat të formuluar nga Ciceroni, që funksionon në të gjitha kohërat. "Nxitja më e madhe e krimit është të mos e ndëshkosh". Pra të gjithë jemi të dënuar të paguajmë, edhe “bari i njomë bashkë me të thatin”. Biles të paguajmë pikërisht në kundërshtim me ligjin e dëmshpërblimeve, i cili njeh vetëm pronarët e vërtetë e jo “pushtuesit”. Realiteti është i pamëshirshëm me popuj që nuk e njohin e zbatojnë ligjin siç tek ne. E ligji juridik nuk është ligj fizike, ku pasojat janë të pashmangshme sot apo nesër. Është ligj social, mënyrë sjelljeje, që vepron në moment. Nëse e thyen ligjin e nuk dënohesh, moszbatimi i ligjit është bërë ligj. A nuk është antiligji, ai që dominon te ne qysh prej 30 vitesh? Pikë. Dhe pikë e madhe biles!

 

Por po të kisha unë ndonjë gjë në dorë, do të veproja ndryshe. Nuk do ta kryeja këtë investim, të paktën edhe për 20 apo 25 vite që vijnë! Afro 2 kilometra për 40 milionë euro?! Pak e nga pak qeverisja e vendit tonë po kthehet në një qeverisje utopike, në një qeverisje që investon për të realizuar ëndrra me sy hapur, në një qeverisje që në mënyrë “demokratike” po e shtyp popullin e vet në formën më të egër, duke ja shitur atij “shpirtin” vullnetarisht. Sot që flasim ky popull ka afro 9 miliardë euro borxh. Që në një vend si i yni me një prodhim të përgjithshëm shoqëror prej 11 miliardë eurosh e me një ekonomi me natyrë shërbimi (shërbëtori) e jo prodhimi, do të thotë se ky borxh nuk do të shlyhet asnjëherë, por vetëm do të shtohet. Imagjinoni në kushtet e një krize rajonale apo edhe më tej. Do të jetë shumë më tepër se kapitullim i plotë.

 

Çfarë po investon, ku e përse? Në infrastrukturën rrugore? Po çfarë do transportosh, mallra, prodhim apo kot, ajër? Një vend, ai më i varfëri në Europë, i 115 apo i 120 në shkallë botërore, një vend që prodhon për frymë 5 herë më pak se Greqia, 9 herë më pak se Italia, 11 herë më pak se Gjermania… të investojë në këtë mënyrë, thjesht të ndërtojë vepra që janë vite drite larg realitetit e nevojave, është një megalomani vrastare, është një fryrje e tillë me pompë që shpejt fare do shpërthejë e do të na bëjë të gjithëve të luftojmë kundër të gjithëve. Kjo është që t’ja fusësh vetes me qejf, t’ja bësh... bam, kur thoshte Jovan Bregu. Investime nëpër rrugë? Po cili është efekti ekonomik i tyre? Më pak se zero, minus. Jo thjesht për sot jo, por edhe për të ardhmen! Nuk e besoj se ka kaluar aq kohë e gjatë sa të jetë harruar praktika e Çausheskut të Rumanisë të viteve ’80-të me atë gjigandomaninë e vet, që e çoi Rumaninë në kasaphanën më të madhe në ekonomi dhe vetë Çausheskun në fundin e vet të shëmtuar tragjik. Një politike të tillë investimesh i duhet thënë ndal! Një mënyre të drejtuari kështu, merr borxh pas borxhi e zhytu krejtësisht në llumin e zi të investimeve parazite, nga ata që të thyejnë kërbishtin më dysh është katastrofë. Kush do t’i shlyejë këto borxhe? Apo ç’i... ! Merr e ndërto kot, mburru e bëj sikur drejton, gënje votuesin e paditur e euforik, shpërdoro e deri vidh, bëj sikur po mendon për të ardhmen e ndërkohë të tashmen e ndërsen me dështim, e mohon krejtësisht atë...! Jo or lum miku! Kësaj i thonë “lakuriq me duart në xhepa”.

 

Po bëjmë fjalë për rrugë e investime në to! Disiplina që ushtrohet ndaj tyre, trajtimi konceptual i investimeve e mirëmbajtja e atyre që janë ndërtuar është mizerabël. Vetëm nga disiplinimi i qarkullimit, me sinjale e shenja të dukshme, me rreptësi në dënimin e kundravajtësve rrugaçë e atyre mendjelehtë, me mirëmbajtje model e investime minimale e krejtësisht të domosdoshme, me angazhim total te policive përkatëse (qoftë edhe duke i shtuar ata), me administrim maksimal të hapësirave në dispozicion e jo shpërdorim kriminal të tyre (siç po ndodh aktualisht me ato ndarjet dhe kufizimet idiote gjoja në emër të "përparimit"), etj., mund të shtohet efektiviteti transportues i rrjetit aktual me disa herë. Të harxhosh e hedhësh në erë dhjetra e qindra milionë euro pa patur arsye esenciale e pa patur domosdoshmërisht në kushtet e varfërisë të sotme efektivitet ekonomik, kur nuk kemi as “brekë në bythe” (falje), kjo është një e keqe që nuk e meritojmë e nuk mund ta mbajmë më.

 

Për mendimin tim i gjithë ky investim në "Unazën e Re", i duhur për të ardhmen e luks për të sotmen, duhet anulluar urgjentisht. Urgjentisht! E me këtë rast edhe banorët marrin e kanë marrë paralajmërimin serioz se kane vetëm 15 apo 20 vite kohë për ta riparuar paligjshmërinë apo ripërtëritjen e pronës të tyre. Thjeshtë për të parë se sa efektivitet kanë mënyrat se si investon shteti ynë e se si i kombinon ato me realitetin, "e sfidoj" këdo që të shohë e të gjykojë investimin e bërë te kryqëzimi të i ashtuquajturit "Pallati me shigjeta". Të shohë se si trafiku aty ka ndryshuar në mënyrë fare të pandjeshme, për të mos thënë se herë-herë bëhet krejtësisht i pamundur, ndërkohë që vetë mbikalimi ka një ngarkesë krejt minimale, "qesharake". Në vazhdim, kushdo është i "lirë" të shohi se si ndërtuesi dhe projektuesi i ripërtëritjes të rrugës që të shpije në Kombinat, po ja zënë krejtësisht frymën edhe kësaj pjese rruge, duke e mbingarkuar atë artificialisht me ca ndarje bordurash idiote betoni, duke harxhuar e harxhuar më kot paratë e popullit e duke ja bërë nervat tel kujtdo që kalon aty e është në "rrugë të vet". Po e mbyll këtë shkrim duke paralajmëruar në mënyrën më dashamirëse, por krejt serioze si një qytetar i thjeshtë e i zakonshëm: larg duart nga shpërdorimet e fondeve publike, larg nga investimet e luksit, larg nga shpërdorimet për të marrë diploma mburravecësh europianë, apo vota të degjeneruara për pushtet. Sa më larg djersës e kursimeve fare minimale të qytetarëve, jeta e të cilëve është rënduar e bërë plumb e rëndë.

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00