Taksa s’mund të jetë reciprocitet
Taksa as teknikisht nuk mund të jetë reciprocitet: mallrat e Serbisë hynë, po deshën...
Nga Xhemal Ahmeti
Taksa as teknikisht nuk mund të jetë reciprocitet: mallrat e Serbisë hynë, po deshën. Natyrisht me 100% taksë. Mallrat kosovare nuk lejohen atje fare. Mirë, këto të fundit as në Shqipëri nuk depërtojnë aq lehtë, ta zëmë si mallrat e Serbisë, botës mirëpo markat kosovare kanë mbrritiur deri në Japoni. Taksa nuk është reciprocitet, çka është atëherë?
I.
Në luftë sillu kanibal, në “paqe” aktroje Prometheun, viktimën perëndimallkuar që me zjarr përjetshëm i dogji modestinë njeriut. Kriminologu gjerman Hans von Hentig në veprën e tij “The Criminal and His Victim”, këtë modus vetëviktimizimi - ashtu si kolegët e tij Benjamin Mendelsohn dhe Henri Ellenberg - e quan: mënyrë për t’i ikur përgjegjësisë për atë çka ke bërë dhe për atë që dëshiron ta bësh. Ose siç e përmbyll së fundi edhe më konkretisht Carol Hagemann-White: Ndjesia dhe ekspozimi si viktimë ta mban gjallë mllefin, energjinë, është uzina më adekuate që të ushqen me dëshirën dhe vullnetin permanent më mirë të jesh dorrasi se i vrari.
Mbi këtë filozofi punon politika serbe. Konform mitit të tyre kryesor e të shpikur të “Fushbetejës së Kosovës”. Fatkeqësia e tyre është postmoderna. Respektivisht Dekonstruksioni i Derridas. Jetojmë në një epokë kur sidomos mitet kanë mbetur pa brekë, të zhveshur nga çdo aurë, legjendë e sakralitet: trajtohen e ekspozohen sot nga bota sikur të bënin poza para pasqyrës, duke u gërditur thellë me veten se ç’minifundësh u (m)veshin pasardhësit e vetë.
Për këtë arsye dje shteti serb ia nguli Nož-in e ndryshkur të Vuk Drashkoviçit shpinës së vetë. Gjitha mediat serioze të botës raportuan: Policia e Kosovës arreston vrasësit potencialë të politikanit Oliver Ivanoviç. Serbët portestojnë. Qeveria serbe kërkon ndërhyrjen e Kfor-it për t’i liruar të dyshuarit. Serbia akzon NATO-n dhe amerikanët. U kërkon ndihmë rusëve dhe kinezëve për ndërhyrje. A thua thirri Vuçiç edhe Erdoganin për ndihmë në telefon? - pyet një analist zviceran.
Sinteza: Me këtë filozofi, sot në shekullin 21, mund të përlotësh zonja ndjenjahollë si Ashton dhe Mogherini pubeve të Beogradit, aty ku zbavitësin e bën Daçiçi, por nuk trazon hiçgjë showmaster-ë të politikës globale të tipit të amerikanëve, britanikëve, gjermanëve. Edhe një të vejë, dorrasi eventual i burrit të së cilës me gjasë je vetë, mund ta korruptosh me poste, duke e fyej me fëmijë e dinjitet, por të mashtrosh botën se qenke viktimë vetëm se tashmë s’ke si vret? Jo.
Serbia dje ridëshmoi se nga viti 1389 asnjë hap mëtutje s’ka ecë.
II.
Serbët, në shpinë mbrojtshëm, kanë kinezët me Rusinë. Kosova nuk ka as Shqipërinë. Që nga Nano e deri tek epigoni i tij i fundit është krijuar një zakon i zi në Shqipëri: gjaku i të vetëve u duket karburant, duhani ilegal apo tym që ua prish dashuriçkat dikur me Titon sot me Serbinë. Matej as që ia vlen të zgjatet ky rrëfim, kjo histori. Arben Ahmetaj është ekzekutori i fundit i romancës moskovite që na bëri të kuptojmë se kë kemi shtet e kë depo ku serbët mund të vijnë t’i marrin çelësat e marrëzisë gjokszbuluar, pa plis e pa brekë.
Të kthehemi pra tek esenca e problemit.
Taksat e Prishtinës nuk janë reciprocitet i motivuar nga hakmarrja. Primatët e Prishtinës paskan lexuar diçka nga viktimiologjia. Le ta shoh Serbia veten në pasqyrë. Ndoshta kështu pëfundimisht vetëdijësohet ajo; kur në paraqitjen e improvizuar të Haradinajt duke thënë; “nuk vëmë taksat nga trimëria, por për të mbijetuar. S’dimë çka të bëjmë ndryshe për tu mbrojtur nga agresioni serb”; Vuçiç nuk u beson syve se i del vetja në vend të Haradinajt duke stërpërsëritur; “Nuk e njohim dot shtetin e Kosovës, se nuk mbijetojmë dot si serb, sidomos kur krejt bota janë në anën e tyre”. Përveç Kinës, Rusisë, të “painkuadruarve” pseudo-titofilë të Afrikës, Arabisë dhe fqiut të saj Shqipërisë natyrisht.
Taksat e Prishtinëns nuk mund të jenë reciprocitet edhe për shumë arsye tjera: Prishtina edhe pse EULEX-in e kishte aty nuk kërkonte nga të vetët, e punësuar aty, që të spiuonin dhe sabotonin në interes të tyre siç bënte Beogradi duke u premtuar serbeve doktorata të instituteve të saja, rroga. Përkundrazi plotë shqiptarë të punësuar në këto institucione ndërkombëtare ishin agjitatorët më efektiv të Serbisë kundër shtetit të Kosovës; Ministria e Kulturës ende nuk ka urdhëruar komunat që në çdo qytet ta bëjnë nga një “muze të holokaustit” të shkaktuar nga serbët që nga Lufta e Parë e deri sot, siç ka bërë Serbia që nga Nishi e deri në Sibiri; As kisha në Universitetin e Prishtinës nuk u hap si muze me mbishkrimin: “Millosheviç ndërtoi këtë kult që të mbetet në kujtesën e njerëzimit për të bëmat e tij” dhe të depononte aty gjitha dëshmitë e etnocidit që shkaktoi ai; Kosova ende nuk ka ndërtuar reparte në çdo ministri të saj për “diversion dhe sabotim të shtetit serb”, siç i ka Beogradi; Ambasadat e Kosovës nuk rekrutojnë të vetët në media, institucione të shteteve perëndimore për ti korruptuar në favor të agjencive të tyre, siç bëjnë serbët; ato nuk i detyrojnë të martuarit e vetë me të huaj për të bërë çmos kundër shtetit të tyre armik. Prishtina nuk mban mbledhje urgjente e as të jashtëzakonshme sa herë Serbia arreston qytetar të pafajshëm të origjinës shqiptare; saherë përze klube sportive dhe kërcënon çdo shtet përreth që pranon shtetin e Kosovës. E fundit as në mekanizmat kyçe të sigurisë nuk ka reparte të veçanta ku mijëra njerëz do punonin në plane për sabotim, diversion, nxitje dhe provokime në shtetet fqinje. Kosova as një parti si të Lista Serbe nuk e ka në Beograd. Edhe pse e ka pasur përherë këtë mundësi. Dhe plotë të tjera si këto.
Po t’i bënte Kosova këto gjëra, siç i bën Serbia atëherë mund të konstatonim se shteti i Kosovës gjendet në modusin e reagimit për tu mbrojtur nga një shtet tjetër që donë shktarrimin e saj. Por jo Kosovës i mungon kjo “industri”. Ajo ndoshta tash i ka hyrë kësaj faze. Por për reciprocitet nuk flitet dot, jo sot.
Diaspora e saj - sipas informatave aktuale - tash më mendon për financimin e këtij modusi eventual. Dy 3% dhe resurset humane me origjinë shqiptare botës do mjaftonin që për disa vite Kosova ta ribindte botën se e ka seriozisht dhe se nuk lejon më të përdhunohet nga një shtet serb, i cili nuk mëson, nuk donë të kuptojë se as Rusia e as Kina nuk ia realizojnë më ëndrrat për Serbinë e madhë. E më hiç nuk kurriz të shqiptarëve. Iku ajo epokë kur barbarët për himn kishin: Ligjin e bë i forti. Truri është sot në modë e jo xhelati i veshur si viktimë që pret kur ta nis gjahun e radhës.
Sinteza II: S’ka reciprocitet kosovar si reaksion karshi politikës hegjemoniste serbe. Taksat janë vërtet thirrje për ndërgjegjësim të ndërkombëtarëve, të vetëve, dhe serbëve se shteti i Kosovës nuk ka as fuqi më të durojë agresionin serb të shoqëruar me injorimin, poshtërimin dhe izolimin që ia bën BE.
III.
Pasi që Kosova i hyri këtij modusi, që unë do ta quaja „faza e parë e jetësimit të sovranitetit të saj si shtet“, tash duhet këmbëngulje, mençuri dhe strategji. Ky hap është shumë me rëndësi, veçanërisht para rrezikut; Kosova të manovrohet në objekt bisedash, ndarjesh e kalkulimesh jostransparente ndërmjet primatëve që enden klubeve burokrate të botës. Ky qëndrim ndoshta nuk do duhej të merrte fytyrën e vetëm taksës materiale, por ja që tjerët e më herët e dogjën çdo mjet tjetër. Ishte dhe është e qartë se do të reagojnë shtetet perëndimore, secila sipas interesave të saja apo disponimit të atyre që kanë aktualisht qeveritë. Dakord nuk pritej dhe ishte e tepërt eskapada e BE-së që të bëj avokatin e klubit tregtar të fukarenjve ballkanik e të lënë nga ajo vetë jashtë, tjerat mirëpo, tjerat janë të gjitha ashtu siç e do skenari në raste të llojit.
Ishte e qartë se do dalin parti brenda që mezi presin që këtë krizë ta bëjnë uterusin nga do dalin botës për të përlarë pushtetin, qeverinë. Çdo krizë, çdo epokë i ka heronjtë, pragmatikët dhe budallenjtë e vetë.
Një gjë - përveç atyre kollareve taketuke të Tironës - tashmë e ka kuptuar si duket çdo shqiptar që nga Alaska e deri në Sellarcë: askush s’të respekton nëse ti s’di ta respektosh veten. Dhe këta që mendojnë kështu premtojnë se do të mobilizohen edhe njëherë për të mbrojtur shtetin e Kosovës.Tashmë shenjat jepen gjithandej. Askush prej tyre nuk do luftë, për donë përmbyllje të këtij poshtërimi nga serbet dhe aleatët e tyre. Në këtë fazë u tha: ende s’ka reciprocitet, por duhet të punohet në atë që ai të ndërtohet, gjersa Serbia të dorrëzohet. Luftën ajo s’do ta fitoj assesi. Shqiptarët janë në të drejtë. Nuk e sulmojnë kënd në shtëpi, luftojnë se drruajnë dikush bëhet gati edhe për një pogrom ndaj tyre para se t’ua djeg shtëpitë.
Masat, demosi, shqiptarët duhet edhe kësaj radhe t’i shpëtojnë nga serbët, rusët, turqit dhe nga të vetët shtetet e tyre, e sidomos aortën: Kosovën!
Fishta do ta përmbyllte këtë tekst me fjalët e tij: „E po ndrysh s’bahej Shypnia“. Siç tha ai atëherë në Manastirin që sot nuk është më yni e që ne sot mund ta përkthejmë „E po ndrysh nuk mbrohet Kosova“.
Comments (0 posted)
Post your comment