Home | Opinion | Taksa patriotike parazgjedhore

Taksa patriotike parazgjedhore

image
Euforia e taksës do të mundë të zgjasë edhe ndonjë ditë, derisa problemi me furnizimin me rrymën do të bëhet aq drastik...

 

Nga Flaka Surroi

 

Me këta njerëz që janë duke u ricikluar në pushtet nuk do të mbërrijmë askund. Derisa njëri na fut në telashe me territore, tjetri jep gjithçka për karrigen e kryeministrit, i treti, nga hija prej së cilës plasi me dalë, bllokon punë në emër të popullit, i katërti mendon se politikë e jashtme është të ndërtosh ndërtesa ruse, dhe derisa krejt këta së bashku i shfrytëzojnë postet për të kontrolluar edhe centin e fundit që ka ky shtet -- do të jemi këta që jemi. Një shtet hajgare që as veten nuk e marrim seriozisht

 

Në ditën kur e përjetuam edhe një super zhgënjim në Dubai, kur sërish nuk na pranuan në Interpol, e përjetuam njërën nga netët më të magjishme e të lumtura që kur jemi çliruar. Me një lojë të bukur e të përkushtuar, futbollistët e Kosovës ia dolën ta shkelin Azerbajxhanin dhe me këtë edhe të dalin të parët në grupin e tyre garues.

 

Këta ishin kryesisht po të njëjtët futbollistë që i kishte grumbulluar edhe Bunjaki (i cili duhet lavdëruar për këtë pjesë të punës në Përfaqësuese) dhe të cilët nën udhëheqjen e tij pësuan shumë gola dhe shumë humbje -- ngase nuk kishin as strategji, as ide, e në fund po duket as ndonjë motiv.

 

Kryetari i atëhershëm i FFK-së, Fadil Vokrri, veproi me mend. E mbajti Bunjakin deri në përfundimin e ciklit, i cili u pa shpejt se do të ishte i dështimit, dhe në fund iu falënderua duke kthyer faqen e re. Vendosi ta angazhonte një trajner të huaj, jo fort të njohur, por me një armë të fuqishme në dorë: disiplinën. E pos disiplinës e pati një strategji zhvillimi dhe një qasje -- ta ndërtonte punën kolektive, me udhëheqje të vendosur, me synim të qartë dhe punë që do të sillte sukses. Duke e bërë Përfaqësuesen shembullin më të mirë për ta përshkruar atë që i mungon kësaj Kosove që moti është shtet hajgare.

 

Pacolli, kuku për ne

 

Njëri nga hajgarexhinjtë më të mëdhenj të kësaj strukture udhëheqëse është zëvendëskryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtme, Pacolli. Është për të vajtuar sesi një njeri i cili lidhje me politikë nuk ka, mund të bëhet faktor, fillimisht, për ta themeluar një qeveri, e më pas edhe për punësimin e kushërinjve a miqve nëpër institucionet shtetërore, përderisa e udhëheq një dikaster që, e besoni apo jo, po vuan për kohën kur atë e udhëhiqte Skënder Hyseni.

 

Lëre që u bë horë në OKB duke ia zgjatur dorën Trumpit në korridor sikur të ishte ndonjë simpatizues fushate, por edhe arriti që gjatë mandatit të tij Kosova t'i humbte njohjet që na i kishte siguruar dikush tjetër. Me mijëra euro i ka shpenzuar duke u endur andej-këndej, dhe me këmbëngulësi e ka injoruar Kuvendin sa herë që është ftuar të raportonte. Në dy javët e fundit ndodhi që i krisi shuplakë Kuvendit dy herë -- dhe kjo me lehtësinë më të madhe në botë, ngase për të nuk ka sanksione. Sepse dy votat e tij në Kuvend mund ta ndryshojnë balancën dhe ta rrëzojnë Qeverinë.

 

Mbase udhëheqjen e LDK-së do të duhej ta brente ndërgjegjja, jo vetëm pse Thaçin e ka zgjedhur kryetar, por edhe për faktin që vjet e lidhi koalicionin parazgjedhor me një tyxhar, i cili e ndërroi ekipin posa iu dha rasti për t'u bërë ministër i Jashtëm. Kjo, ngase ky e nuhati mirë ambicien thuajse patologjike të Haradinajt për t'u bërë kryeministër, edhe me çmimin që injoranti të niste ta quante veten diplomat. Për më tepër, kryediplomat.

 

Pas debaklit në Dubai, Pacolli nuk u bë i gjallë. "Është në një udhëtim konfidencial jashtë vendit, dhe s'mund t'ua tregojmë agjendën e tij", tha këshilltari i tij, për ta "qetësuar" Kuvendin, i cili edhe ashtu nuk ka fuqi për të bërë asnjë send, pos të mbajë seanca kurdo që ua merr mendja deputetëve ta bëjnë kuorumin.

 

Hashimoto i pagjetshëm

 

E edhe dikush tjetër nuk u bë i gjallë pas debaklit të sërishëm në Interpol. Menjëherë pas mbledhjes në të cilën abstenuan madje edhe shtetet që na kanë njohur, e dha një deklaratë që s'di njeri a ta kualifikojë komike a tragjike: "Ne duhet t'i hyjmë procesit seriozisht, të përgaditmi mirë, në mënyrë unike, një platformë të përbashkët shtetërore, të arrijmë një marrëveshje të përhershme me Serbinë, që nënkupton njohjen reciproke, dhe me i hjek qafe njëherë përgjithmonë, pastaj anëtarësohemi automatikisht në të gjitha organizatat ndërkombëtare duke përfshirë edhe NATO-n edhe BE-në edhe OKB-në" (sic!).

 

Pra, pas dhjetë vjetësh nga shpallja e Pavarësisë, kur ai ka qenë kryeministër; shtatë vjet nga nisja e negociatave kur ai ka qenë kryeministër, dhe më shumë se një vit që kur shkon në Bruksel e na flet për korrigjim territoresh, tash në petkun e kryetarit na tregon se duhet t'i hyjmë procesit seriozisht. Që po i bie se deri tash Kosova është tallur, kryesisht me vetveten, ngase procesit i kemi hyrë për hajgare, sa për të shëtitur e mbledhur mëditje. Kjo mbase është hera e parë në të cilën ai pranon se dështaku kryesor në të gjitha këto procese në fakt është vetë ai.

 

Dhe të kotë do ta ketë secilën përpjekje për të treguar se ky apo ai ka dështuar në këtë apo atë pjesë të proceseve, për shkak se është evidente se në 10 vjetët e fundit ai ka qenë bartësi kryesor i vendimeve politike, të cilat thuajse përherë e kanë anashkaluar Kuvendin.

 

E njëri nga ata që nga ambicia personale ia lëshoi rrugën për të bërë çfarë t’i teket, është edhe një që merr vendime sepse iu ka tekë: Haradinaj.

 

Kështu, një ditë pas dështimit në Dubai, Qeveria e Kosovës mori vendimin për vendosjen e taksës ndaj produkteve të Serbisë e Bosnjës në lartësi prej 100%. U bë qesharake ngarendja për ta marrë primatin se kush e propozoi i pari vendimin -- për shkak se në fund mund të dalë se është një vendim populist, i cili mund të rezultojë me shtrenjtimin e produkteve në shitje me pakicë dhe rritjen e kontrabandës nga veriu.

 

Nuk mbeti parti a zyrtar partiak i koalicionit që nuk foli për këtë punë. Me gjasë nuk pati analist në TV a FB që nuk pati çfarë të thoshte për taksën. I vetmi që nuk u dëgjua të ketë thënë gjë në FB a konferencë për shtyp qe Thaçi. E heshtja enigmatike e tij do të mundë të thoshte një gjë: se Haradinaj ka nisur luftën më të që nga çasti kur ka kuptuar se kjo Qeveri mund të bjerë më shpejt seç mendohej, që në momentin kur Perandori Hashimoto të vendosë se u bâ boll.

 

Taksa e parafushatës

 

Nuk e di kush se sa do të zgjasë kjo taksë dhe masë ndaj Serbisë dhe cilat do të jenë pasojat e drejtpërdrejta që do t'i pësojmë ne qytetarët. Në dhjetë vjetët e fundit Serbisë do t'ia kemi paguar nja 4 a 5 miliardë euro për mallin e blerë. Dhe në këtë decenie, nuk ia kemi dalë të sigurojmë asnjë kapacitet për t'i zëvendësuar ato produkte me tonat. Kur dëgjon se duhet importuar grurin prej Serbisë, për shkak se Kosova kurrë nuk mbërrin të prodhojë më shumë se 70% të asaj që i nevojitet, dhe që duhet të importojë vajin ushqimor, sepse nuk ka kush ta kultivojë lulediellin përderisa fushat na rrinë djerr apo në to ndërtojmë qendra tregtare -- nuk ke çfarë të thuash tjetër pos që vetë i kemi fajet.

 

Në vendin ku krejt qeveritë i kanë shpenzuar paratë e gatshme për tenderë të shtrenjtë infrastrukture e nuk e kanë çarë kokën për të krijuar vende pune e prodhim pikërisht në fshat (aty ku ka tokë të pëlleshme, porse nuk ka asnjë motiv për të punuar se s'ke shtet që të ofron siguri), s'ke rrugëdalje tjetër pos që paratë e diasporës t'i shpenzosh duke blerë mall të huaj, sepse veten nuk mund ta ngopësh me atë që e prodhon.

 

Dhe ku më lehtë sesa ta blesh prej komshiut të parë që mbase edhe nuk ka ndonjë përfitim të madh ekonomik, porse që nëpërmjet ekonomisë të futet në politikë dhe të manipulon si t'ia ka ënda. E ndalja e importit nga ky shtet nuk është dashur të bëhej me imponimin e taksave administrative -- por është dashur të ishte vendim individual i secilit që të refuzonte të merrte mall nga shteti që sa nuk na shfarosi.

 

Nuk marr vesh shumë ekonomi dhe nuk e di se cilat do të jenë efektet e këtij vendimi po qe se vazhdon të mbetet në fuqi, me gjithë kundërshtimet e Mogherinit, e cila na e tregoi brengën e saj vetëtimthi duke i urdhëruar praktikisht Qeverisë që ta shfuqizojë. Qasja e saj nxiti animozitet të paparë deri tash karshi BE-së, ngase në asnjë rrethanë, madje as kur u pyet për qëndrimin e saj karshi këmbimit të territoreve, nuk pati koment të prerë dhe të qartë. Nuk e pati as për dështimin e EULEX-it, as për liberalizimin, as për ndërhyrjen e vazhdueshme të Serbisë dhe pengesave që i bën Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, edhe pse ka marrë detyrim me marrëveshje të Brukselit..., por pati për taksën, duke dëshmuar standarde të dyfishta karshi raporteve Kosovë-Serbi.

 

Nëse e kanë ndërmend ta mbajnë vendimin në fuqi dhe të mos i dorëzohen trysnisë së të huajve, atëherë listën e masave do të duhej zgjeruar edhe te targat e regjistrimit; edhe te diplomat; edhe te lëvizja e lirë e qytetarëve..., në fund edhe do të duhej të vendosnin në lidhje me rrymën që shqiptarët ua paguajnë serbëve në veri qe sa e sa vjet, edhe pse në kundërshtim me ligjin.

 

Dhe përderisa nuk vendosin se a e mbajnë a e heqin, ky vendim do të vazhdojë të përdoret për motive parazgjedhore, ende pa e ditur a po bie kjo Qeveri ose jo. Tashmë në Prishtinë janë vendosur pankarta bajagi të mëdha, në të cilat thuhet: "Sot jam 100% shtet - faleminderit kryeministër". Nuk befasohem nëse nesër dalin të tjera në të cilat thuhet "Vendimi ishte imi", me fotot e Veselit, Limajt, Hoxhajt, Shalës, e ndoshta edhe Pacollit, duke treguar se kjo Qeveri tashmë është në agoni.

 

Për aq sa të jetë aktuale puna e taksës, do të harrohen të gjitha të tjerat. Do të kalojnë të pavërejtura vendimet gjyqësore si ai në kajden e njërit zëvendësministër që u arrestua për ryshfet prej 25 mijë eurosh e që u lirua pasi u dënua me 5 mijë euro gjobë -- duke ta bërë të qartë se në këtë vend krimi shpaguhet, sepse edhe nëse të zënë, je i sigurt që kusuri të mbetet.

 

* * *

 

Euforia e taksës do të mundë të zgjasë edhe ndonjë ditë, derisa problemi me furnizimin me rrymën do të bëhet aq drastik, saqë ndoshta dikujt do t'i bjerë në mend se duhet protestuar edhe për këtë punë. Në kohën kur po shkruhet ky tekst, gjysma e Prishtinës është mbi 6 orë pa rrymë -- si menjëherë pas luftës, për shkak se KEDS-i thotë se nuk po prodhohet mjaft rrymë.

 

Në kushtet kur kilovati shitet katërfish më shumë sesa rëndom, ta merr mendja se më parë jemi duke eksportuar rrymë sesa që po e importojmë, dhe askush nuk sanksionohet për këtë punë. Kjo, për shkak se qashtu lirë ua falëm turqve distribucionin, saqë tash ata luajnë me ne si t'ua ka ënda. Sepse vetë i kemi fajet, se kemi lejuar që dikush këtu të pasurohet në krah tonin e të marrë madje edhe ndonjë dividendë të fshehur nga kjo mesele.

 

Me këta njerëz që janë duke u ricikluar në pushtet nuk do të mbërrijmë askund. Derisa njëri na fut në telashe me territore, tjetri jep gjithçka për karrigen e kryeministrit, i treti, nga hija prej së cilës plasi me dalë, bllokon punë në emër të popullit, i katërti mendon se politikë e jashtme është të ndërtosh ndërtesa ruse dhe derisa krejt këta së bashku i shfrytëzojnë postet për të kontrolluar edhe centin e fundit që ka ky shtet -- do të jemi këta që jemi. Një shtet hajgare që as veten nuk e marrim seriozisht.

 

Edhe Përfaqësuesja e Kosovës qe hajgare në fillim. Porse u këndell, sepse atë e udhëheq dikush që nuk funksionon me të "njofshëm" dhe që e ka një vizion të qartë se deri ku mund të mbërrijë me kapacitetet që i ka. E të cilat kapacitete në rend të parë e kanë Kosovën, e jo veten. /koha.net

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0