Njeriu si paraqitje
Formë vertikale dhe gjithmonë në betejë me mjedisin ku vepron...
Nga Bujar Plloshtani
Formë vertikale dhe gjithmonë në betejë me mjedisin ku vepron. Përafërsisht një raport mes njeriut si formë dhe atij si paraqitje. Edhe pak diell kur hyn me forcë në trup, ndonëse jo gjithnjë mund të ngrohë njëjtë, shpesh edhe mund të përfytyrohet herë si formë e herë si paraqitje. Ecje vertikale, shoqëruar me siluetë, ndërkohë edhe paraqitja e tillë. Dhe, forma vertikale vazhdon kështu gjithmonë në betejë, në njërën anë me mjedisin, dhe me veten në anën tjetër. Në të shumtën e rasteve ekzistenciale, ai është mjaftueshëm kundërthënës në gjithçka. E hedh shtizën, harku lakohet. Pastaj ndodh që shtiza të mos e godasë qëllimin, dhe harku të mbetet ashtu siç është në gjendjen e mëparshme. Ndoshta të bën ndonjëherë të lumtur dhe të palumtur, pastaj e gjitha mund të vazhdojë në një proces të gjithanshëm, që sa është konstant është po aq edhe jo konstant. Njeriu si formë dhe paraqitje, kjo shprehje mbetet kontrabandë mendore për ta thjeshtësuar.
Në këtë botë pothuaj çdo gjë që duket është si formë e paraqitjes. Edhe subjekti njerëzor, por edhe bota në tërësi mbetet paraqitje, pos hiçit që nuk është as paraqitje as asgjë. Në këtë ekzistencë njeriu është pa përcaktimin dhe vullnetin e tij, dhe kështu duhet pranuar këtë paracaktim për të jetuar sipas vullnetit të lirë. Ndonëse i rrethuar me paqartësi që ngrihen përditë, por atij i duhet të gjendet përtej kësaj dukurie që duket deri diku absurde. Askush, madje as njeriu nuk mund ta mohojë ekzistencën pavarësisht se ku ndodhet, por doemos bëhet subjekt për të jetuar. Një moment gjithnjë vjen dhe realisht çfarë i duhet jeta atij që zgjedhet nga një fat i paracaktuar, edhe pse shpesh mbetet e pa ndryshuar në thelb?! Me siguri se mbetet vetëm një zgjedhje e jashtme, ku kanë fatin të jetojnë edhe të privilegjuar edhe nga ato që do të ndëshkohen një ditë. Një paraqitje ndryshe nga ajo që duket, njeriu për dallim nga njeriu që pothuaj pajtohet ose s’pajtohet me asnjë realitet të botës si paraqitje. Duket si kusht befasues ky yni!
Njeriu si qenie kalon përmes përditshmërisë, që realisht është edhe vetë ai i përditshëm, duke qenë i prirur të sfidojë rrethanshmërinë e botës. Bota si paraqitje në raport me njeriun është transiti që duhet të kalojë te e vërteta, por jo dhe transiti që të kthehet kundër tjetrit, vetëm se bindjet mund të jenë të ndryshme. Kjo botë duket gjithnjë e më shumë se ka një thelb negativ, por zgjedhja e njeriut duhet të jetë përtej këtij thelbi negativ, që duhet të ngjajë me ndryshimin e realitetit drejt të mirës.
Përditshmëria e prek atë, ndërsa ky i detyruar të kalojë. Megjithëse në thelb është kaq relative. Ndryshe, për të janë të rëndësishme edhe liria dhe e drejta për t’u bërë qenie e përsosur. Liria të jep mundësinë ta paraqesësh veten pa u penguar nga askush në shprehjen e mendimit, ndërsa e drejta për t’u bërë qenie e përsosur është një artikulim më sublim për të vendosur një catharsis të shpirtit, me qëllimin për t’u pastruar nga substancat e dëmshme. Edhe pse kaq utopike kjo qenia e përsosur, është akti më i lartë që i duhet të rend për ta bërë qenien e tij më ens realissimum.
Ekzistenca për të cilën duhet të kalojmë paraqitet si një topth ku bindjet ndeshen pa përfunduar asnjëherë. Çdo veprim i arsyeshëm dhe i paarsyeshëm përmban elementin e përgjegjësisë, ndërkaq, të qenit i përgjegjshëm lidhet me determinimin që po dikton ekzistenca. Kushti i vetëm mbetet ende në fuqi se si njeriu duhet të bëhet ai që është, pra qenia më njerëzore humane. Edhe pse është një rrugëtim i gjatë, por jo edhe i pamundshëm, prapëseprapë duhet të bëjë zgjedhjen sipas aftësive të tij për ta bërë veten më reale njëkohësisht.
Njeriu si paraqitje ekzistenciale është përtej një realiteti, që preokupohet për t’ia dalë kësaj rrethanshmërie, ku brenda ka të keqen dhe të mirën, si dy kategori që e bëjnë atë të jetë përgjegjës. Nuk ka udhë të ndërmjetme për të. Motivi më esencial i ekzistencës mbetet preokupim jeta e përditshme e individit dhe e njeriut që angazhohet. Ai është sfidë ekzistenciale, që para së gjithash vepron, ndien dhe jeton. Ky mbetet kushti më befasues dhe më thelbësor ekzistencial. Jean-Paul Sartre në librin e tij «Ekzistencializmi është humanizëm» trajtoi njeriun dhe ekzistencën e tij. Sartre shkruante: «Nëse ekzistenca vërtet i paraprin esencës, atëherë njeriu është i përgjegjshëm për atë çka ai është.»
Së këndejmi, në fillim lind «subjekti njerëzor» dhe pastaj vijon procesi i njohjes së vetes, pra të ripërtëritjes së qenies njerëzore. Ai edhe si i tillë ndodhet përballë ekzistencës që duhet t’i paraprijë esencës, që ndryshe mund të kuptohet si njohje, pra të kuptosh veten duke zotëruar lirinë dhe në të njëjtën kohë duke mbartur elementin e përgjegjësisë. Larg njohjes për vetveten është pika që e kthen në fundosje atë, individi si pikë fillestare e ka subjektivitetin e tij dhe elementin e përgjegjësisë. Asnjë arratisje nuk e shmang elementin e përgjegjësisë, ndryshe të pasojës, pasi njeriu dhe ekzistenca e tij mbeten paraqitje për të jetuar dhe ndoshta kthimi për te vetvetja. Njeriu është ai që mund ta definojë veten e tij, pasi të ketë kuptuar që ekziston. Me siguri ai është i vetëdijshëm se aftësitë e tij varen nga vetë ai dhe se në bazë të këtyre aftësive ai mund të veprojë. Qenësisht s’është asgjë jashtë veprimeve të tij, por brenda determinimit që ka përzgjedhur vetë ai.
Comments (0 posted)
Post your comment