Një " Po " e madhe për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni
Kur shumica e një populli me vendosmëri u thotë "PO" kërkesave të tij të ligjshme...
Kur shumica e një populli me vendosmëri u thotë "PO" kërkesave të tij të ligjshme, me të cilat nuk dëmtohet interesi i askujt tjetër, kjo "PO" është e madhe dhe përfundimtare.
Të drejtat e shqiptarëve për barazi në Maqedoni, statusi juridik-kushtetues i popullit shqiptar shtetformues dhe statusi i gjuhës shqipe zyrtare, jo si gjuhë që e flasin 20% e qytetarëve, nuk do të varen nga pushteti, as nga pazaret e partive dhe klanet politike të korruptuara dhe kriminale në vend, por kryesisht nga vullneti i shumicës së qytetarëve shqiptarë në Maqedoni.
Nga momenti kur shumica e qytetarëve shqiptarëve në Maqedoni do të jenë të një mendimi dhe të vendosur për realizimin e këtyre kërkesave të ligjshme, të shkeluara dhe mohuara nga regjimet e mëparshme jodemokratike, diktatoriale dhe raciste, këto kërkesa mund të konsiderohen se janë realizuar.
Përballë këtij vullneti dhe kësaj vendosmërie, pushteti aktual dhe çfarëdo faktori tjetër i brendshëm dhe i jashtë janë tepër të pafuqishëm që të mos i implementojnë ato me ndryshimet kushtetuese aktuale.
Këtë vendosmëri qytetarët shqiptarët duhet ta shprehin hapur dhe guximshëm, pavarësisht nga orientimi i tyre partiak dhe çfarëdo bindje dhe interesi individual.
Përfshirja e këtyre kërkesave në ndryshimet kushtetuese aktuale do të jetë tepër formale përballë vullnetit të popullit shqiptar për barazi të plotë në Maqedonisë, në interes të paqes dhe stabilitetit në vend, të sigurisë ndërkombëtare dhe të ardhmes evropiane të shtetit të tyre të Maqedonisë!
(12.XII.2018)
Pa Respektimin e barazisë mes popujve shumicë, politika aktuale e rrezikon ardhmërinë e shtetit të Maqedonisë
Përballë të vërtetës historike për Maqedoninë, të shkelur, falsifikuar dhe mohuar për dekada me radhë nga shtetet fqinje të saj me fajin edhe të një pjese të faktorit ndërkombëtar;
- përballë faktit për tendencat e vazhdueshme të shteteve fqinje për ndarjen dhe ciptimin, pushtimin dhe sundimin e rajonit gjeografik të Maqedonisë;
- përballë të vërtetës se mbi një pjesë, 37% të territorit të njohur historikisht me këtë emër, u krijua shtet i ri me këtë emër, më 1944, në të cilin pjesa dërmuese e popullsisë historikisht ka qenë e banuar me shqiptarë autoktonë;
- përballë të vërtetës për terrorin e vazhdueshëm shtetëror nga ish regjimi komunist, gjenocidin, shpërnguljen me dhunë dhe tkurrjen etnike të shqiptarëve vendës në Maqedoni;
- duke pasur parasysh rrjedhat politike ektuale pas Marrëveshjes për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim mes Maqedonisë me Bullgarinë dhe të Marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit të këtij shteti,
IMPONOHET nevoja për mbrojtjen pa kusht të identitetit dhe qenies kombëtare të popullit shqiptar në Maqedoni, të cilat duhet të garantohet me ndryshimet e reja kushtetuese, me këtë edhe të mbrohet Maqedonia si shtet i pavarur dhe sovran, shtet demokratik në të cilin fatori shqiptar brenda tij përbën domosdoshmëri historike, në interes të paqes dhe stabilitetit në vend, të sigurisë ndërkombëtare, të forcimit të bashkëjetesës mes popujve, bashkësive etnike dhe qytetarëve me përkatësi të ndryshme etnike, fetare dhe gjuhësore; për të ardhmen evropiane të këtij shteti të përbashkët, në të cilin populli shqiptar autokton duhet të jetë shtetformues dhe gjuha shqipe zyrtare.
Të gjithë faktorët politik të përgjegjshëm për ardhmërinë e këtij shteti, për përparimin dhe afirmimin e vlerave të qytetërimit bashkëkohor, por edhe mercenarët e brendshëm dhe misionarët e jashtëm, duhet ta kenë të qartë se kjo çështje nuk ka ALTERNATIVË tjetër!
Askush që e don Maqedoninë si atdhe të tij dhe të ardhmen evropiane të saj, nuk mund ta sheh këtë shtet si pronë të veten, pronë të një partie apo të etnisë që i takon, përderisa ky shtet është krijuar mbi këtë realitet specifik dhe në rrethana të veçanta historike, mbi të calat mund të mbijetojë edhe në të ardhmen.
(11.XII.2018)
Comments (0 posted)
Post your comment