Në hijen e ushtrisë
Me brumin politik që e kemi nuk do të mbërrijmë larg. Dhe sa më shumë që të zvarriten proceset...
Flaka Surroi
Ajo që dihet me siguri është se punët nuk po na ecin mirë, dhe se ky vend ka nevojë për zgjidhje që do t'i sjellin stabilitet ekonomik e politik. Me brumin politik që e kemi nuk do të mbërrijmë larg. Dhe sa më shumë që të zvarriten proceset, aq më vështirë do të jetë. E këto procese, sërish, janë në duart e të huajve.
Ushtria u votua më në fund. Kaluan tri ligje për Forcat e Armatosura të Kosovës në një ngjarje të paprecedentë të Kuvendit, ku madje 107 deputetë shqiptarë u mblodhën në seancë dhe që të gjithë votuan "për". Nuk pati as fjalime, as përlarje, as sharje, as shtyrje. Më në fund u mblodhën të gjithë rreth një vlere të përbashkët dhe e shtynë përpara.
Dhe pavarësisht kritikave që vinin prej andej e këndej, tashmë të përkrahur nga SHBA-ja, Britania dhe Gjermania, nuk kishte më asnjë arsye që kjo çështje të shtyhej.
Por tash duhet nisur forcimin dhe transformimin e gjatë një dekadë, që do të tregohet i suksesshëm vetëm nëse në FAK nuk do të zbatohet parimi i nepotizmit dhe klientelizmit. Nëse ruhet pavarësia e këtij institucioni, ky do të jetë suksesi më i madh që do të ketë shënuar Kosova e pavarur.
Patetika serbe
Dhe përderisa tashmë ishte e sigurt se ushtria do të votohej, nga fqinji verior nisi të rritet trysnia me përhapjen e propagandës antikosovare në regjinë e atij që dikur e kishte urdhëruar mbylljen e "KOHËS Ditore" me dekret, më 20 mars 1999: Aleksandar Vuçiq. Atëbotë ky kishte qenë ministër i informimit i Millosheviqit, që kishte ardhur në këtë pozitë pasi që si deputet në Kuvendin e Serbisë në korrik të 1995-s kishte deklaruar: "...bombardoni, vrajeni një serb, ne do t'i vrasim 100 myslimanë". Më 11 gusht ndodhi Srebrenica dhe u vranë 8373 burra e djem -- që të gjithë myslimanë. Dhe askush nuk e mori këtë njeri në përgjegjësi. As atëherë, as këtë herë. Përkundrazi, tash e kanë marrë afër vetes në Evropë dhe e paraqesin si personin paqedashës e paqebërës.
Mbase Evropa nuk do që ta kuptojë se kush në të vërtetë janë Vuçiqi, e as Daçiqi, i ashtuquajturi Slloba i vogël. Porse Evropa duhet ta dijë se ne nuk mund t'i harrojmë krejt të këqijat që na i kanë bërë para njëzet e sa vjetësh, e as krejt dëmin që po na e shkaktojnë në këtë proces të imponuar negociatash që nuk kanë as kokë, as këmbë.
Në kohën kur Vuçiqi paraqitet si "gud gaj" -- e të tillë e sheh edhe Thaçi, i cili për ta shpëtuar veten është në gjendje të falë edhe atë që nuk është e tija, Evropa reagon negativisht ndaj gjithë secilës gjë që vjen nga Kosova. Vazhdon përsëritja e vazhdueshme e kërkesës që taksa prej 100 për qind të hiqet, për shkak se "taksa e ka dëmtuar dialogun", siç e thotë Mogherini.
E duke e shfrytëzuar këtë disponim jo fort simpatik ndaj kosovarëve, nga Beogradi na u lajmërua eksponentja e re e politikës së Millosheviqit, trashëgimtarët e të cilit vazhdojnë me ritmin e tij diktatorial. Kryeministrja Bërnabiq, në stilin më të përkryer patetik të paraqitjes para opinionit deklaroi se "serbët në Kosovë ishin në zgrip të katastrofës humanitare" (për shkak të taksës). Do të pranoj se aq shumë më irritoi toni i deklaratës sa nuk m'u deshën më shumë se tri minuta për ta shkruar një reagim në FB, të cilin do ta vendos edhe këtu, që të mbetet e regjistruar në kolanën e zgafellave:
Po bën hajgare!
Katastrofë humanitare? Ti nuk e di çka është katastrofa humanitare, e meqë nuk e di, qe po të tregoj:
Katastrofë humanitare është kur i qet prej punës 150 mijë njerëz dhe i lë pa të hyra nja 900 mijë njerëz;
Kur shkollat rrinë mbyllur, e fëmijët shkojnë nëpër shtëpi/shkolla e arsimtarët nuk paguhen 9 muaj;
Kur i mbyll spitalet e ua mohon trajtimin shqiptarëve në baza etnike;
Kur i qet prej banesave me qindra familje;
Kur i sulmon me qindra fshatra, e popullata mbetet e ngujuar në mal, pa asnjë mjet themelor jetese;
Kur i dëbon 400 mijë njerëz prej shtëpive të tyre për më pak se tre muaj, e që strehohen ku të mbërrijnë, pa ujë e mjete higjienike;
Kur i dëbon afër 1 milion njerëz e i lë në lloçin e Bllacës, a kodrat e Jazhincës apo të Kukësit;
Kur i shkatërron 100 mijë shtëpi dhe plaçkit krejt çka të mundesh, dhe i lë njerëzit pa asnjë send;
Patetikën në gjak e keni. S'pi ujë më, sepse jeni rrenca. E këtë vetë e pranoni, bile mburreni me këtë fakt!
E kësaj kam mundur t'ia shtoj edhe një mori gjërash të tjera, por do ta përfundoj duke thënë se edhe formimin e Ushtrisë së Kosovës do ta përjetojnë si katastrofën e re humanitare. Për shkak se ende na shikojnë si copë të veten dhe ende mendojnë se mund të na shkelin ashtu siç kanë bërë në të kaluarën. Dhe përderisa nga Evropa të vijnë deklarata, të cilat i kemi dëgjuar në javët e fundit, do të vazhdojnë të besojnë se kanë të drejtë. Duke mos dashur të kuptonin se realiteti në Kosovë është tjetër, e që ne moti iu kemi treguar se nuk duam të kemi lidhje me Serbinë, e aq më pak t'i nënshtrohemi asaj.
Ariu u zgjua
E një pjesë e realitetit tonë është se vetë e kemi votuar një Gjykatë Speciale për shkak se nuk kemi dashur ta formonim një gjykatë tonën që do të merrej me krime lufte. E kushdo që thotë se cilado luftë ka qenë e pastër, gënjen -- ngase lufta është e fëlliqur, dhe në të ndodhin shumë gjëra të këqija. E në luftë bëhen krime, që nuk është njësoj si vrasje në vetëmbrojtje.
Po të kishim pasur mend e guxim, deri tash ishin harruar këto punë. Por ja që, duke qenë sui generis, ne duhet të merremi me punë të krimeve të pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, njëzet vjet më vonë, në kushtet kur vetëm një grusht kriminelësh serbë janë dënuar për masakrimin e civilëve shqiptarë në Hagë dhe ndonjë paramilitari në Beograd.
Specialja u zgjua nga gjumi në të cilin ra pas hetimeve trevjeçare të Prokurorisë Speciale. Kosova bëri një vit derisa e themeloi Gjykatën Speciale dhe më pas u ndërruan tre prokurorë që e bënë një gjumë trevjeçar deri kur para disa ditësh dolën ftesat e para.
Me një manovër me gjasë interesante, për të shikuar reagimin e popullatës ndaj tyre, nisën me një komandant, shkuan më pas te disa oficerë të rangjeve më të ulëta, për t'u kthyer sërish edhe te një komandant.
Disa njerëz tashmë kanë dalë për të treguar se janë marrë në pyetje në Kosovë, dhe janë kryesisht tri zona të cilat janë përfshirë: Llapi, Pashtriku dhe pak Drenica. Porse ajo që dihet është se disa nga të ftuarit -- që në parim mund të jenë në cilësinë e të dyshuarit apo të dëshmitarit, do të dalin në Gjykatën e Hagës më 14 janar 2019.
Se numri i atyre që do të ftohen eventualisht mund të jetë shumë më i madh (e nëse duhet mbështetur mbi Raportin Marty që e nisi gjithë këtë punë, atëherë nuk ka se si të shmangen Thaçi e Veseli së paku), dhe se frika nga kjo gjykatë është megjithatë e madhe e dëshmon fakti i përpjekjes nga viti i shkuar kur Kuvendi deshi ta zhbënte Specialen me shfuqizimin e ligjit.
Hermetizmi i gjykatës nuk na tregon shumëçka -- nuk na jep as indice nëse kjo do të veprojë sipas asaj që ka gjetur në terren, apo nëse edhe kjo do të jetë një farsë gjyqësore siç kanë qenë edhe krejt përpjekjet e Evropës për të sjellë sundim ligji e një sistem funksional gjyqësor në Kosovë. Atë që e kanë bërë në kohën sa na kanë mbajtur "nën protektorat" është një sistem i dështuar me njerëz të komprometuar që nuk mundësojnë që ky vend të ketë drejtësi.
Në pritje të lëvizjes së ardhshme
E tash, krejt janë në pritje për të kuptuar nëse Specialja do të merret edhe me Hashim Thaçin, fajtorin kryesor se pse kjo Gjykatë edhe është themeluar. Po qe se do të ndodhte një gjë e tillë, dhe po qe se ky do të paraburgosej deri në fund të gjykimit, mund të ishte interesante situata juridike që do të krijohej me këtë rast.
Kushtetuta e Kosovës thotë se nëse kryetari është përkohësisht i paaftë për ta ushtruar detyrën, vullnetarisht mund t'ia bartë këtë përgjegjësi kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Ky, nga ana tjetër, mund ta ushtrojë këtë detyrë më së shumti gjashtë muaj. Kjo do të mundë të thoshte se në formë alternative Kosova do të kishte kryetar dhe ushtrues detyre kryetari çdo gjashtë muaj, së paku derisa t'i përfundojë mandati Thaçit, më 2021. Pra, që Thaçi, nga paraburgimi eventual të merrte leje për t'u kthyer e për ta ushtruar detyrën. Natyrisht kjo me kusht që Gjykata nuk do të urdhëronte ndalimin e ushtrimit të një posti politik.
Natyrisht, në kushte normale, po qe se shefi i shtetit do të akuzohej për krime lufte, do të ishte e logjikshme të pritej edhe dorëheqja e tij. Por, duke e ditur se Thaçi nuk është ithtar i lëshimit të pushtetit nga dora, e sidomos duke e ditur se nuk mund të shkarkohet derisa të mos ketë aktgjykim të formës së prerë (siç e thotë Kushtetuta), hiç nuk do të ishin larg mendsh përpjekjet e tij për të nxjerrë diçka nga Kushtetuesja, për t'ia zgjatur vetes jetën në atë post.
* * *
Ajo që supozohet në këto ditët e fundit të këtij viti të hallakatur është se me gjithë gjasë nuk do të ketë ndonjë rund të ri bisedimesh. Për shkak se Serbia tash e luan rolin e viktimës, kurse "bad gajs" janë kosovarët që nuk e heqin taksën dhe e themelojnë ushtrinë, e cila, megjithatë, pati përkrahje të pjesshme të NATO-s dhe të BE-së -- së paku të disa nga shtetet e fuqishme anëtare të të dyja organizmave.
Ajo që supozohet është se edhe shumëçka do të varet nga veprimi i Speciales dhe nëse ajo do t'i ftojë disa nga personalitetet me fuqi bllokuese politike në Kosovë. Do të varet edhe nga serioziteti i Qeverisë për ta marrë mbi vete barrën e negociatave. Krejt pak informata kanë rrjedhur për një dokument të madh që Haradinaj ua dorëzoi ambasadorëve pardje e që mbase e përmban një propozim për negociata që nuk kanë lidhje me improvizimet që i ka bërë Thaçi në këta dy vjetët e shkuar.
Ajo që dihet me siguri është se punët nuk po na ecin mirë, dhe se ky vend ka nevojë për zgjidhje që do t'i sjellin stabilitet ekonomik e politik. Me brumin politik që e kemi, nuk do të mbërrijmë larg. Dhe sa më shumë që të zvarriten proceset, aq më vështirë do të jetë. E këto procese, sërish, janë në duart e të huajve.
Comments (0 posted)
Post your comment