Të shkruarit e fjalimeve politike
Sot, politikanët, ushtarakët apo edhe udhëheqësit e institucioneve të rëndësishme nuk i shkruajnë vet fjalimet që këta i lexojnë. Kjo është një praktikë që ka dobësitë dhe përparësitë e veta.
Gëzim Mekuli
Gjuha, fjala e shkruar, si kurrë njëherë më parë, është shndërruar në një mjet të fuqishëm për të ndikuar e drejtuar proceset politike. Ca do të thonë se kjo nuk është asgjë e re. Kjo punë dihet! Por, si as dhe njëherë më parë gjuha, teksti dhe fotografia nuk kanë pasur mjetin dhe mundësinë për të depërtuar edhe atje ku më pare as që mund të ëndërrohej. Duke parë këtë përparësi shumëdimensionale shumë aktor politik shfrytëzojnë gjuhën, pra fjalimet, për të “ndryshuar” dhe zbukuruar realitetin e botës që na rrethon.
Sot, politikanët, ushtarakët apo edhe udhëheqësit e institucioneve të rëndësishme nuk i shkruajnë vet fjalimet që këta i lexojnë. Kjo është një praktikë që ka dobësitë dhe përparësitë e veta.
Shohim se fjalimet politike të kryeministrit kohëve të fundit janë më të dobëta nga aspekti gjuhësor e retorik; fjalimet janë të mbushura me fjalë zbukuruese, klishe, fjali të zbrazëta, pa përmbajtje logjike dhe, me plot patos.
Qeverisë “i mungon” një shkrues “i mirë” i fjalimeve. E dimë se kryeministri është i ndihmuar nga të tjerët për të shkruar fjalimet e tij. Por ky nuk është i vetëm. Qeveria norvegjeze ka më shume se 120 këshilltarë dhe shumë nga këta ndihmojnë në të shkruarit e fjalimeve.
Sot, më i njohur është të shkruarit e fjalimeve në SHBA. Mund të themi se fjalimet politike të Barak Obamës janë fjalimet politike më të mira në botë. Është Jon Favreau ai cili i ndihmon Obamës të shprehë mendimet e tij në mënyrën me bindëse. Në hapësirën intelektuale Favreau konsiderohet gati edhe si një idol; djaloshi 28 vjeçar i cili edhe në kafiteri ka aftësi të formulojë fjalët të cilat ndikojnë në tërë botën.
Por, deri në 1933 nuk ishte kështu. Roosevelt ulur pranë oxhakut shkroi fjalinë e parë që do ta thoshte para popullit amerikan; është kjo fjalia e njohur e tije: ”The only thing we have to fear is fear itself”. (E vetmja gjë që ne duhet frikuar është vet frika)
Politikanët e fshehin se janë të tjerët, ata që i formësojnë fjalët e tyre
Manuskripti i Roosevelt i shkruar me dorën e tije sot gjendet në muzeun e Rooseveltit. Këtu mund të shihen përmirësimet gjuhësore dhe fshirja e fjalëve. Bile bile këtu gjendet edhe dokumenti me nënshkrimin i tij që vërteton se ky është manuskripti i tij origjinal i fjalimit që u mbajt në Capitol. Por këtu është “vetëm një problem”: Roosevelt nuk e shkroi vet këtë fjalim. Ai nuk “e gjeti” fjalinë dhe thënien e famshme ” E vetmja gjë që ne duhet frikësuar është vet frika”. Fjalimi është formësuar nga Raymond Morley, ndërsa citati vjen nga shoku dhe këshilltari Louis Howe. Presidenti i ardhshëm i ShBA, Roosevelt, shkroi me dorë e me kujdes fjalë për fjalë fjalimin e shkruar nga të tjerët, me qellim që askush të mos dyshonte se ai kishte fjalimshkruesit e tij.
Çfarë mund të mendojmë rreth kësaj? Nëse Roosevelti vet nuk i ka menduar fjalët, atëherë a janë këto fjalët e tij? Mendimet e tij? Politikat e tij? Këto pyetje nuk vlejnë vetëm për presidentet amerikan. Që nga Sokrati e deri sot tek shqiptaret fjalëmbajtesit kanë pasur ndihmë në të shkruarit e fjalimeve dhe formulimin e mendimeve.
Kur kryeministri i Kosovës mbajti fjalimin e tij për pavarësinë e Kosovës, kur presidenti i Kosovës mbajti fjalimin për zgjedhjet e lira, kur lideri i partisë së AAK-së mbajti fjalimin për ardhjen e presidentit Klinton në Prishtinë, atëherë vlen e njëjta gjë, si ajo tek fjalimi i Rooseveltit: Edhe këta nuk i formësuan fjalimet e veta.
Politikanët parapëlqejnë që të mbajnë në fshehtësi se, ata nuk formulojnë vet fjalët e veta. Dhe, ata që i shkruajnë fjalimet heshtin rreth asaj se çfarë bëjnë. Në sistemin politik ndoshta askush nuk punësohet si fjalimshkures; ata punësohen si sekrater/e ose këshilltar/e, ndonjëherë edhe si bashkëpunëtorë për marrëdhënie me publikun.
Pse kemi fjalimshkrues?
Më e mira prej të mirave do të ishte që politikanët të shkruanin vet fjalitë e tyre. Pike së pari politikanet mbajnë shumë më shumë fjalime, se sa ata kanë mundësi të arrijnë e ti shkruajnë këto. Për krye-ministrat tanë nuk është e pazakonshme që të mbajnë edhe deri 20 fjalime brenda një muaji. E pabesueshme!?
Fjalimeve u mungojnë origjinaliteti dhe qartësia
Kryeministri duhet të sigurohet që të mos thotë diçka të papërshtatshme; pra fjalimi duhet të jetë politikisht ”i përshtatshëm”. Gjithsesi ky duhet të ketë kujdes që të mos thotë diçka jokompetente apo diçka që mund të ketë “pasoja” juridike – politike. Keni vu re se si fjalimshkruesit i kanë shtuar, kohëve të fundit, fjalimeve të kryeministrit edhe fjalën ”Kosova multietnike”? Apo edhe tjetra: Dëgjoni e numëroni me kujdes sa sa herë kryeministri përdor fjalën ”kombi shqiptar” dhe/apo fjalën ”shqiptarët”. Në të gjitha fjalimet e shkruara nga fjalimshkruesit, fjala ”shqiptar” dhe fjala ”flamuri kombëtar” është, thuaja, shkrirë në ”Kosovar” dhe ”flamuri i Kosovës”. A nuk na kujtojnë këto fjalime politikat e Josip Broz Titos?
Fjalimshkruesit, pra mendimperpunuesit, duhet me një kujdes kirurgjik të sigurojnë kryeministrin që të mbetet brenda kornizave që i parashtron agjenda politike e UNMIK-ut dhe/apo EULEX-it.
Si pasojë e kësaj, fjalimet e tilla nuk janë të ”bindshme” dhe ”të gjalla.” Arsyeja është se nga qarqet politike vjen porosia e cila urdhëron se, kush do te mbaj fjalimin dhe, në cilin vend duhet të mbahet fjalimi. Porosia vjen edhe me detyra tjera, ku ndër tjera, theksohet se ç’farë duhet të theksohet në fjalim, e ç’farë nuk lejohet të mos ceket fare.
Fitohet përshtypja se fjalimet e shkruara nga të tjerët u ofrohen politikanëve tanë pak kohë para se të bëhet porosia e kamerave televizive. E them këtë sepse gjuha e përdorur në këto fjalime është gjuhë e zbrazët, është një fjalor thuaja romantik e me premtime shumë. Tjetra; gjuha e trupit dhe zëri nuk përputhën fare me tekstin që lexohet. Është një kopjim joprofesional i retorikës së shkruar nga “të tjerët.” Fjalimet e kryeministrit e të presidentit të Kosovës janë edhe fjalime, që nisur nga rrafshi social, kulturor e etnologjik nuk përputhen fare me zhvillimet historike të kombit shqiptarë.
Sa më e madhe rëndësia e një ndodhie politike, aq më shume ka ndërmjetësime të fjalimshkruesve. Këta flasin tek shqiptaret me kode te panjohura për kulturën dhe traditën e tyre. Aq shumë dëshirohet të manipulohet me fjalën dhe gjuhën, sa që krijon idenë se je duke dëgjuar fjalimet e Enver Hoxhës e Hrushqovit; Nënvizohet se ”qytetarët” janë të barabartë (vë re se si fjala popull nuk ceket në fjalimet e politikave tanë, kjo fjalë sot është zëvendësuar me fjalën “qytetar”). Në fjalimet e tyre thuhet se Kosova ka të arritura të mëdha politike e ekonomike, shumetheksohet se demokracia ka depërtuar ne te gjitha poret e shoqërisë, propagandohet e provohet qe Kosova të paraqitet si shoqëri me pak probleme ekonomike, e me pak defekte politike; ndoshta më e mire se edhe shoqëria norvegjeze. E kësaj i thonë manipulim dhe propagandë.
Procesi i shkrimit te fjalimeve nga te tjerët shtrembëron porosinë, atmosferën dhe deformon te vërtetën. Fjalimeve të tilla u mungojnë qartësia; u mungon ”brumi shqip”. Një dukuri shqetësuese në fjalimet e politikanëve tanë është se këta flasin në vetën e parë “UNË”: “Unë kam bërë”, “Unë intervenova qe të dhurohen 1 milion euro”, “Politikat e mia”, “Unë do ta zgjedhë problemin e Kosovës”, etj. Këta nuk përdorin shumësin “NE”. Përmes kësaj krijohet bindja se populli tanimë nuk ka nevojë të jetë i gjallë në proceset politike, sepse tanimë është një politikan që i zgjedhë të gjitha problemet. Këto fjalime duan që popullin ta largojnë e ta izolojnë nga proceset politike. A nuk na kujton kjo fjalimet e Stalinit?
Është edhe tjetra; përmes fjalimeve të tilla karakteri i fjalimmbajtesit është i paqartë dhe i pabesueshëm për popullin. Sepse, ai apo ajo që shkruan për tjetrin është shpesh më i kujdesshëm dhe më diskret. Dhe, është e vështire qe ta qëllosh saktësisht stilin gjuhësor të një personi tjetër. Aq më tepër rreziku shtohet kur në tekst ngatërrohen shumë fjalimshkrues, sepse kështu ”lindë” një fjalim jo nga një person me një personalitet e karakter, por nga një ekip, të cilëve nuk u shihen as edhe fytyrat.
Rreziku serioz që paraqitet duke ndarë fjalimshkruesin nga fjalëmbajtesi, është se në këtë mënyrë bëhet ndarja e fjalimit dhe mendimit. Warren Harding, i cili ishte presidenti i 29 i ShBA, pasi qe pat lexuar një paragraf nga një fjalim që ai e kishte mbajtur, tha këtë,: ” Unë kurrë se kam pare këtë me parë. Unë se kam shkruar këtë fjalim dhe nuk besoj ne atë qe unë sapo e lexova”.
17 shkurti, dita “e pavarësisë” është afër. Fjalime patjetër se do te kemi. Por, diçka të tillë që e tha Warren Harding, ne nuk do të dëgjojmë nga kryeministri e presidenti ynë. Por kjo nuk do të thotë se këta të dy e kanë shkruar vet fjalimin e tyre.
Sigurisht se Jo.
Comments (0 posted)
Post your comment