Home | Opinion | Rruga që na doli rreth

Rruga që na doli rreth

image
Caku i vetëm është mjegulla politike.

 

Nga Enver Robelli

 

 Në vitin 2019 Kosova politike po hyn pa cak programatik mbi të ardhmen e saj. Caku i vetëm është mjegulla politike. Mjegullën politike e ka prodhuar presidenti i Serbisë dhe ia ka shitur presidentit të Kosovës. Në vallen e mjegullës tani janë përfshirë edhe disa politikanë të pushtetit dhe të tjerë që e kanë zbuluar lezetin që t’i shërbejnë regjimit të korruptuar dhe krimit të organizuar në 100 metrat e fundit para se të zhduken nga skena politike. 24 marsi 2019, njëzetvjetori i fillimit të çlirimit të Kosovës nga NATO-ja, mund të jetë datë reflektimi për shoqërinë e Kosovës: të vazhdojë ecjen nëpër mjegull apo të shkundë të keqen dhe punët e shtetit t’ia besojë një klase tjetër politike? Përvoja 20-vjeçare me politikën në Kosovë nuk lejon përfundime optimiste. Lehtë mund të ndodhë që edhe në dhjetor të vitit 2019 shoqëria kosovare të “argëtohet” me fotografi nga darkat e drekat e “komandantëve” apo me premtimin e një hokatari politik se do ta sjellë një këngëtare kolumbiane për ta bashkuar Mitrovicën

 

I.

 

Në njërën prej poezive të tij poeti kroat Tin Ujeviq shkruan: “U nismën rrugës. Rruga qe e gjatë. / Vonë e vërejtëm se ajo rrugë ishte rreth”. Më 1999 kosovarët, falë intervenimit të botës demokratike perëndimore kundër regjimit serb, nisën udhëtimin e tyre në liri. Në vitin 2019 do të bëhen 20 vjet nga ndërhyrja e NATO-s. Dhe nëse mund të përmblidhet me një fjali ajo çfarë kosovarët kanë konstatuar në dy dekadat e fundit, atëherë ajo fjali mund të tingëllojë kështu: rruga në të cilën ata u nisën më 1999 ishte e gjatë. Dhe u deshën shumë vjet për të kuptuar se ajo rrugë qe një rreth, një qark, në të cilin një popull po sillet pa pasur fuqinë të shkundë nga supet të keqen, pa arritur të mandatojë me pushtet politik njerëz të ndershëm, të tillë që politikën e shohin si shërbim ndaj shoqërisë për një kohë të caktuar.

 

II.

 

Para një viti në Parlamentin e Kosovës u bënë bashkë të gjithë “komandantët” për të rrëzuar Gjykatën Speciale. Siç e kanë penguar drejtësinë për dy dekada, siç ua kanë mbyllur gojën viktimave, siç i kanë blerë viktimat me dekorata, poste e favore - tani “komandantët” po provonin edhe një goditje finale ndaj Gjykatës Speciale. Si atëherë edhe sot vlen: Nuk ka asgjë patriotike në heshtjen e krimeve. Nuk ka asgjë patriotike në injorimin e viktimave. Nuk ka asgjë patriotike në ndërtimin e narrativit se disa civilë janë vrarë “për interesa të larta”, “disa rivalë për shkak se ishin rivalë” etj. Edhe më i poshtër është qëndrimi se “ata që na e sollën lirinë, edhe nëse kanë kryer ndonjë krim, prapë janë të pafajshëm”. Kështu mund të mendojnë cinikët pa asnjë ndjeshmëri për viktimat. Ky mentalitet tribal e solli Gjykatën Speciale. Sepse të pushtetshmit mendonin se shoqëria e frikësuar kosovare tashmë ka nënshkruar obligimin për të heshtur, një lloj omerte si në Italinë Jugore.

 

III.

 

Po aq tribal sa qëndrimi ndaj drejtësisë është edhe debati për flamurin e Kosovës. Në prag të 10-vjetorit të shënimit të mëvetësisë së Kosovës, ky debat shpërtheu sërish në stilin: Kush e ka më të mirë flamurin? Ata apo ne? Kush janë ata dhe kush jemi ne? A mund të ketë konkurrencë me simbole kombëtare e shtetërore brenda një kombi, i cili për shkak të rrethanave historike sot mund të konsiderohet komb me dy shoqëri dhe dy shtete? Në viset tona çdo gjë është e mundshme, sidomos debatet e zjarrta për çështje identiteti e flamuri. Ka të tillë që mendojnë se Kosova nuk duhet të ketë flamur. Nga këtu nuk është larg pyetja: çka na duhet shteti? Ç’na duhet, kur mund të jetojmë me ëndrrën e madhe të “bashkimit kombëtar”. Rrjedhimisht, tendenca që çdo simbol i Kosovës të shihet si diçka e huaj është e rrezikshme. Ashtu siç politizohen edhe gjërat më banale të jetës së përditshme, ashtu politizohet edhe çështja e flamurit. E ka apo nuk e ka vendin “Te rrethi” flamuri kombëtar apo ai i Kosovës?

 

Debati për flamuj është simptomë e krizës së përgjithshme që ka përfshirë Kosovën prej vitesh. Ditët shkojnë e vijnë të mbizotëruara nga polemikat dhe polarizimet në Parlament dhe jashtë tij, në studio televizive dhe forume virtuale – mbi flamurin. Shoqëritë e tjera flasin për arritje të prekshme, ndër ne zhvillohen kacafytje për flamuj. Ndërkohë pacientët mund të vdesin nëpër spitale që duken si të qëlluara me bomba, të papunët mund të presin në trotuar nëse vjen ndokush t’i marrë për të ngarkuar a shkarkuar ndonjë mall, pastaj afera e korrupsionit ndjek tjetrën dhe sundimtarët tanë bëjnë qejfe me paratë e qytetarëve nga kryeqyteti në kryeqytet, nga hoteli në hotel – prej Zvicrës në Amerikë. Këto probleme dhe këto plagë nuk mund të mbulohen, as të shërohen me gëzof flamujsh.

 

IV.

 

Ndërsa shoqëria kosovare “argëtohet” me shumëllojshmërinë e skandaleve dhe merret me enigmën nëse në ndejat e bajraktarëve politikë është shtënë tamam me allti apo me allti me gaz (apo me ujë?), bota – jo vetëm ajo perëndimore – ecën përpara. Së fundi gazeta britanike “Financial Times” shkruante mbi mundësinë fantastike që nga Tashkenti, kryeqyteti i Uzbekistanit, mund të mbërrish në Samarkand për vetëm dy orë – falë linjës së re hekurudhore. Distanca mes Tashkentit dhe Samarkandit është 344 kilometra. Distanca mes Prishtinës dhe Tiranës (sipas viamichelin) është 258 kilometra, pra dukshëm më pak se mes Tashkentit dhe Samarkandit. Emri Samarkand të bart në sfera gati metafizike. Qytet në Rrugën e Mëndafshit, qytet të cilit ia kushtoi një roman shkrimtari libanez Amin Maalouf. “Samarkand” quhet romani dhe lexuesin e dërgon në shekullin e 11-të, kur filozofi, matematikani dhe astronomi i rëndësishëm i Orientit, Omer Kajami, ishte i përndjekur nga fanatikët fetarë. Mendimet e tij Kajami i shkroi në veprën poetike Rubairat, të cilat në shqip i përktheu Fan Noli, por me pseudonimin Rushit Bilbil Gramshi.

 

V.

 

Është vajtuar pa fund edhe gjatë këtij viti për shkak se Evropa nuk ua hoqi vizat qytetarëve të Kosovës. Po kjo është një padrejtësi, një sjellje cinike e Brukselit dhe vendeve anëtare të Schengenit. Por ngurtësia evropiane nuk mund dhe nuk duhet të shfrytëzohet për retorikë bajate antiperëndimore, siç kanë bërë disa politikanë të partive në pushtet. Partitë e tyre kanë qenë në pushtet kur është vjedhur dhoma e dëshmive e Policisë, këto parti kanë qenë në pushtet kur u grabitën mbi një milion euro në tenderin për pasaporta, këto parti me vite të tëra kanë refuzuar të miratojnë ligjet që mundësojnë konfiskimin e pasurisë së politikanëve të korruptuar. Pakoja e ligjeve kaloi në Parlament në fund të vitit që po lëmë pas nesh. “Komandantët” s’patën më mundësi t’i bishtnonin kërkesës së BE-së. Por ligjet, sado të mira, nuk kryejnë punë nëse nuk zbatohen. Dhe këtu ndërkombëtarët e njohin mirë këtë klasë politikë. Në ditarin e tij të botuar pas shërbimit në Kosovë si shef i KFOR-it menjëherë pas luftës, gjenerali gjerman Klaus Reinhardt shkruan se “është jashtëzakonisht e vështirë të kuptosh se çfarë mendojnë me të vërtetë këta njerëz (komandantët e UÇK-së) dhe ku i fusin gjithkund gishtat. Figura e dyshimtë e odisesë mund të jetë model i politikanëve dhe figurave të tjera përgjegjëse të këtushme. Duket se vendimtar është vetëm rezultati i arritur, jo rruga se si të arrihet aty. Çdo dredhi shihet si e arsyeshme. Të kesh besim në deklaratat e tyre mund të jetë gjë e mirë, por një gjë e tillë këtu është kryesisht gabim. Përherë duhet të pyesësh veten se çfarë mendime të fshehura mund të jenë të ndërlidhura me këtë. Konsiderohet e rëndomtë nëse tjetrin e mashtroni – pa marrë parasysh me çfarë metodash”. Konsiderohet e rëndomtë nëse tjetrin e mashtroni – ja edhe një fjali që e përkufizon mënyrën se si është sunduar Kosova në dy dekadat e fundit.

 

VI.

 

Më 24 mars 1999 u arrit diçka që askush ose pakkush e kishte imagjinuar që nga viti 1912, kur territoret shqiptare i ndanë sipas qejfit të tyre fuqitë e vogla ballkanike – kuptohet me miratimin e fuqive të mëdha botërore. Më 24 mars 1999 tërë bota demokratike ishte me ne, sot klasa politike e Kosovës shikohet me përbuzje, skepticizëm, përçmim. Të bësh politikë nuk është e njëjta si të bësh luftë. Në luftë gjuan edhe pa e parë cakun, në politikë duhet të shohësh cakun. Vetëm në muajt e fundit kemi parë se si koçobashët milionerë të Kosovës për interesat e tyre të ngushta, personale, janë të gatshëm të djegin interesat e Kosovës, duke gjuajtur pa e parë cakun.

 

VII.

 

Në vitin 2019 Kosova politike po hyn pa cak programatik mbi të ardhmen e saj. Caku i vetëm është mjegulla politike. Mjegullën politike e ka prodhuar presidenti i Serbisë dhe ia ka shitur presidentit të Kosovës. Në vallen e mjegullës tani janë përfshirë edhe disa politikanë të pushtetit dhe të tjerë që e kanë zbuluar lezetin që t’i shërbejnë regjimit të korruptuar dhe krimit të organizuar në 100 metrat e fundit para se të zhduken nga skena politike. 24 marsi 2019, njëzetvjetori i fillimit të çlirimit të Kosovës nga NATO-ja, mund të jetë datë reflektimi për shoqërinë e Kosovës: të vazhdojë ecjen nëpër mjegull apo të shkundë të keqen dhe punët e shtetit t’ia besojë një klase tjetër politike? Përvoja 20-vjeçare me politikën në Kosovë nuk lejon përfundime optimiste. Lehtë mund të ndodhë që edhe në dhjetor të vitit 2019 shoqëria kosovare të “argëtohet” me fotografi nga darkat e drekat e “komandantëve” apo me premtimin e një hokatari politik se do ta sjellë një këngëtare kolumbiane për ta bashkuar Mitrovicën. “U nismën rrugës. Rruga qe e gjatë. / Vonë e vërejtëm se ajo rrugë ishte rreth”. Tin Ujeviqi është kosovari i vitit 2019.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0