Forca e ligjit dhe korrupsioni
Demokracia në përgjithësi ndërtohet mbi parimet e zhvillimit kombëtar, të traditës, kulturës, dokeve...
Nga Gjon Neçaj
Në këtë periudhë kohore prej më se një shekull shtet shqiptar, fatkeqësisht kombi ynë ka provuar disa sisteme shoqërore dhe politike. Sistemet politike, të cilat po i cekim më poshtë, jo çdo periudhë historike kanë sjellë prosperitet, por disa syresh edhe pasoja negative që ende sot rëndojnë mbi kurrizin e shqiptarëve të përvuajtur. Për t’u theksuar është fakti se liderët politikë shqiptarë përgjithësisht s’kanë pushuar së reshturi për demokraci dhe mirëqenie sociale. E mjerisht sovrani që meritonte shumë e më shumë, përfitoi skamje, varfëri, mjerim, injorancë dhe diktaturë nga më të egrat.
Në këndvështrimin historik dhe shoqëror, asnjë qeveri, që nga e para me Ismail Qemalin kryeministër që themeloi shtetin e parë shqiptar, nuk shpëtoi pa u kritikuar nga pasardhësit, duke mohuar kategorikisht çdo përpjekje në drejtimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptar dhe njohjen e tij te fuqitë e mëdha. Kështu që, me ardhjen në pushtet të komunistëve, në zgjedhjet e fillimvitit 1945, qeveria e Enver Hoxhës vazhdimisht, për 46 vjet injoroi qeverinë e Ahmet Zogut. Pas shembjes së sistemit komunist dhe lindjen e pluripartizmit, demokratët që morën pushtetin në fillimet e proceseve demokratike, “fshinë” çdo gjë të bërë nga Enver Hoxha gjatë qeverisjes së tij pothuaj gjysmë shekullore. I njëjti avaz forme qeverisjeje vazhdoi edhe gjatë këtij çerekshekulli demokraci.
Për rrjedhojë, deri më tani kombi nuk paska patur shtet! O tempora, o mores! Një lloj politikanësh 20-vjeçarë, të cilët hapën librezat e punës në profesione ministrash, deputetësh, kryeministrash e zëvendësish, e që vazhdojnë ende sot punën e tyre në Shqipëri, në poste të njëjta, duke ndërruar vetëm dy gjëra: kolltukun dhe ngjyrën e flokëve në të bardhë. Rezultatet e punës së tyre janë të njëjta dhe kalimi e ndërrimi i viteve që vijnë e shkojnë, për ta nuk kanë rëndësi, nuk lënë gjurmë, por çdo vit shtojnë asetet personale të tyre, familjeve dhe farefisit, me ndërrim veturash nga “Land Rover në X5, shtëpi, vila, derdhje valute lumë në llogaritë bankare dhe benefite të tjera familjare.
Nëse partitë politike, mazhorancë dhe opozitë e ato parlamentare, do të ishin në unison e me një synim të përbashkët, (që do të thotë marrja e vendimeve dhe realizimi i objektivave të vëna nga Këshilli i Europës dhe pranimi në gjirin e familjes europiane), do të realizonin ëndrrën e viteve 1990 të të gjithë shqiptarëve, që jemi në mes të Europës, por jashtë saj.
Kjo praktikisht do të thotë se gjuha e politikanëve duhet filtruar, mendja e tyre të zmbrapset për një qëllim madhor të elektoratit, demokracia të davaritet me synimin e ndryshimeve rrënjësore ekonomike e social-politike.Demokracia në përgjithësi ndërtohet mbi parimet e zhvillimit kombëtar, të traditës, kulturës, dokeve, ligjeve e zakoneve kombëtare të shtetit shqiptar. Ndaj së pari vetë sovrani popull duhet të bëjë spastrimin politik të atyre njerëzve që flasin për demokraci e përfitojnë materialisht nga prona publike, në emër të pozicionit zyrtar apo politik që zotëron, etj. Përdorimi i “dhunës” ligjore ndaj këtyre shpërdoruesve të pushtetit, është mënyra e vetme për luftimin e së keqes, siç thoshin filozofët dikur. “Dhuna” ligjore, që nënkupton arrestimin e të gjithë atyre që edhe dyshohen për keqpërdorim parash, sidomos të parave publike, që vijnë nga ne, tatimpaguesit. Sepse kjo do të ishte tregues i qartë se po zbatohet demokracia.
Comments (0 posted)
Post your comment