ILDKP është për Hetim - Vetting!
Duhet dhe një hetim masiv dhe i thellë për jo vetëm drejtësinë dhe sidomos prokurorinë e njerëzit e saj, por dhe për...
Nga Besi Bekteshi
Po a nuk është për të bërë një pyetje të rëndësishme vetëm mbi një "risi", e cila filloi kryesisht në zbatim të "vetingut" për gjyqtarët dhe prokurorët dhe kryesisht nga presioni i ONM-së?! Si ka mundësi që dikur njerëzit e fuqishëm të drejtësisë, të pa prekshmit e drejtësisë së katapultuar nga politika, mbrojtur nga ajo dhe pasuruar nga përdorimi personal, jo në ligj të drejtësisë, i kanë kaluar si ILDKPKI-së dhe po ashtu në një farë mënyrë KLSH-së?! Ja çfarë shkruan në hyrje të faqes zyrtare të këtij institucioni (ILDKPKI-së) për të ashtuquajturin - Mision!
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave ka filluar funksionimin në bazë të ligjit nr. 9049, date 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publike”. Deklarimi i interesave private “Inspektorati i Lartë” nën përgjegjësinë e Inspektorit të Përgjithshëm, administron deklarimin e pasurisë, të detyrimeve financiare, ushtron kontroll të drejtpërdrejtë, mbledh të dhëna, kryen hetime dhe kërkime administrative rreth deklarimeve të personave që mbartin detyrimin ligjor për deklarim të interesave private.
ILDKPKI bashkëpunon me organet e auditimit dhe me strukturat e tjera përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik. Parandalimi i konfliktit të interesaveILDKPKI në bazë të ligjit nr.9367, datë 7.4.2005 është Autoriteti Qendror Përgjegjës për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike.
Kompetencat e ILDKPKI-së u shtuan me hyrjen në fuqi të ligjit nr.9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”. Konkretisht, Inspektorati i Lartë drejton dhe përmirëson politikat e parandalimit dhe shmangies së konfliktit të interesave; ofron asistencë teknike për këshillimin dhe mbështetjen e nismave ligjore e nënligjore të ndërmarra nga institucionet publike për parandalimin e konfliktit të interesave; monitoron, kontrollon dhe vlerëson zbatimin e këtij ligji etj. (neni 41 e 42 i ligjit).
Po, i kuptoj disa vështirësi të të dhënave që nuk merren aq kollaj, por shumë nga të kontrolluarit (me short) e dinë mirë se ky institucion të pyet: çfarë janë këto 100 euro të ardhura nga jashtë, kur ke aktivizuar paketën e një sporti në televizion, për hatër të farefisit jashtë! Çfarë janë këto 40.000 lekë që ju kanë tepruar në llogarinë bankare me datën pesë janar? Me çfarë të ardhurash e ke paguar këtë biletë aeroplani, kur ke shkuar jashtë! Po vitin shkollor të fëmijës në universitetin publik si e ke paguar, ku i gjete lekët? Pse ti kanë dërguar këto 500 euro nga jashtë? Pse ke dy makina (nga 1500 euro) ti dhe gruaja? Pra imtësi deri në absurd?
Ndërkohë, jo vetëm nuk ju ka rënë ai i famshmi short milionerëve dhe miliarderëve të drejtësisë dhe politikës, por nuk ju kanë dalë shtëpitë e pushimit, pushimet në tropik, shkollat me një vit mësimor mbi 15 mijë euro të fëmijëve, shtëpitë e dyta dhe të treta, tokat e blera, të falura, të riblera dhe rishitura, objektet e luksit, marrëzitë me dasma dhe ahengje, harxhimet e ndryshme të luksit të jetës, rregullimet e fytyrës, bythëve dhe gjoksit, por dhe pasuritë e brendshme pa fund!? Pse nuk kaluan dot ONM dhe pse nuk ranë në rrjetën e deklarimit, konfliktit të interesit të kontrollit të këtij institucioni dhe bashkëpunimit me KLSH e organizma të tjerë ndihmë!?
Imagjinoni se çfarë mund të bëhet po të kontrollohet administrata e cila i nënshtrohet detyrimit të tillë, politika në përgjithësi dhe vetë ky institucion?! Ishin të huajt në procesin e vetingut dhe janë ato, sepse sigurisht asgjë nuk do të ndodhte me drejtësinë!
Por Inspektoriati i Deklarimit të Pasurisë ka pasur në krye një nga njerëzit, jo vetëm më të përfolur, më partiakë, më shërbëtor të një krahu politik, por dhe nga të dhënat më i lyeri e i përlyeri në drejtësi si Adriatik Llalla! Me vite ky drejtim nga ky individ, ku është vendosur pasuria më e habitshme, më e paskrupullt dhe më idiote e jo vetëm politikës, por dhe drejtësisë, administratës dhe njerëzve në përgjithësi që vetëm në Shqipëri, nuk japin llogari si e kanë vendosur ligjërisht pasurinë e tyre! Kudo ku punohet në shtet është kjo sëmundje e madhe të cilën ky institucion nuk ka pasur as dëshirë dhe as impenjim ta luftojë?! Nuk ka bërë detyrën! E jo vetëm në kohë të Llallës i cili është "eksponent" i lartë i shkatërrimit në themel të luftës kundër korrupsionit dhe krimit, pasurimit kundra ligjor si në kryesim të ILDKPKI dhe aq më keq në krye të prokurorisë së Shtetit Shqiptar! Cilën luftë kundra korrupsionit, krimit dhe pasurimit ka luftuar ky njeri dhe cilin institucion nga të dy këto më të famshmit, do të bënte mirë (drejtonte) një njeri që u vendos Kryeprokuror, pikërisht se kishte qenë Kryeinspektor i institucionit të deklarimit të pasurisë?!
Prandaj duhet dhe një hetim masiv dhe i thellë për jo vetëm drejtësinë dhe sidomos prokurorinë e njerëzit e saj, por dhe për institucionin e deklarimit të pasurive që nga 2003-shi si krijim me ligj të tij! Janë më se të qarta marrëzitë dhe butaforia deri në bufonadë e një drejtimi të tillë, (alla Llallçe) por dhe korrupsioni dhe krimi i lejuar me qëllim politik, që në fund, ka detyrim politik kriminal të mbrojë njerëzit e korruptuar të shtetit dhe ato të drejtësisë?! Prandaj ka arritur deri këtu dhe problemi? Se institucionet që duhet të hetojnë, të shikojnë ligjërisht thellë, (si 100 eurot e digitalb-it) të krijojnë mundësitë e dijenisë mbi pasurimin e paligjshëm, nuk kanë bërë punën e tyre. Biles ka akoma më shumë! E kanë bërë keq detyrën! Sigurisht në shërbim të njerëzve të pushtetit të korruptuar dje dhe sot!
Comments (0 posted)
Post your comment