Presidentët e partive, por jo të popullit!
Pingpongu politik në trekëndëshin President- Kryeministër- Parlament...
Nga Prof. Dr. Ago Nezha
Presidenti, si kryetar i shtetit, është simboli i unitetit të popullit në piramidën shtetërore. Kjo është një postulat kushtetues që s’kërkon interpretim. Pingpongu politik në trekëndëshin President- Kryeministër- Parlament, për të bërë emërime të nomenklaturave të ndryshme shtetërore sipas përkatësisë së kompetencave të titullarëve, tregon se tek ne akoma kemi institucione thellësisht konfliktuale të polarizuara tejskajshmërisht, që kanë krijuar një situatë dhe imazh të pakëndshëm në opinionin shoqëror. Qëndrimi mes palëve dhe gjuha e komunikimit, ka krijuar një rivalitet që pengon sjelljen e përgjegjshme në ushtrimin e detyrës, nxit prishjen e imazhit, shton demagogjinë, rrit konfliktet dhe të çon në paralizën e një vendimmarrje objektive. Propozimet konceptuale të Kryeministrit për kabinetin qeveritar dhe refuzimet e presidentit të disa kandidaturave dhe anasjelltas propozimet e presidentit për kandidaturën e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, që ende është pezull (edhe pse një pozicion i rëndësishëm) nga mos aprovimi i parlamentit, ngjajnë me lojën e kungulleshave, që në opinionin publik kanë rënë kredencialet e këtyre institucioneve. Presidenti është personi që vendos urat e komunikimit mes pozitës dhe opozitës dhe institucioneve kushtetuese. Kur gjuha e komunikimit shkel etikën mes aktorëve kryesor politik, me tendencën për të dobësuar sustat e autoritetit të Presidentit apo Kryeministrit, duhet që të kundërbalancohet nga një nivel më i lartë autoriteti i paanshëm, që në rastin konkret është parlamenti. Një shoqëri demokratike si e jona, ende e brishtë, që nuk i ka aftësinë e domosdoshme për të përballuar problemet e shumta në rrafshin politik dhe ekonomik, varet nga cilësitë e udhëheqjes që merr pushtetin dhe nga karakteri demokratik i popullit. Makiaveli thotë se politika është: “moralisht e papastër”. Por kjo s’do të thotë, që liderët në pozicione të ndryshme të vëmë shenjën e barazimit midis politikës dhe politikanit. Klima politike në vendin tonë është acaruar në tensione të panevojshme dhe të padobishme, duke krijuar konflikte që burojnë nga egoizmi, meskinitete dhe urrejtje të fshehura apo të konservuara për përfitime partiake. Shoqëria shqiptare është e mbingarkuar nga urrejtja partiake, e sfilitur dhe e lodhur me politikën konfliktuale, që kanë prodhuar subjektet politike parlamentare, për një egoizëm dhe kapriço karakteriale të liderëve dhe aspak për interesa, ide, apo ideale demokratike. Konflikti President-Kryeministër nuk është i rastit, por një akumulim i brendshëm i luftës për pushtet, që është gjetur momenti për t’u shfaqur si një shpërthim furtune që del prej resë, që nxinë prej kohësh. Presidenti që vjen nga kreu i një partie politike, nuk e ka të lehtë që të modelohet në një profil të paanshëm, vetëm se e thërret ndërgjegjja patriotike.
Të ndryshosh inercinë dhe pasionin për partinë që e ke pjellë dhe sjellë në standarde përfaqësuese, pasi kërkon një trysni morale dhe një ndrydhje të ndërgjegjes. Kjo ka bërë që presidentët gjatë këtyre tre dekadave në Shqipëri nuk kanë qenë figura konsensuale, që maksimizojnë dobinë e përcaktuar apo të pritur nga populli. Ata, pasi kanë lënë partitë e tyre, kanë bërë betimin si një akt juridik, por koha ka treguar se ngarkesat politike kanë prevaluar mbi interesa kombëtare. Shtresëzimi shoqëror, tradita familjare dhe kultura e trashëguar janë element që e bëjnë më paqësor dhe më të qytetëruar një figurë përfaqësuese në nivele kombëtare. Për t’i prerë rrugën korrupsionit politik, pazareve të kulisave të partive, është e domosdoshme që zgjedhja e presidentit të realizohet me referendum popullor. Kjo është forma më demokratike dhe shmang të gjitha procedurat abuzive të faktorit politik. Gjatë viteve nën demokraci na rezulton se harxhohen shumë energji për rivalitet politik, President-Kryeministër, që kanë krijuar kaos politik dhe ngërç institucional. Në Shqipëri s’ka as të majtë dhe as të djathtë, ka vetëm grupe interesi për përfitime personale të liderëve të partive dhe shpurës së tyre. Në këtë situatë politike kërkohet që Presidenti i Republikës duhet të karakterizohet nga mençuria, urtësia, gjakftohtësia, largpamësia dhe patriotizmi, për të amortizuar çdo tension që krijohet nga padija apo pasioni politik. Monteskje, shkruan: “Për të krijuar punë të mëdha, nuk duhet të jeni i pakapërcyeshëm, por nuk duhet të jesh mbi njerëzit, duhet të jesh bashkë me ta”. Të jesh president i vendit duhet të harrosh interesat personale, familjare, partiake, klienteliste dhe nepotike. Duhet të ngrihesh mbi vetveten dhe të sfidosh urrejtjen, të shmangësh akuzat, provokacionet, që mund të sigurosh unitetin multifaktorial. Të standardizosh modele personalitetesh, është sa pak egoiste aq dhe naive. Personaliteti i Presidentit ka të bëjë me shkallën e lartë të emancipimit, nivelin kulturor, atdhetarizmin, traditën familjare dhe shoqërore, cilësitë individuale dhe patriotizmin kombëtar. Sa më lartë të ngjitesh në hierarkinë partiake, shtetërore apo shoqërore, aq më tepër duhet të ballafaqohesh me vlera morale, sepse rritet përgjegjësia dhe detyrimi ndaj shoqërisë dhe vendit tënd. Të jetuarit në paqe me rrymat e ndryshme, është cilësia më e domosdoshme për Presidentin e vendit. Të vish në postin e Presidentit, nga etja për lavdi personale, për ego të sëmur, për përfitime materiale, e karrierë shtetare, pa u motivuar ndërgjegjësisht për përgjegjshmërinë kombëtare, është një sjellje e pamoralshme për çdo politikan.
Politika në vetvete është një përzierje mes idealizmit dhe realizmit dhe në qoftë se njëri nga këta element bëhet mbizotërues, atëherë duhet ruajtur nga prishja e ekuilibrave politikë të vendit.
Ndryshimet në kushtetutë, duke e zhveshur Presidentin nga disa kompetenca të qenësishme e kthyen atë në një rol honorifik për të dhënë dekorata, për të grumbulluar pushtet në duar të ekzekutivit. Ky inferioritet institucional, mund të jetë një faktor që e shtyn Presidentin të kërkoj atribute dhe hapësira të tjera, që të motivohet në krye të shtetit. Sjellja kontraverse mes Presidentit, Kryeministrit dhe Kryeparlamentarit, ka lënë shije të hidhur jo vetëm për shqiptarët por dhe për ndërkombëtarët. Populli thotë se “ç’të mbjellësh do të korrësh”. Në fund të kësaj analize dua të theksoj se praktika e ndjekur deri më sot për zgjedhjen e presidentit nga parlamenti me votat e mazhorancës, në të gjitha rastet ka dështuar dhe ka përfunduar në pazare politike, deri në blerje votash. Kjo shëmti shqiptare duhet të marri fund. Presidenti i Republikës si kreu i shtetit, duhet të vij nëpërmjet një demokracie pjesëmarrëse me votën e lirë të popullit nëpërmjet referendumit. Kjo praktikë do shmangte korrupsionin parlamentar dhe do binte në krye të shtetit një personalitet të gjithëpranuar, me identitet moral, kulturor dhe intelektual, që Shqipërisë nuk i mungojnë, pasi ka profesorë të nderuar kombëtarisht si: Moikom Zeqo, Pëllumb Xhufi e Sabit Brokaj, e shumë të tjerë. Por kjo do të arrihet vetëm atëherë, kur të duam Shqipërinë mbi partinë.
Comments (0 posted)
Post your comment