Home | Opinion | Integrimi, një qasje tjetër

Integrimi, një qasje tjetër

image
Integrimi i një vendi në Bashkimin Europian kërkon reforma te thella, kuptimplota të cilat ...

    

 

Nga Mario Kokonozi

 

 

Fjala integrim është një ndër fjalët më të përdorura në politikën shqiptare, që mbas daljes nga nomeklatura komuniste. Për vite me rradhë, qeveri të ndryshme, e kanë lakuar këtë nocion si çelësin e suksesit për shumë probleme. Edhe sot integrimi është një temë që meriton debat dhe diskutim. Vendi ynë ndodhet në një ‘momentum’ dhe analiza e pozicionimit tonë në politikën e jashtme dhe përkufizimi i procesit të integrimit është thelbësor për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

 

Në terma të përgjithshëm jashtë kontekstit shqiptar, integrimi i një vendi në Bashkimin Europian kërkon reforma te thella, kuptimplota të cilat ndryshojnë jetën e njerëzve të zakonshëm. Një transformim rrënjësor në të gjitha pjesët e shoqërisë në mënyrë të tillë që ekonomia të jetë e qëndrueshme. Adaptimi i legjislacionit dhe kapitujt janë diçka teknike që vijnë si pasojë e reformave të ndërmarra nga qeveritë. Faktor kryesor mbetet ekonomia. A do të ketë ky vend kapacitete ekonomike dhe infrastrukturore që do të jenë në dobi të vendeve anëtare? A do të sjelli një mentalitet të njëjtë? A do ketë ky vend i ri të njejtën axhendë politike si ajo që parashtron Bashkimi Europian? Këto janë pyetje të cilat Brukseli i ngre në qasjen e politikës së zgjerimit.

 

Sot Bashkimi Europian e ka pak të vështirë të mendojë zgjerimin e mëtejshëm, pra ardhjes së anëtarëve të rinj. Dy janë arsyet, zgjedhjet brenda parlamentit europian dhe reformimi i vetë makinerisë së BE-së. Përsa i përket zgjedhjeve nuk dihet ende në qoftë se do të vij një udhëheqje e cila do të ketë në spektrin e saj politik zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor. Së dyti problemi i Brexit apo vende të cilat po shkojnë çdo ditë e më shumë djathtas dhe drejt populizmit si Hungaria dhe Polonia, janë në plan të parë të vëmendjes së Brukselit.

 

Vende si Franca dhe Gjermania trumbetojnë reformimin e Bashkimit Europian. Një ndër pikat e këtij reformimi lidhet dhe me politikat e zgjerimit. Tashmë është e qartë që pranimi i Rumanisë dhe Bullgarisë ishte një veprim i nxituar nga ana e krerëve të BE-së. Rumania nisi reforma të mëdha me premtimin që do ti mbyllte ato fill pas hyrjes në familjen europiane. Përfundimi i tyre ishte i dyshimtë dhe u pa me skepticizëm nga Europa. Skepticizëm i cili u vërtetua më vonë.

 

Një pikë tjetër e rëndësishme përsa i përket zgjerimit lidhet me drejtuesit e zgjerimit si proces. Me kalimin e kohës vendimmarrja për zgjerimin e unionit kaloi nga Komisioni Europian dhe aktorët e tij teknik drejt një vendimmarrje më masive, duke futur këtu klimën dhe mendimin e të gjithë anëtarëve. Për shembull, në vende si Austria dhe Hollanda, mendimi i popullsisë për të qenë kundra zgjerimit shkon deri në 70 përqind. Një klimë e atillë, e bën të vështirë edhe hapjen e kësaj çështjeje në mbledhjet e parlamentit në Strasburg.

 

Po vendi ynë, ku ndodhet në rrugën e tij për anëtarësim dhe rrugën e tij për të bërë reforma thelbësore? Këtë gjithnjë e tregon sjellja e aktorëve ndërkombëtarë kundrejt vendit tonë. SHBA dhe Europa perëndimore kërkon bërjen e reformave si dhe ndërrimin e elitave politike në Shqipëri. Kjo është një strategji e njohur, besimi tek politika e Tiranës është i ulët dhe shtetet e mëdha kërkojnë që mbas kryerjes së reformave të ketë të tjerë lider dhe udhëheqje. Shumë para janë në ‘stand by’, në pritje për vendin tonë. Para të cilat do të rregullojnë parametrat e tregut për të qenë i denjë në arenën europiane dhe më tej. Kjo është metodë e njohur e aplikuar në vende si Kroacia dhe Sllovenia. Por skepticizmi për të dhënë ndihma financiare tek kjo elitë ekzistuese është i lartë.

 

Përpjekje për integrim nuk po kryen vetëm vendi ynë. I gjithë Ballkani perëndimor është një garë për të qenë të ‘preferuarit’ e Brukselit. Pra, kandidatë potencialë për të qenë pjesë e familjes europiane. Një temë e nxehtë e momentit është edhe shkëmbimi i territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Bashkimi Europian është skeptik për këtë metodë të zgjedhur nga Ballkani për ti dhënë fund grindjeve. Shkëmbimi i territoreve është ‘kutia e Pandorës’ sepse dhe vende të tjera do të kërkojnë të njejtën metodë për të zgjidhur problemet e tyre etnike e territoriale. Një vend i cili mund të reagojë është Bosnje Hercegovina, e cila ka popullsi kroate e serbe në brendësi të saj. Këto komunitete mund të kërkojnë të bëhen pjesë e republikave të vendeve që i përkasin. Pra kjo zgjidhje mund të bëhet shkas për të hapur probleme të tjera në Ballkan.

 

Thënë shkurt, BE nuk dëshiron anëtarë të cilët të kenë tensione bilaterale dhe presion etnik midis tyre. Andaj dhe integrimi i Serbisë është në një ngërç, edhe pse nga të gjithë vendet e Ballkanit, ajo është e para në rrugën e anëtarësimit. Interesi ekonomik i BE është më i lartë për të futur një vend si Serbia që ka popullsinë më të madhe në Ballkan. Po ashtu dhe në notat që jep Komisioni Europian ajo zë vendin e parë nga vendet e Ballkanit perëndimor.

 

Parë në një spektër tjetër, Bashkimi Europian kë vendosur vitin 2025 si një datë, për anëtarësimin e Ballkanit perëndimor. Kjo datë nuk është teje optimiste, para nga filtra të ndryshëm. Në terma të përgjithshëm, kjo datë është realiste, në qoftë se, çdo gjë shkon në mënyrë perfekte. Pra, i gjithë Ballkani kryen reformat e kërkuara me vendosmëri dhe krijon mekanizmat e duhura për të qenë pjesë e BE. Nga ana tjetër ulja e tensioneve etnike dhe gjetja e gjuhës së përbashkët midis shumë vendeve në Ballkan është një objektiv tejet i vështirë për tu realizuar një periudhë kaq të shkurtër.

 

Një tjetër faktor që e bën vitin 2025 të paarritshëm është vet BE. Shumë vende anëtare kërkojnë reformimin rrënjësor të unionit. Futur këtu vende me peshë si Gjermania, Austria e Franca. Unioni duhet të definoj se çfarë do të jetë BE në dekadat e ardhshme, si do të procedoj dhe reagojë ndaj problemeve që ajo mbart. Mbi të gjitha mendimi për të armatosur BE-në, pra krijimi i një ushtrie mbarë europiane është një sugjerim i cili kërkon një analizim të shumë faktorëve dhe frymërave në Europë. Nga ana tjetër Brexit është një çështje tejet delikate për krerët e BE, e cila vazhdon të mbaj pezull shumë elementë.

 

Shqipëria e ka shumë të vështirë të pranoj 2025 si datë pranimi. Një fakt i thjesht është Kroacia. Negociatat e saj zgjatën plot tetë vjet. Kjo tregon që rruga është e gjatë dhe kërkon një mentalitet dhe frymë të re në Tiranë. Pikë së pari duhet të ndryshoj klima dhe mendësia. Shoqëria dhe institucionet shqiptare duhet të demokratizohen. Kjo duhet të reflektohet edhe në kryerjen e plotë të reformave dhe krijimin e mekanizmave të cilët do ta bëjnë më të lehtë jetën e çdo qytetari.

 

Një tjetër faktor që duhet përmendur është fakti që Bashkimi Europian është edhe një formacion gjeopolitik. Kjo do të thotë që Tirana zyrtare duhet të ketë aleat strategjik brenda unionit të cilët të influencojnë kanalin e saj drejt anëtarësimit. Përtej përmbushjes së çdo kriteri të matshëm për të qenë pjesë e bashkimit dhe performancës për mbylljen e kapitujve, vendimi është politik dhe në bazë të interesit që luhet. Vendi ynë duhet të pikas dhe të gjej ata të cilët kanë interes për ta patur vendin tonë pjesë e strukturave të BE-së. Zgjerimi i BE-së është i lidhur me interesin e saj në Europë dhe luftës gjeopolitike me element të cilët duhet të zmadhojnë zonën e tyre të influencës. Andaj Shqipëria duhet të drejtohet në rrugën e duhur, për të qenë jo vetëm gjeografikisht por edhe politikisht në Europë.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0