Rëndësia e themeleve të shtetit
Na duhen politika zhvillimi pra që mbështeten mbi shfrytëzimin e të gjithë aftësive tona kombëtare, njerëzore, financiare, dhe të gjitha natyrave.
Behgjet Pacolli
Kosova feston 2 vjetorin e pavarësisë së saj dhe ky moment nuk është veçse moment festiv, por dhe një moment i madh reflektimi. Dy vjet në jetën e një shteti janë pak, por megjithatë janë shumë për të pritur, për të kuptuar drejtimin që do të marrë ky shteti ynë, ndërsa shtetet e tjerë, më të moçëm sesa ne, bëjnë hapa gjigandë para. Me një fjalë, anipse jemi një shtet kërthi, i vogël s mund të sillemi si fëmijë: duhet të mësojmë shpejt, të zhvillohemi shpejt, të shmangim gabimet e të tjerëve. Gabimet e sotme, ndërsa vëmë themelet, mund të na kushtojnë shumë gjithë jetën. Sot më shumë duhet të përqendrohemi për të kuptuar gabimet e vetes, sesa të festojmë.
Po e filloj me rikonfirmimin e një të vërtete të madhe pajtuese. Pajtuese të të gjitha ndjeshmërive kryesore të popullit të Kosovës. Dy janë themelet ku mbështetet kjo pavarësi që kemi sot. Puna e madhe e Ibrahim Rugovës për të krijuar një shoqëri paralele, për të na mësuar me idenë e shtetësisë, për të ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës dhe lufta e UÇK-së, gjaku i derdhur nga heronjtë e saj. E them vazhdimisht këtë të vërtetë pajtuese, jo për t'u dukur i mirë me të dy palët, por sepse kështu besoj fuqimisht. Unë vetë kam admiruar Rugovën, por dhe kam ndjekur me simpati luftën e UCK-së, me të cilën u bashkua që në fillim im vëlla. Të dy këto momente, të dy këto faza kanë qenë të domosdoshme në arritjen e idesë së shtetësisë së Kosovës siç e kemi sot.
Këtë të vërtetë e kanë kuptuar dhe drejtuesit e UÇK-së, që pas luhatjeve të kuptueshme pas Luftës apo gabimeve të asaj kohe, zgjodhën aleate pikërisht LDK-në. E them këtë pohim me sinqeritet. Unë, AKR-ja, mund të kishim insistuar që të përfshiheshim në këtë qeveri që në fillim, por s'mund të ishim bindës në ndërmarrjet e vështira të shtetformimit, siç ishte beteja e simboleve, Pakoja Ahtisaari, etj, etj, ku faktori ndërkombëtar kishte peshë të madhe. Askush nuk do të na mirëkuptonte neve një parti e re si AKR-ja, me një drejtues si unë që vinte nga bota e biznesit të madh ndërkombëtar, në miratimin e atyre lëshimeve të dhimbshme, por të domosdoshme. Kjo është arsyeja pse unë e kam mbështetur në disa momente qeverinë që është në fuqi.
Po vazhdoj dhe pak me meritat - jemi në Ditën e Pavarësisë dhe s'po e filloj me të metat. Kjo qeveri që është në fuqi, i ka shërbyer megjithatë pajtimit shoqëror. Pas gabimeve të para, pse jo dhe veprimeve të paligjshme që shpresoj shumë se kanë qenë me natyrë individuale, PDK-ja, edhe nën trysninë e partneres së saj LDK, nuk i kanë shërbyer ndarjes së shoqërisë, por afrimit të saj. Nuk janë jetësuar masivisht politika diskriminuese të tipit ne me luftën kundër juve jashtë luftës, që mund të thellonin ndarjet krahinore apo shoqërore në përgjithësi. Gjuha politike edhe për meritë të qeverisë, por dhe të opozitës është më e ngjashme me vendet skandinave, sesa me atë të vendeve të Ballkanit. Kosova madje, ndoshta duke parë çfarë ndodhte në Shqipëri, nuk bëri shumë gabime të fazës së parë të tranzicionit në vendin amë. Kosova është një shtet kërthi, të cilit nuk mund t'i falen gabimet normale të një shteti të vjetër.
Në këtë mënyrë, pra pozitiviste e shoh dhe sjelljen e kësaj qeverie ndaj faktorit ndërkombëtar. I mirëkuptoj të gjithë zërat kritikë ndaj gabimeve të faktorit ndërkombëtar, zëra me origjinë sovraniste. I ftoj këta njerëz të imagjinojnë pavarësinë që në 1999. A do kishim ecur më shpejt, apo do kishim bërë asokohe gabime që do të na kishin kushtuar shumë, veçanërisht falë konfliktualitetit të madh të asaj periudhe? A na kanë mësuar ndërkombëtarët artin e qeverisjes, dhe mbi të gjitha a na kanë mbrojtur nga rreziqe të jashtme të cilët janë të pranishëm edhe sot? A do të kishim bërë asokohe, a mund të bëjmë edhe sot, kaq shpejt një shtet efektiv, domethënë një gjyqësi, administratë, një ushtri efektive?
Ne si shoqëri, si shtet i ri, nuk i bëjmë mirë ato gjëra që i bëjmë ekskluzivisht vetë, pa le të bëjmë ato gjëra, pra të zhvillojmë ato kompetenca që sot ka faktori ndërkombëtar. Ne do të kishim të drejtë të kërkonim dhe ato kompetenca që ka sot bashkësia ndërkombëtare, vetëm nëse do të bënim mirë ato kompetenca që janë ekskluzivisht tonat.
Kritikë, por dhe propozime
Hyra kështu në pjesën kritike të reflektimit tim. Nëse qeveria është sjellë mirë duke zgjedhur një kurs pajtues, duhet ta themi që në krye të herës se ajo ka gabuar në politikat zhvilluese apo në të ndërtimit të institucioneve që fillojnë që me realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Në këtë drejtim ne nuk mund ta falim qeverinë.
Kemi hyrë vërtet në një fazë të re, që unë e kam quajtur fazën e tretë të zhvillimit ekonomik të shpejtë të Kosovës. Shumë individë, pjesë e kësaj qeverie, vetë partitë aleate të saj, kanë kontribut negativ në ritmet e ngadalta të zhvillimit të cilat nuk i falen këtij vendi të ri, apo në ndërtimin e institucioneve. Nëse jam dakord me linjën e pajtimit, të cilën do ta mbroj vazhdimisht, kam kërkuar dhe do të kërkoj fuqimisht që në këtë fazë të re të hynim dhe të ecim ndryshe.
Ne nuk mund të biem peng i taktikave politike, që të sigurojnë sukses afatshkurtër siç ndodh shpesh me veprimet e kësaj qeverie, me propagandën e kësaj qeverie, me blerje deputetësh, riformatizime të rrejshme, që s'bëhen kurrë apo bëhen kur s'kanë vlerë, etj. Ne duhet të mendojmë për politika afatgjata që sigurojnë zhvillim dhe institucione të forta mbështetur mbi ligj. Zhvillimi ndërtohet mbi projekte afatgjata që themelohen mbi konsensus të gjerë dhe garantohen nga institucione.
Projektet afatgjata i bëjnë njerëzit që nuk kanë histori negative korrupsioni, apo që të vetmet spaleta meritore kanë të qënit anëtarë të UCK-së, apo" rugovistë" të hershëm. Idealeve të UCK-së dhe të Rugovës i shërbejnë vetëm ata individë që kuptojnë mirë kohën që jetojmë dhe sfidat e saj. Këtë thonë vazhdimisht dhe miqtë tanë ndërkombëtarë që kanë vënë bast për aftësitë tona zhvilluese.
Na duhen politika zhvillimi pra që mbështeten mbi shfrytëzimin e të gjithë aftësive tona kombëtare, njerëzore, financiare, dhe të gjitha natyrave. Në këtë drejtim nuk mund të injorojmë diasporën tonë, fuqitë e saj ekonomike dhe financiare, aftësitë e bijve tanë që kanë studiuar në perëndim.
Na duhen politika liberale që të nxitim ardhjen e investimeve të huaja dhe jo pengimin e tyre siç ka ndodhur deri sot dhe për të cilat jam dëshmitar i pafuqishëm. Kosova ka shumë avantazhe konkurruese siç janë mosha e re e popullsisë, njohja e disa teknologjive të reja, respekti i qytetarëve për shtetin, ligjin dhe pronën dhe pse jo faktin që jemi shtet i i ri, që s'ka patur kohë dhe mundësi të bëjë gabime të mëdha në zhvillim.
Na duhet një arsim i tipit të ri, që të kapërcejë me ngut fazën e arsimimit kaotik, virtual që ekziston sot.
Na duhet një klasë politike e hapur ndaj teknokratëve që vijnë nga bota akademike apo nga bota e biznesit. Na duhen institucione mbështetur mbi ligjin dhe jo mbi verbërinë partiake.
Na duhen shumë gjëra. Por mbi të gjitha na duhet në mënyrë të përmbledhur, politika të tipit afatgjatë, natyrale për një shtet që ka vetëm dy vjet jetë. Nëse nuk mendojmë në mënyrë afatgjatë, atëherë gabimet e sotme do të na kushtojnë tërë jetën. Të qenit kaq të brishtë, vetëm dy vjeç, është avantazh, por dhe rrezik i madh. Nëse ndërton gabim themelet e një shtëpie, atëherë ajo mund të rrëzohet shpejt, ashtu siç dhe do të jetë gjithmonë nën frikën e rrëzimit.
Comments (0 posted)
Post your comment