Home | Opinion | Shqiptarët dhe Europa

Shqiptarët dhe Europa

image
Tashmë këtyre palo-politikanëve është e udhës t’u bëhet e qartë...

 

    

Nga Riza Hoxha

 

Ne shqiptarët, ende pas afro 30 vitesh kemi mbetur duke brohoritur “Liri-Demokraci. E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Kështu ndodhi në protestën para parlamentit. Të tilla brohoritje artikuluan edhe studentët në protestën e tyre afro dy mujore. Brohoritje që po na bëhen të zakonshme në të rradhë kur kujtohemi të protestojmë, apo kur na thërret në ndihmë ndonjë parti nga 129 partitë politike që na kanë mbirë në çdo familje. Ne shqiptarët vetëm për këtë tregues mund t’i krenohemi kujtdo. Vetëm për prodhimin e partive politike kemi një rendiment që na e kanë zili të gjithë, bile edhe libri Gines.

 

Për turp të zotit, edhe pse të tilla brohoritje na kanë lënë pa fjalë jo vetëm ne të shkretët shqiptarë, që ende kemi mbetur në këto troje, po edhe gjithë miqtë tanë të mirë ndërkombëtarë. Të gjithë ne dhe ata jemi të habitur, pasi për turp të zotit, edhe pse kemi mbetur më të varfërit e kësaj Evrope plakë, një peshqesh i ndyrë që kjo klasë politike na ka lënë, vazhdojmë t’u shkojmë pas këtyre palo-politikanëve që janë fajtorët e vetëm të kësaj situate tragjike ku jemi zhytur ne shqiptarët. Ndaj këto protesta na shërbejnë për të shfryrë dufin e madh që na është mbledhur për afro 30 vjet e që nuk po di ku e si të zbrazet. Ndërsa palo-politikanët në mënyrën më të paturpshme vazhdojnë ritualin e tyre të mashtrimit të shqiptarëve të shkretë duke vazhduar pa asnjë ndërprerje ritualin e plaçkitjes së tyre.

 

Tashmë, një gjë dihet mirë. Shqiptarët kanë humbur çdo shpresë se një ditë do të mund ta thyejnë varfërinë që i ka pushtuar, pa zhdukur nga faqja e dheut këtë klasë politike që për afro 30 vjet vetëm i ka plaçkitur. Të gjithë kanë humbur çdo shpresë, ndaj shumica po ia mbath vrapit me të katra larg, shumë larg, me të vetmin synim: t'i shpëtojë nga varfëria dhe mjerimi pasardhësit. Pasi këtu siç kanë ardhur punët, ndoshta asnjëherë nuk do të kemi një shtet tamam. Pasi deri tani, për afro 30 vjet kemi mundur të ngremë vetëm një gjysmë shteti krejtësisht nepotiko-familjar. Ndaj askush nuk pret dhe nuk ka besim te një e nesërme më të mirë. Përderisa kemi në krye të punëve një klasë politike që për afro 30 vite ka punuar vetëm për xhepin e saj duke pasuruar vetëm familjen e vet, përmes shtimit të varfërisë për shumicën e shqiptarëve. Ndërsa për të vënë në lojë shqiptarët e shkretë, kjo klasë politike paturpësisht gjithnjë vazhdon të flasë vetëm për rritje ekonomike. Sot kur ne vetëm varfërohemi, palo-politikanët tanë flasin për rritje ekonomike 4,2 për qind. Ashtu si pak vite më parë, kur flisnin se kishim rritjen ekonomike më të lartë në Evropë dhe na e kalonte për pak gjë vetëm Gjermania. Të tillë palo-politikanë kemi ne shqiptarët, pa krenohen me numrin e madh të protestuesve që kanë mundur të mbledhin, një tregues i pastër i paturpësisë që i udhëheq në çdo hap që bëjnë.

 

Tashmë këtyre palo-politikanëve është e udhës t’u bëhet e qartë. Shqiptarët kanë dalë në shesh, për shkak të varfërisë së tejskajshme, për shkak të mjerimit që po “i pushton” gjithnjë, por edhe pse kanë humbur gjithë besimin e shumicës së shqiptarëve. Ndaj kjo klasë politike duhet ta dijë mirë. Shqiptarët kanë dalë për vete dhe jo për lloj-lloj palo-politikanësh albanezë, që janë shkaktarët e vetëm të kësaj varfërie e mjerimi që sot “ka pushtuar” shumicën e familjeve shqiptare.

 

Paçka se janë të paturpshëm kur na broçkullisin sa herë janë në opozitë se fajtor është pushteti. Ndërsa heshtin për lloj-lloj krimesh të kryera kur vetë ishin në pushtet. Sot broçkullisin për vjedhjen e votave, një dukuri që ka nisur që në mesin e viteve ’90 dhe e kanë kryer të gjithë duke nisur nga PD, PS, LSI etj, etj. Çudia është se vazhdon të heshtet për krime shumë të rënda si Gërdeci, apo 21 janari, apo vjedhja e milionave në Rrugën e Kombit, apo në Unazën e Re të Tiranës etj., etj.

 

Është një heshtje që nuk ndodh kund tjetër. Te ne ndodh kështu, pasi padëshkueshmëria është motiv që ka udhëhequr gjatë këtyre 30 viteve këtë klasë politike. Pandëshkueshmëria na ka sjellë ne shqiptarëve të kemi në krye të punës vetëm një klan maskarenjsh, të cilin e kemi shumë të vështirë ta largojmë nga froni. Zaten, këtë e kanë kuptuar edhe miqtë tanë, të cilët kanë nisur të na afrohen më tepër me të vetmin synim: të na shpëtojnë ne nga sundimi i çmendur i grupit të maskarenjve.

 

Praninë e tyre po e ndjejmë ne të varfërit edhe këto ditë, kur të gjithë me një fjalë të vetme po kritikojnë braktisjen e parlamentit nga opozita, e cila në të vërtetë nuk dihet tamam-tamam se çfarë kërkon. E thamë, nëse janë vetëm votat e vjedhura, fenomeni është i vjetër sa nisja e demokracisë në këtë vend. Ne shqiptarët më së pari mësuam si t’i vjedhim votat. Për të tjerat, t’ia nisim e t’i numërojmë. Veçse jo me politikanët e sotëm, që janë fajtorët e vetëm e të pandëshkuar për të gjitha të zezat që kanë mbështjellë Shqipërinë gjatë këtyre afro 30 viteve.

 

Të gjithë heshtin për pandëshkueshmërinë, dukurinë më të çuditshme në këtë gjysmë shtetin shqiptar. Një pandëshkueshmëri që i ka bërë shqiptarët të ndjehen në vatrën e tyre si muhaxhirë. Përse heshtët për padëshkueshmërinë që ka pushtuar jo vetëm administratën, po gjithçka në këtë vend. Veçanërisht sistemin e drejtësisë që ende sundohet nga “plazhistët e Durrësit”.

 

Kur do të nisë starti i ndëshkimit të peshkaqenëve që kanë mundur ta plaçkisin gjithë Shqipërinë. Na u tha se starti do të nisë në janarin e vitit 2018. Kaloi një vit, do të ikë edhe i dyti, ndërsa ne shqiptarët po shohim vetëm rritjen e varfërisë sonë dhe dhjamosjen më të madhe të peshkaqenëve.

 

Asgjë të hajrit nuk po na sjell kjo farë klase politike. Gjithçka që na vjen është çfarë i shkon në mendje kryetarit - mbret të Partisë, të cilit i binden si skllevër të gjithë nga i pari te i fundit. Edhe pse mund të ketë shumë gjynahe. Kështu ndodhi edhe me braktisjen e parlamentit. Mbretit Lulzim i shkoi nëpër mend dhe menjëherë të tjerët ia zbatuan vullnetin pa bërë asnjë fjalë. Edhe pse miqtë e mirë na këshillonin në vazhdimësi se në një demokraci, parlamenti është shkalla e parë ku çështjet politike prekin gjithë vendin, ndaj ato duhen debatuar dhe aty duhen gjetur edhe zgjidhjet.

 

Te ne, për turp të zotit, të gjithë i bindemi kryetarit – mbret. Ndaj kemi mbetur më të varfërit e Evropës, ndaj kemi mbetur pjesëtarë të një gjysmë shteti. Ndaj prej 30 vitesh vazhdojmë të brohorasim: “Liri - Demokraci, E duam Shqipërinë si Evropa”.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0