Home | Opinion | Destabilitet apo zgjidhje?

Destabilitet apo zgjidhje?

image
Amerika sot është aleati më i madh i botës shqiptare në Ballkanin perëndimor...

 

Nga Stiljan Dedja

 

 

Disa autoritete amerikane janë shprehur se kjo kohë është e shqiptarëve dhe e Ballkanit perëndimor, se miqësia e vjetër midis SHBA dhe Shqipërisë do të vazhdojë edhe për 100 vjet të tjera. Kjo ndoshta është pak e vështirë për t’u kuptuar dhe shpjeguar, por ato na japin një shpresë ne, se bota shqiptare në Ballkan do të rritet dhe forcohet gjithnjë dhe më shumë. Sot faktori shqiptar apo shqiptarizmi është një forcë që do të çojë përpara rrjedhën e historisë së botës shqiptare në Ballkan dhe më gjerë. Sot, asnjë vend në rajon dhe Europë nuk mund të ndalë dot ngritjen, gjallërimin dhe forcimin e faktorit shqiptar në këto troje. Sot, shqiptarët kanë shtetin e ri të Kosovës, shqiptarët në Maqedoni sot janë një etni, ku iu është njohur e drejta e përdorimit të gjuhës Shqipe si një gjuhë e dytë zyrtare apo shtetërore. Edhe në njohjen dhe aprovimin e marrëveshjes së Prespës, për njohjen e emrit të ri të “Maqedonisë veriore”, ato kanë kontributin vendimtar në aprovimin e kësaj marrëveshje, duke u bërë në këtë rast një faktor stabiliteti në shtetin maqedonas, duke treguar njëkohësisht vlerat demokratike dhe perëndimore të kësaj etnie, që sot jeton në të gjithë trevat e Ballkanit. Faktet kanë treguar se bota shqiptare është kthyer sot në një faktor paqeje dhe stabiliteti për të gjithë rajonin.

 

Amerika sot është aleati më i madh i botës shqiptare në Ballkanin perëndimor, si dhe miku më i madh i shqiptarëve në rajon dhe kudo në botë, ajo është shpresa e vetme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Të gjitha shtetet sot në Europë dhe në botë kanë pranuar SHBA si aleatin më të ngushtë dhe përkrahësin më të madh të shqiptarëve në rajon. Sot, interesat amerikane në hapësirën e Ballkanit përputhen me interesat e shqiptarëve për forcimin dhe rritjen e botës shqiptare. Merita për ngritjen e shtetit të ri të Kosovës i dedikohet në rradhë të parë vendosmërisë amerikane, si dhe aleatëve të tyre europianë si dhe luftës për pavarësi të popullit liridashës të Kosovës. Ndërhyrja amerikane në Ballkan ka sjellë zvogëlimin e influencës dhe të faktorit rus dhe serb në këtë rajon. Kam shpjeguar dhe argumentuar në një artikull timin më parë, që bota shqiptare duhet të formohet në një shtet të vetëm, dhe pastaj mund të tentojë të jetë pjesë e Europës së bashkuar. Futja e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe lënia e një pjese tjetër të botës shqiptare si pjesë e shteteve të tjera ballkanike, do të ishte një vazhdim i kontradiktave shekullore midis shteteve, të cilat do t’i transmetoheshin Europës si dhe do të ishte një faktor e një shkak për destabilitet, një precedent në dëm të qëndrueshmërisë së kontinentit të vjetër europian. Jam i bindur që edhe në Europën e bashkuar pas anëtarësimit të Shqipërisë, do të vazhdonte përpjekja e shqiptarëve për bashkimin e tyre në një territor të përbashkët dhe në një shtet shqiptar brenda kësaj Europe të bashkuar. Edhe situata e tanishme në Shqipëri, ku opozita ka dorëzuar mandatet dhe është larguar nga parlamenti, nuk duhet kuptuar si një destabilitet, por si një përpjekje e shqiptarëve, si atyre që drejtojnë sot qeverinë, dhe atyre në opozitë sot, për të mos pranuar hapjen tani të negociatave, por më parë bashkimin e botës shqiptare në një Ballkan demokratik dhe të lirë. Nuk ka si shpjegohet ndryshe, që sa herë që ne i afrohemi pranimit dhe hapjes së negociatave me bashkimin europian, situata në Shqipëri acarohet dhe kërkohet rrëzimi i qeverisë. Nëqoftëse edhe këtë herë më 28 qershor nuk do të hapeshin negociatat për në Bashkimin Europian atëhere kjo do të ishte hera e tretë e refuzimit të hapjes së negociatave për në BE.

 

Në fillim, në pushtet ishin demokratët, të cilët u akuzuan nga socialistet për vjedhjen e votave në rrethin e Fierit, dhe ky cikël vazhdon, ku vazhdimisht partitë që për momentin ndodhen në opozitë bëhen pengesë për çeljen e negociatave, këtë ka bërë Partia Socialiste në fillim dhe këtë po bën edhe sot Partia Demokratike me aleatet e saj. Këtë e përforcon edhe fakti, që kur përfaqësuesit tanë politikë shkojnë në Bruksel tregojnë një arrogancë dhe një qëndrim jo të denjë, dhe as me një kulturë minimale demokratike të papajtueshme me sjelljet e një politikani europian. Unë mendoj që të dy partitë kryesore ndjekin një strategji të qartë, për të mos iu afruar Europës por vetëm SHBA, e cila qëndron si një shpresë e vetme për zgjidhjen e problemit mbarëshqiptar në rajon. Loja e opozitës se gjoja çdo gjë shkon keq, nuk është bindëse, por agresiviteti dhe ngritja e problemeve prej saj si një tragjedi për çdo gjë, mendoj që është artificiale dhe nuk të bind. Synimi i opozitës besoj që nuk qëndron tek rrëzimi i qeverisë dhe marrja e pushtetit, por kam bindjen se qëllimi i saj i vërtetë është të dëmtojë dhe të mos bëhet e mundur çelja e negociatave me Shqipërinë në këtë qershor. Kjo situatë, ku opozita qëndron jashtë parlamentit dhe bën revolta të dhunshme e detyron Bashkimin Europian të rishikojë qëndrimin e saj në lidhje me hapjen e negociatave. Do të shohim që në momentin që Bashkimi Europian do të shprehet në hapjen apo mos hapjen e negociatave me Shqipërinë në qershor, situata politike në Shqipëri do të qetësohet dhe do të kthehet në normalitet. Kjo situatë përsëritet vazhdimisht gjithmonë kur Shqipëria i afrohet Bashkimit Europian. Kjo lidhet edhe me faktin që edhe Bashkimi Europian sot është i përçarë dhe nuk ka fuqi të mbrojë çështjen shqiptare, gjithashtu, dhe se shqiptarët kanë përvojën e hidhur të fillim shekullit, kur fuqitë kryesore të Europës për të ruajtur dhe balancuar interesat e Rusisë, Serbisë dhe Greqisë me ato austro-hungareze e kanë ndarë dhe copëtuar Shqipërinë deri në kufijtë e egzistencës së saj, dhe si pasojë rreth 2/3 e territorit shqiptar mbeti jashtë shtetit politik shqiptar.

 

Shqiptarët besojnë vetëm te Amerika, sepse historikisht ajo ka treguar vendosmëri dhe i ka mbrojtur shqiptarët nga copëtime territoresh të mëtejshme. Ajo i ka penguar sadopak europianët të bëjnë pazare në kurriz të Shqipërisë dhe të Shtetit Shqiptar. Presidenti amerikan, Willson në “Konferencën e paqes” në Londër më 1918 nuk lejoi copëtimin e Shqipërisë dhe zhbërjen e kombit shqiptar. Të gjithë vendet europiane tashmë e kanë kuptuar politikën amerikane në lidhje me Ballkanin perëndimor. Sot, Rusia dhe Serbia nuk janë në gjendje dhe nuk mund të përballen e të mundin sot politikën amerikane në lidhje me Ballkanin dhe botën shqiptare. Besoj që edhe Europa sot është më afër politikës amerikane në lidhje me Ballkanin dhe botën shqiptare, gjë të cilën e ka shfaqur më parë me këmbënguljen e Austro-Hungarisë në shpalljen e pavarësisë të Shtetit të ri Shqiptar.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0