Jeto i lirë, ose vdes si hero
Kompani dhe ndërmarrje vendore pikërisht për shkak të tenderave edhe kanë falimentuar.
Nga Gjon Neçaj
Ende e mbaj mend kur këtu e 10 vjet më parë, në rrjetet sociale, shtrohej pyetja dhe hidhej në diskutim të lirë se në aktualitetin shqiptar çfarë na pengon të ecim përpara, madje jo vetëm për shqiptarët e shtetit amë, por edhe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Duke e shikuar në disa këndvështrime aktualitetin mbarë shqiptar e kudo në trojet e tjera etnike, ende gjendemi përballë një turbulence të përgjithshme, ku, së pari mbizotëron kaosi politik, varfëria ekonomike, papunësia, emigracioni i pafund e shumë fenomene të tjera.
Largimet nga puna, reformat e dhimbshme, por mbase të duhura, përbëjnë humbjen e shpresës si në Shqipëri dhe në Kosovë për shumicën e të rinjve dhe po mësyjnë ikjen nga atdheu. Ikjet, ndonëse tashmë Europa është treguar e “ashpër” për azilantët shqiptarë, janë për motive ekonomike. Akoma në Shqipëri nuk ka stabilitet politik as ekonomik.
Akoma në Shqipëri nuk ka stabilitet politik as ekonomik, por vijojnë të sundojnë njerëz të korruptuar, të cilët çdo ditë pasurohen me lekët e taksapaguesve shqiptarë, duke abuzuar me fondet e shtetit, korrupsionin pasiv dhe me tenderat. Këto abuzime cilat bien mbi sovranin e lodhur dhe të sfilitur prej një çerek shekulli me gënjeshtra e spekulimet, me një drejtësi që nuk pranon dekriminalizim e reformë, e një mijë e një qind problem të tjera tashmë grumbulluar qeverisë Rama, mbi kurrizin e së cilës bien fajet e politikës 27 vjeçare të shqiptarëve.
Çuditërisht e njëjta situatë politike dhe ekonomike sundon edhe në Kosovë, ku pakënaqësia popullore ka arritur kulmin. Politikanë dhe pushtetarë të mefshtë, të korruptuar, i kushtojnë më shumë rëndësi paraqitjes së tyre të jashtme para mediave, se sa për të përveshur llërët për zgjidhjen e problemeve akute që ka shteti i Kosovës në shumë plane, e veçanërisht shqiptarët në Mitrovicë, në Kosovën Lindore etj.
Akoma nëpër Europë shfaqet fenomeni ku qindra kosovarë me familjet e tyre ende trokasin dyerve të ambasadave serbo-malazeze për një pasaportë, apo dokument tjetër të këtij lloji e ku duhet të deklarojnë shtetësinë serbe për çështje dokumentash, veprime këto që detyrimisht janë të imponuara nga zyrtarët e vendeve ku kosovarët gjenden si azilantë gjatë viteve.
E dhimbshme, por e vërtetë. Sovrani nuk kërkon që ne të hamë me lugë të florinjtë, siç shpreheshin në fillimvitet nëntëdhjetë disa trutharë që nga mungesa e përvojës në politikë mbetën të shpëlarë para tij, por të paktën të ruajmë disa vlera si komb dhe t’i zhvillojmë ato duke përqafuar vlerat e kohës, duke u ndarë përfundimisht nga ky tranzicion i dhimbshëm, duke marrë fund reformat institucionale, duke garantuar ato çka shkruan ligji themeltar i shtetit, kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e gjyqtarët e “plepave” të dalin në pension tashmë se kanë plotësuar vitet e punës.
Jo vetëm vitet e fundit, por vazhdimisht gjatë këtyre dy dekadave pluralizëm politik, ka ndodhur, e në fakt më së shumti se në çdo vend të Europës Lindore apo botës së qytetëruar demokratike, korrupsioni është ulur këmbëkryq në zyrat e institucioneve publike. Pikërisht personat, të cilët kanë bërë më së shumti keqpërdorime, në vend që të merreshin masa ndëshkuese ndaj tyre sipas ligjit, në fakt, ata veçse janë “majmur” më shumë në po ata vende pune që ishin më parë, e jo vetëm në dogana, tatime që janë edhe institucionet më të përfolura, po deri në bazë në institucionet vendore.
Fjalën tender e dëgjon në shtëpi, në zyra institucionesh, në kafene, në kino, në teatër, thjeshtë gjithkund dhe kurdo. Shqiptarët, nga dita në ditë, po “tenderizohem”, apo thënë më mirë, përmes tenderëve, nga dita në ditë, po gëlltitet nga një pjesë e pavarësisë së saj së shtetit tonë. Çështja ka shkuar aq larg, sa po t’i pyesish personat, të cilët janë të involvuar në përfitime tenderësh dhe që për fat të keq nuk janë të paktë, se njëmend ç’kuptim ka fjala “tender”, meqë nga ky nocion ata kanë përfituar shifra marramendëse të parave, të njëjtit persona nuk e dinë ç’do të thotë kjo fjalë dhe mbeten si të nemitur.
Kompani dhe ndërmarrje vendore pikërisht për shkak të tenderave edhe kanë falimentuar. Këto fenomene kanë ndodhur për të vetmin shkak se përqindjen, apo “prenë e gjahut” është dashur ta ndajnë te disa persona, pra për të gjithë ata persona që ishin komision në tender dhe kështu shumë pronarë të kompanive vendore edhe kanë falimentuar, pasi ata ishin të detyruar që nga xhepi i tyre të kryejnë projektin e paraparë sipas tenderit të shpallur, pasi fitimi i tyre shpesh here ka dale nën nivelin parashikues.
Çdo qeveri e mandatuar duhet të zbatojnë programin e miratuar për rritjen e mirëqenies se qytetareve të vet, për të qenë një shoqëri e civilizuar po se po, por veçanërisht në nivelet ekonomike të Europës, ku synojmë të arrijmë. Ndonëse nisma të tilla duhej të ishin planizuar prej vitesh, që populli i shumëvuajtur ta shijojë vërtetë lirinë demokratike, duke u bërë ballkon frymëzimi për Ballkanin e më gjerë.
E siç shkruante këtu e vite më parë një publicist dhe akademik shqiptar, nuk ka liri të kriminalizuar, sikundër nuk ka demokraci të dhunuar, e respektivisht nuk ka patur as nuk do ketë liri komuniste në shoqërinë demokratike.
Në dy vitet vijuese të qeverisë aktuale, me ndryshime politike, shumëçka ka ndryshuar mbase për mbarë, e tashmë klasa politike shqiptare në hamendësimin e saj të mos jetë burimi kryesor i konflikteve, por të harmonizojnë bashkëpunimin që varfëria të zbutet e kurba e papunësisë të ulet, të ketë energji elektrike, duke menduar edhe për pensionistët. Duke dialoguar me vetveten, deshifroj thënien e një rilindasi tonë të madh, se “Shqipëria është e shqiptarëve”, e të gjithë jemi përgjegjës ndaj atdheut, ndaj kombit.
Secili prej nesh ka një pjesë fajësimi që t’i nderojmë njësoj heronjtë e kombit, të kemi ekonomi të intensifikuar, tokë sa më shumë të punuar, pyje të gjelbëruara, ara të punuara, lumenj të pastër dhe një Shqipëri “kryezonjë” siç e kanë ëndërruar rilindasit këtu e para një shekulli, se jeto i lirë, ose vdes si hero.
Comments (0 posted)
Post your comment