Pesha e Gruas
Do të parapëlqeja prurjet nga radhët akademike dhe kryesisht fakultetet, ku edukimi i shoqërisë në epokën postmoderne për brezat është prioritar ...
Arian Rexhepi
Shoqëria jonë po shkon drejt hapjes me botën e vlerave në traun e ekuilibrit. Jo për shkak të religjionit, por për shkak të paditurisë dhe egos, ne jemi futur në një qerthull pa fund dhe nuk po mund të dalim. Meqenëse trashëguam një të kaluar të vrazhdë dhe aspak sensibile, pa të drejtë ne jemi përgjegjës për ndarjen e shoqërisë në bazë të përkatësisë gjinore të skajshme. Ndërkohë që bota e civilizuar ka filluar reformat qysh para një shekulli dhe vazhdon edhe sot të eci me ritmin e jetës, duke lënë pas skoriet e kohës. Në një koment të mëparshëm, vë në dukje pasionin te pionierët e sotëm dhe gjykimin nga një juri politologësh që janë specializuar në auditorë universitetesh evropiane, e si ekstrakomunitarë të zellshëm për dije, në moshë fare të vogël kryenin në laborator eksperimente shoqërore sikur të ishin trupa të ngurtë.
Në këta 20 vjet është punuar shumë edhe pak lidhur me problemin maskilist të politikës nga individë jokompetentë dhe pa kohezion synimesh. Në konferenca shtypi, simpoziume apo media vizive dhe të shkruara po vihet gjithnjë e më shumë theksi te thembra e Akilit, një metaforë e gjetur për vendin që i takon femrës shqiptare përkrah shoqeve të saj në mbarë Evropën.
Por problemi jo i vogël do trajtuar me qetësinë më të madhe. Të ndodhur mbi traun e ekuilibrit, ne rrezikojmë të biem nga një gropë septike me kundërmime aromash të shpifura në tjetrën. Nga një shoqëri ekstremisht maskiliste që trashëguam, kemi hyrë në një spirale që spo i shohim fundin. E thënë troç, ne jemi shumë të zbrazët nga shpirti dhe gjithçka që na vjen nga jashtë e vendosim në krye jashtë radhe duke privuar veten. Kjo tregon që etnocentrizmi, që propagandohej me të madhe gjatë viteve të vetmisë së madhe, tani është shuar dhe vendin e tij ka kohë që e ka zënë ksenocentrizmi, një dukuri moderne për popujt e vegjël që gjenden pa përkrahje. Tendenca dhe prirjet e fundit janë vërtet tronditëse.
Në botë femra është parë si burim i pashtershëm dashurie dhe si një valvul shfryrëse e për të mposhtur inatin e dhunshëm që shfaqej në ambiente publike nga politikanë dhe personalitete të ndryshme. Dhe kjo e ka bërë efektin në klasa sipas ndarjes së tyre. Nga një e dhënë zyrtare në Bashkimin Evropian, në nivelet më të larta të drejtimit të saj politikanet femra zënë 30 për të totalit. Shifër e kënaqshme.
Mirëpo çfarë ndodh në skajin tjetër të politikës brenda vendit me prurjet e shumta? Abuzimi që po ndodh i kalon përmasat e shthurjes. Në politikë janë katapultuar si asnjëherë tjetër femra, jo të gjitha pa përmbushur standardet që i takojnë elitës. Shqipëria është e para në këtë drejtim kur nënshkruan marrëveshje apo kalon në Parlament ratifikim traktatesh ndërmjet shteteve palë, ashtu dhe me organizmat botërore dhe subjekte juridike me një status të lartë civilizimi. Fusha e diskutimit është e madhe, por po fokusohem vetëm te politika, pasi ajo është më e lakmuara dhe më pak e përlyera. Nuk kam asgjë me solidaritetin e treguar nga shumë OJF të vendit, që në këtë drejtim po bëjnë më tepër seç mund të bënte një lëvizje e dështuar feministe. Mbështetja e euroatlantike është pa doreza. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se nga dy kampet politike mesazhi është kapur siç duhet dhe po punohet më tej për të arritur standardet. Kur them mesazhi, gjykoj për shifrat ose numrat që zënë femrat në majë të piramidës me vendet e servirura të gjithëpërfshirjes në çdo politikë të vendit. Iniciativa për të hyrë në politikë i ka aktivizuar edhe më shumë prirjet feministe. Mirëpo lumi bashkë me prurjet e shumta sjell edhe kërcunj, që veç tymit që të qelb, nuk bëjnë për ngrohje. Po kujtoj fabulën e farkëtarit dhe shitësit të parfumeve. Nga farkëtari, veç erës së shpifur nuk ke çfarë përfiton, ndërsa nga parfumuesi në mos livandën, do të marrësh erën e mirë të trupit me qëndrimin afër. Tendenca që vërehet është të kemi sa më shumë pjesëmarrje të gruas në të gjitha forumet. Meqenëse vetëkritikohemi se jemi një shoqëri arkaike dhe maskiliste njëherësh, ndoshta dhe nën trysninë e valës që ka përfshirë botën, ne po dëmtojmë veten duke mbyllur sytë para një fenomeni tronditës për të ardhmen e vendit. Bonaparti dhe shumë njerëz të mençur para tij e kanë cilësuar femrën si mollë sherri. Madje, Helena u bë sebep që një perandori si Troja të përmbysej. Dhuna e përjetuar kohët e fundit, që shkon deri në vrasje, në Shqipëri, ku padyshim femra është objekt dhe subjekt i saj, do trajtuar me urtësinë dhe durimin e një të mençuri. E vënë në peshore, kjo dhunë është e papërfillshme kundrejt dhunës verbale të ushtruar nga femrat politikane kur përditë i shohim në konferenca shtypi apo si të ftuara speciale në mediat e ndryshme gjithë pompozitet dhe me luksin e shfrenuar të kohës. Imazhi i tyre, fryrë në mënyrë artificiale nga njerëz me pushtet, po i shpërfytyron si krijesa të brishta dhe shumë të dashura si nëna, kur harrojnë rolin fisnik me ardhjen në jetë dhe pas politikës po rendin si femra histerike.
Pa kriter përzgjedhës po shpejtohet të mbushen radhët vetëm për të kapur standardet që bota na ka vënë si detyrë shtëpie. Ndërkohë që pjesëmarrja në politikë nga gratë kërkon një vëmendje të madhe për faktin e vetëm se është shumë e brishtë dhe rrezikon të thyhet nga mbipesha e mëkatit. Po çfarë ndodh sot që ne flasim?
Reflektimi që bëhet në politikë nga shoqëria civile dhe nga masa e gjerë duket shumë qartë, siç ngelet në lëkurën e rreshkur nga dielli përvëlues në fund të korrikut si ishuj shkëmborë kripa jodizuese. Pasojat e dhunës fizike dhe verbale po i shohim përditë në mediat vizive dhe gazetat e ditës. Gjuha e shtrigës e përdorur rëndom po performohet si një risi në politikë e kohës. E dalë nga goja e një zonjushe apo zonje, fjalori fyes dhe i vrazhdë është poshtërues për nënat dhe motrat tona. Imazhi që krijohet dhe shembulli që jepet është shumë i ulët për brezat e ardhshëm. Nëse për një mashkull mosha për të hyrë në parlament do të qe 40 vjeç, sipas Platonit, për femrën do të qe 48, mosha kur ajo ka mbaruar detyrat e saj si nënë dhe ka arritur pjekurinë e logjikës dhe arsyetimit, pa u përzier me ndjenjën që e ka shumë të dobët për kohën që ka mbetur. Ndoshta me dashje nga politika lejohet fjalori vulgar në gojën e një femre. Për ta përdorur atë sipas interesit, herë për ti trembur kundërshtarët dhe herë për tu mos u marrë seriozisht me problemin që shqetëson vendin.
Është fatalitet kur shikon vajza të bukura që ndërrojnë rolin me burrat dhe në fytyrë nxijnë me lajmin që japin. Pa dashur ne jemi bërë pjesë e fajit, kur nga pozitat e klubeve partiake bëjmë tifo për njërën ose për tjetrën, që në kësi rastesh veten e kanë shitur nga forma trupore. Padyshim dikush fërkon duart, që për konsum politik të brendshëm, ka djegur një jetë që të ardhmen e kishte si nënë shembullore, por u bë pre e epshit karrierist për të qenë sundimtare e botës nga imazhi gënjyer. Pesha e gruas ka marrë një rol tjetër në ditët e sotme. Në administratë i shikon shpesh si eprore dhe pjacën lart e mbajnë, pa pyetur ku shkelin dhe pa menduar hapin e hedhin të rëndë. Si molla e krimbur, estetikisht shfaqen në ambiente publike me veshje serioze. Por a mjafton kjo për tu lançuar në politikë nga njëshi? Me keqardhje shoh se po zhvlerësohen kur përditë i shohim për të mos konsumuar veten burrat e tyre të zellshëm. Do të parapëlqeja prurjet nga radhët akademike dhe kryesisht fakultetet, ku edukimi i shoqërisë në epokën postmoderne për brezat është prioritar dhe në koherencë me trendin e zhvillimit. Dhe zonja të kësaj kategorie ka në politikë. Investimi që ato kanë bërë te vetja me një pjekuri ekselente, pagabueshmërisht i ka ngjitur lart në mënyrë dinjitoze e me seriozitetin e duhur. Nuk jam dakord aspak me rritjen dhe formimin në korridoret e partive. Në këto korridore rritet dhe merr vlerë vesi dhe epshi për të kafshuar tjetrin, që është më i miri. Ose për ti nxjerrë dhëmbët e skërmitur kundërshtarit që pret në llogore çastin e duhur nga humbja e vetëdijes.
Formimi i tyre politik, ardhur nga shkolla të huaja apo ato shqiptare, vlen shumë për të dëshiruar. E para, këtu nuk ka një shkollë të mirëfilltë të shkencave politike që të përgatisë politikanë karriere. Dhe e dyta, trashëgimia universitare nuk ekziston ose u ndërpre për arsye që tashmë janë bërë publike. Ata pak pedagogë që janë me të vërtetë të zellshëm për ti shërbyer vendit, humbasin nën thirrjet frenetike të tifozerisë së çmendur për luftë brezash ose bërryla të forta klanesh të dalë jashtë mode. Për hir të së vërtetës, këta 20 vjet nuk është menduar për vazhdimësi dijesh, pavarësisht ngjyrimit që i jepej me dashje. Sa herë që vihemi përpara një fakti të kryer, aq herë do të ndërrojmë kursin e drejtimit. Dhe e treta, mosha e tyre fare e vogël. Nën avujt dehës të alkoolit dhe shtëllungave të tymit ekstazues ato ëndërrojnë për aventura pabesh apo shtëpi kukullash me princër të kaltër. Kështu mos u çuditni aspak me politologët tanë, që buzët i kanë ende me qumësht dhe japin mësim duke edukuar brezat, pa pasur të qartë synimin. Madje, quajeni si arritje egoizmin e ndonjë pedagogeje të porsadalë nga bankat e shkollës, kur performon sharmin si topmodele me mbishkrimin të rënduar nga pesha si politologe karriere. Dhe rrjedhimisht edhe prurjet që dalin prej këtyre shkollave do të jenë mbresëlënëse për ne që jemi mësuar të presim.
Politika para së gjithash është moral, që në gjuhën tonë është kuptuar me definicionin e gabuar. E reflektuar nga elita egoiste gjithçka është e mundshme në politikën tonë me femra standarde të kësaj kategorie, që derën ta përplasin para syve dhe nga eprori marrin lëvdata.
Comments (0 posted)
Post your comment