Vettingu trondit korrupsionin
Vettingu ka shkundur me themel sistemin e Drejtësisë...
Vettingu iu ka çuar një mesazh PD-PS-LSI se kushdo që është i përfshirë në afera do të ndëshkohet dhe se me ngritjen e SPAK lufta antikorrupsion do të jetë e pandalshme
Ligji i Vettingut ka shkundur me themel sistemin e drejtësisë, duke “groposur” gjithë “bajlozët” e drejtësisë, që kanë rrjepur qytetarët për vite me radhë. I nisur një vit më parë, Vettingu po jep rezultate shumë positive, duke spastruar nga sistemi gjithë të korruptuarit. Nga rezultatet e deritanishme nga procesi i rivlerësimit kuptohet qartë se i gjithë sistemi i drejtësisë ka qenë i korruptuar, ku më e prekur dhe e zhytur në zullume ishte koka.
Këtë e tregojnë faktet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili deri më tani ka shkarkuar plot 17 kryetarë gjykatash dhe prokurorish. Të gjithë emrat e shkarkuar nga KPK kanë pasur problemë të theksuara me pasurinë, ndërsa një pjesë e mirë e tyre kanë rezultuar edhe me problem sa i takon aftësisë së tyre profesionale, por edhe të lidhur me elementë të inkriminuar.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e nisi valën e shkarkimeve në radhët e kryetarëve të gjykatave me Entela Priftin, e cila kishte probleme me pasurinë. Shkarkimi i kryetares së Gjykatës së Apelit Civil Korçë u pasua nga shkarkimi i kryetares së Gjykatës së Apelit Civil Vlorë, Alma Liçaj, pasuria e së cilës ishte po ashtu e pajustifikuar. Problemet me pasurinë rrezikuan edhe karrierën e kryetarit të Gjykatës së Korçës, Admir Belishta, dhe të Gjykatës së Beratit, Agron Vavla.
I shkarkuar është edhe kryegjyqtari i Pukës, Izet Kadana, apo kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Në listë bëjnë pjesë edhe kryetari i Gjykatës së Apelit Tiranë, Hysni Demiraj, si edhe drejtuesi i Prokurorisë së Apelit për Krimet e Rënda, Artan Bajrami. Të shkarkuar janë edhe Petrit Çeno, kryetar i Gjykatës së Apelit Civil Durrës; Dritan Seci, kryetar i Gjykatës së Tropojës dhe Pashk Gjaci, kryetar i Gjykatës së Përmetit. Mes të shkarkuarve është edhe emri i Dritan Rreshkës, i cili para se të merrte vendimin negativ KPK, drejtonte Prokurorinë e Tiranës.
Kryeprokurorëve të përjashtuar nga drejtësia iu bashkuan dje edhe Fatmir Lushi, kryetar i Prokurorisë së Lushnjes, dhe Çlirim Shahini, kryetar i Prokurorisë së Fierit, duke e çuar kështu në 17 numrin e të shkarkuarve. Sipas KPK, prokurori Shahini kishte probleme me justifikimin e burimeve për ndërtimin e një shtëpie dy-katëshe në Sarandë si dhe mosdeklarimin e një huaje prej 2.7 milionë lekësh. Ai kishte probleme edhe me integritetin e figurës, sepse kishte përdorur makinën e një personi të dënuar në Greqi.
Edhe kryeprokurori Fatmir Lushi, i shkarkuar dje nga KPK, nuk arriti të justifikojë blerjen e një shtëpie në Elbasan, ndërsa me probleme rezultoi edhe me figurën, sepse në një rast ka lehtësuar një të pandehur gjatë gjykimit. Pra, deri tani kemi 17 kryetarë gjykatash dhe prokurorish të shkarkuar, çka tregon edhe një herë nivelin e korrupsionit në drejtësinë shqiptare. Fakti që korrupsioni ka mbërritur deri tek “kokat”, tregon se edhe vartësit e tyre janë të zhytur në afera dhe së shpejti do të përballen me KPK.
Vendimet e deritanishme të KPK për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë një sinjal për të gjithë politikanët se ky është një proces i pandikuar politikisht dhe se do të vijojë me goditjet në radhët e drejtësisë.
Nje rol shume te rendesishem ne kete vendimmarrje luan edhe faktor nderkombetar. Jane pikerisht përfaqësuesit e ONM ata që vazhdimisht shtyjnë komisionerët e Vettingut drejt vendimeve të duhura dhe nuk i lejojnë që të ketë asnjë shkelje apo asnjë favor. Në këtë mënyrë, ata kërkojnë të mbajnë të “hekurt” dhe të pandikuar procesin e Vettingut dhe Reformën në Drejtësi, duke iu çuar një mesazh PD-PS-LSI se kushdo që është i përfshirë në afera do të ndëshkohet dhe se me ngritjen e SPAK lufta antikorrupsion do të jetë e pandalshme.
Comments (0 posted)
Post your comment