Drejt një Karte të Re Globale
Mbi parimet themelore të qeverisjes globale...
Nga Carl Bildt
Stockholm – Në gushtin e vitit 1941, para se Shtetet e Bashkuara të hynin në Luftën e Dytë Botërore, kryeministri britanik Uinston Çërçill dhe presidenti amerikan Frenklin D.Ruzvelt, u takuan fshehurazi në brigjet e Tokës së Re, për të diskutuar se si bota mund të organizohej pas luftës.
Diçka e ngjashme ishte tentuar në Versajë, pak më shumë se 2 dekada më parë, por kishte dështuar. Diskutimet ms tyre sollën Kartën e Atlantikut, e cila krijoi një sërë parimesh dhe institucionesh të përbashkëta, që përcaktojnë ende rendin ndërkombëtar 8 dekada më vonë.
Në vitin 1944, konferenca e Breton Uds, hodhi bazat për ngritjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore, dhe institucionet e tjera financiare globale; dhe krijimin e Kombeve të Bashkuara pak më vonë. Fuqitë e Boshtit që e humbën luftën, u shndërruan në demokraci dinamike me ekonomitë e tregut, dhe u integruan në sistemin e ri global, ndërsa stabiliteti u ruajt nëpërmjet strukturave bashkëpunuese të sigurisë, që përfshinë teatrot transatlantike dhe të Paqësorit.
Pastaj erdhën reformat ekonomike të Kinës, duke filluar nga fundi i viteve 1970, dhe shembja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, dhe nga ai moment ëndrra e një qeverisjeje globale shumëpalëshe të parashikuar në Kartën Atlantike, mund të fillonte të realizohej.
Në vitin 1995, Marrëveshja e Përgjithshme e Taksave dhe Tregtisë së Breton Udsit u zëvendësua me Organizatën Botërore të Tregtisë, dhe në më pak se 2 dekada tregtia si pjesë e PBB-së globale, është rritur nga rreth 40 për qind në mbi 70 për qind (për shkak të pranimit të Kinës në OBT në dhjetorin e vitit 2001).
Gjatë kësaj epoke të artë të multilateralizmit, globalizimit dhe zhvillimit social dhe ekonomik, më shumë se 1 miliardë njerëz u nxorrën nga varfëria ekstreme, dhe demokracia u bë normë globale . Por është e qartë, se dekada e dytë e shekullit XXI, ka shënuar ardhjen e një epoke të ndryshme.
Kujtimet e viteve formuese të rendit ndërkombëtar, por edhe të tragjedive që e bënë atë të nevojshme, janë zbehur me kalimin e brezave. Kanë lindur fuqitë e reja, që po e sfidojnë dominimin perëndimor, brenda një konteksti gjithnjë e më shumë të polarizuar.
Dhe përhapja e kohëve të fundit e regjimeve autoritare, ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e demokracisë. Ndonëse strukturat themelore të rendit të pasluftës mbeten ende më këmbë, ato po dobësohen përballë revizionizmit rus, këmbënguljes kineze, përçarjes së SHBA-së dhe pasigurisë evropiane.
Për të rishikuar parimet e Kartës Atlantike në këtë botë sërish të rrezikshme, dy institute të shquara, Këshilli Atlantik në SHBA dhe Qendra për Inovacionin e Qeverisjes Globale në Kanada, mblodhën kohët e fundit politikëbërës dhe mendimtarët, përfshirë edhe mua, nga 19 të ndryshme.
Kur përpiqesh të hartosh një grupim të ri parimesh të përbashkëta, sfida më e madhe është të vendosësh nëse do t’i bësh ato të zbatueshme vetëm për demokracitë e botës, apo edhe për ata që pëlqejnë Rusinë, Kinën dhe Arabinë Saudite. Natyrisht, demokracia është mënyra më e mirë për të siguruar respektimin e të drejtave individuale. Por ndërkohë, debati duhet të jetë i hapur për ata që mbrojnë vlera dhe interesa të ndryshme.
Në rastin tonë, ne donim të prodhonim një dokument që do të kishte ndikim si në “Perëndimin klasik”, ashtu edhe në Brazil, Algjeri, Iran, Indi, Indonezi dhe Vietnam. Diskutimet tona, prodhuan në një Deklaratë Parimesh, të cilën e prezantuam në Konferencën e Sigurisë të Mynihut muajin e kaluar. “Të frymëzuar nga të drejtat e patjetërsueshme që rrjedhin nga etika, traditat dhe besimet tona, ne angazhohemi të synojmë një të ardhme më të mirë për qytetarët dhe kombet tona. Ne do të mbrojmë vlerat tona, do të kapërcejmë dështimet e kaluara me ide të reja, do t’i përgjigjemi me të vërtetën, do të përballemi me agresionin me forcë, dhe do të vazhdojmë përpara me besimin se do të mbizotërojnë parimet tona”.
Deklarata e plotë, përmban 7 deklarata nën titullin “liria dhe drejtësia”, “demokracia dhe vetëvendosja”, “paqja dhe siguria”, “tregjet e lira dhe mundësia e barabartë”, “një planet i hapur dhe i shëndetshëm”, “ ndihmë” dhe “veprim kolektiv”. Në secilën fushë, qëllimi ynë ishte të vendosnim parime që mund të shërbejnë si baza e një konsensusi të ri, pas një debati gjithëpërfshirës global.
Deklarata, nuk është thjesht një rishqyrtim i besimeve të dikurshme. Çështjet mjedisore, janë bërë qartazi më të spitakura sesa ishin më parë, dhe çështjet e sovranitetit duhet të ritheksohen për një botë gjithnjë e më të ndërlidhur dhe të ndërvarur. Shqetësimet rreth asaj se si ndahet prosperiteti brenda dhe ndërmjet vendeve, kanë fituar një peshë të konsiderueshme.
Por vlerat themelore, si respekti për të drejtat individuale, mbeten thelbësisht të rëndësishme, sikurse edhe besimi se “qeveritë që u përgjigjen qytetarëve të tyre, dhe respektojnë sundimin e ligjit mund të zgjidhin më së miri pabarazinë, padrejtësinë e duhur, dhe t’i shërbejnë të mirës së të gjithëve”.
Në fakt, qeveritë e injoruan këtë kusht. Pas 1 viti diskutimesh, deklarata ka marrë mbështetje të gjerë në vende të ndryshme të botës. Por qëllimi ynë, është të fillojmë një debat më të madh, dhe të mos kemi fjalën e fundit. Nuk kemi ndonjë iluzion, se do të konkurrojë Kartën e Atlantikut në aspektin e ndikimit të saj historik.
Por as nuk kemi ndonjë dyshim, mbi urgjencën dhe domosdoshmërinë e një diskutimi të ri, mbi parimet themelore të qeverisjes globale. Pa një debat të tillë, rendi i vjetër do të vazhdojë të rrënohet, dhe do të zëvendësohet nga një “xhungël hobesiane” të sunduar nga pushteti absolut dhe interesi i ngushtë vetjak. Dhe të gjithë e dimë se çfarë solli kjo herën e fundit. /“Project Syndicate”/ Bota.al
Comments (0 posted)
Post your comment