Home | Politics | Epoka e kërcënimeve të mëdha

Epoka e kërcënimeve të mëdha

image
Ndërkohë bota ka hyrë tani në ...

 

 

Nga Nouriel Roubini

 

 

Kërcënime të mëdha po e vënë në rrezik të ardhmen tonë. Jo vetëm vendet e punës, të ardhurat, pasurinë dhe ekonominë globale, por edhe paqen,zhvillimin dhe përparimin e arritur gjatë 75 viteve të fundit. Shumë nga këto kërcënime nuk ishin as në horizont gjatë epokës së begatë të pas Luftës së Dytë Botërore.

 

Unë u rrita në Lindjen e Mesme dhe Evropë nga fundi i viteve 1950, dhe deri në fillim të viteve 1980 nuk u shqetësova ndonjëherë për ndryshimin e klimës që mund të shkatërronte planetin tonë. Shumica nga ne kishin dëgjuar  pak ose aspak mbi këtë problem, dhe emetimet e gazrave serrë ishin ende relativisht të ulëta, krahasuar me nivelin ku do të mbërrinin shumë shpejt.

 

Për më tepër, pas uljes së tensioneve amerikano-sovjetike dhe vizitës së presidentit amerikan Riçard Nikson në Kinë në fillim të viteve 1970, nuk isha i shqetësuar realisht për një luftë tjetër midis fuqive të mëdha, e lëre më pastaj për një luftë bërthamore.

 

Termi “pandemi” nuk figuronte as në ndërgjegjen time, sepse pandemia e fundit e madhe kishte ndodhur në vitin 1918. Dhe asokohe nuk e kuptoja se inteligjenca artificiale mund të shkatërronte një ditë shumicën e vendeve të punës, dhe ta bënte njeriun të duket i vjetruar

 

Po ashtu në atë kohë nuk njihej termi “de–globalizim” dhe “luftë tregtare”. Liberalizimi i tregtisë kishte ecur me hapa të vrullshëm që nga koha e Depresionit të Madh, dhe shumë shpejt do të çonte tek hiper-globalizimi që filloi në vitet 1990.

 

As krizat e borxhit nuk përbënin ndonjë kërcënim, pasi raportet e borxhit privat dhe publik ndaj PBB-së ishin të ulëta në ekonomitë e përparuara dhe tregjet në zhvillim, ndërsa rritja ishte e fuqishme. Ekonomitë e përparuara ishin demokraci të forta liberale, ndërsa populizmidhe autoritarizmi ishin të kufizuara tek një grup vendesh më të varfra.

 

Ndërkohë bota ka hyrë tani në atë që unë e quaj depresion gjeopolitik, me të paktën 4 fuqi të rrezikshme revizioniste – Kina, Rusia, Irani dhe Koreja e Veriut – që po e sfidojnë rendin ekonomik, financiar, të sigurisë dhe gjeopolitik që krijuan Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj pas Luftës së Dytë Botërore.

 

Për këtë arsye, ekziston një rrezik në rritje jo vetëm i luftës midis fuqive të mëdha, por edhe i një konflikti bërthamor. Gjatë vitit të ardhshëm, lufta e Rusisë ndaj Ukrainës mund të përshkallëzohet në një konflikt jo–konvencional, që mund të përfshijë drejtpërdrejt edhe NATO-n.

 

Dhe Izraeli – dhe ndoshta edhe SHBA – mund të vendosin të nisë sulme kundër Iranit, që  është në prag të prodhimit të një bombe bërthamore. Teksa presidentin kinez Xi Jinping po e konsolidon më tej sundimin e tij autoritar, dhe SHBA-ja po i forcon kufizimet e saj tregtare kundër Kinës, lufta e re e ftohtë kino-amerikane po bëhet nga dita në ditë edhe më e ftohtë. Madje ajo mund të “nxehet” shumë lehtë mbi statusin e Tajvanit, të cilin Xi është i përkushtuar ta ribashkojë me kontinentin, dhe të cilin presidenti i SHBA-së Xho Bajden është i përkushtuar ta mbrojë. Ndërkohë, Koreja e Veriut e armatosur me armë bërthamore, ka tërhequr sërish vëmendjen duke lëshuar raketat e saj që kanë kaluar mbi hapësirën ajrore të Japonisë dhe Koresë së Jugut.

 

Një luftë kibernetike po ndodh çdo ditë midis këtyre fuqive revizioniste dhe Perëndimit, dhe shumë vende të tjera kanë adoptuar një qasje pasive ndaj regjimeve të sanksioneve të udhëhequra nga Perëndimi. Ne nuk e dimë ende nëse në Ukrainë ka nisur Lufta e Tretë Botërore.

 

Ky përcaktim do t’u lihet në dorë historianëve të ardhshëm, nëse do të ketë të tillë. Po edhe nëse shpërfillim kërcënimin e një Apokalipsi bërthamor, rreziku i një Apokalipsi mjedisor po bëhet gjithnjë e më serioz.

 

Nga ana tjetër ekziston një rrezik në rritje i pandemive të reja, të cilat do të ishin edhe më të këqija sesa pandemitë biblike, për shkak të lidhjes midis shkatërrimit të mjedisit dhe sëmundjeve zoonotike. Kafshët e egra, bartëse të patogjenëve të rrezikshëm, janë në një kontakt gjithnjë e më të ngushtë dhe më të shpeshtë me njerëzit dhe kafshët shtëpiake.

 

Dhe kjo është arsyeja pse që nga fillimi i viteve 1980, ne kemi përjetuar pandemi dhe epidemi më të shpeshta dhe virulente (HIV, SARS, MERS, Gripi i Derrit, Gripi i Shpendëve, Zika, Ebola, COVID-19). Të gjitha provat sugjerojnë se ky problem do të përkeqësohet edhe më shumë në të ardhmen.

 

Në fakt, për shkak të shkrirjes së ngricës së përhershme siberiane, mund të përballemi shumë shpejt me viruse dhe baktere të rrezikshme, të cilat ishin izoluar nga akulli për mijëra vite.Për më tepër, konfliktet gjeopolitike dhe shqetësimet e sigurisë kombëtare po nxisin luftërat tregtare, financiare dhe teknologjike dhe po përshpejtojnë procesin e de–globalizimit.

 

Rikthimi i politikave të proteksionizmit dhe rivaliteti Kinë-SHBA, do t’i bëjë më të fragmentuara ekonominë globale, zinxhirët e furnizimit dhe tregjet. Kur të mbërrijë recesioni ekonomik, ai nuk do të jetë i afatshkurtër dhe i lehtë, por i gjatë dhe me kosto të madhe. Aktualisht ne po përjetojmë elementët më të këqij të viteve 1970 dhe 2008. Goditje të shumta dhe të vazhdueshme negative në krahun e ofertës, kanë përkuar me raportet e borxhit që janë edhe më të larta se sa ato që ishin gjatë krizës financiare globale.

 

Këto presione inflacioniste po i detyrojnë bankat qendrore të shtrëngojnë politikën monetare, edhe pse jemi duke shkuar drejt një recesioni. Dhe kjo gjë e bën situatën aktuale thelbësisht të ndryshme nga kriza financiare globale dhe kriza e shkaktuar nga Covid-19.

 

Të gjithë duhet të përgatiten për atë që mund të mbahet mend si Kriza e Madhe Stagflacioniste e Borxhit. Në çdo rast, këto kërcënime të mëdha do të kontribuojnë në rritjen e mëtejshme të pabarazisë së të ardhurave dhe pasurisë, e cila tashmë ka ushtruar presion të madh mbi demokracitë liberale (ato që kanë mbetur pas revoltës kundër elitave) dhe që kanë nxitur ngritjen e regjimeve populiste radikale dhe agresive.

 

Manifestimet e krahut të djathtë këtij tendence mund të gjenden në Rusi, Turqi, Hungari, Itali, Suedi, SHBA (në kohën e Donald Trump), Britaninë e pas-Brexit-it dhe shumë vende të tjera. Ndërkohë manifestimet e krahut të majtë mund të shihen në Argjentinë, Venezuelë, Peru, Meksikë, Kolumbi, Kili dhe së fundmi në Brazil.

 

Po si mbërritëm në këtë pikë? Një pjesë e problemit është se ne prej kohësh e kemi fshehur kokën në rërë si struci. Dhe tani duhet të kompensojmë kohën e humbur. Pa ndërmarrë disa veprime vendimtare, rrezikojmë të hyjmë në një epokë që do të jetë më pak si 4 dekadat pas Luftës së Dytë Botërore, dhe më shumë si 3 dekadat midis viteve 1914-1945.

 

Ajo periudhë na dha Luftën e Parë Botërore; pandeminë e Gripit Spanjoll; kolapsin e bursave në Uoll Strit në vitin 1929; Depresionin e Madh; luftërat e mëdha tregtare dhe valutore; inflacionin, hiper–inflacionin dhe deflacionin; krizat financiare dhe ato të borxhit, që çojnë në falimentime; si dhe ngritjen e regjimeve autoritare militariste në Itali, Gjermani, Japoni, Spanjë dhe gjetkë, duke kulmuar me Luftën e Dytë Botërore dhe Holokaustin.

 

Shmangia e këtij skenari të zymtë nuk do të jetë e lehtë. Ndërsa ka zgjidhje të mundshme për çdo kërcënim madhor, shumica e tyre janë të kushtueshme në periudhë afatshkurtër, dhe do të sjellin përfitime vetëm në një periudhë afatgjatë.

 

Po ashtu, shumë prej tyre kërkojnë risi teknologjike, që nuk janë ende të disponueshme ose të konsoliduara, duke filluar me ato që nevojiten për të ndalur ose ndryshuar ndryshimet klimatike. Ç’është më e keqja:kërcënimet e mëdha aktuale janë të ndërlidhura midis tyre, dhe për këtë arsye mund të përballohen më së miri në një mënyrë sistematike dhe koherente.

 

Për të parandaluar Apokalipsin e ardhshëm, është e nevojshme një udhëheqje e brendshme, si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik, si dhe një bashkëpunim ndërkombëtar midis fuqive të mëdha. Por për momentin ekzistojnë shumë pengesa të brendshme dhe ndërkombëtare për politikat që do të mundësonin një të ardhme më pak të zymtë.

 

Shënim: Nouriel Roubini, profesor ekonomisë në Shkollën e Biznesit të Universitetit të Nju Jorkut, SHBA. Autori i librit “Kërcënimet e mëdha:Dhjetë prirjet e rrezikshme që rrezikojnë të ardhmen tonë, dhe si t’u mbijetojmë atyre”. / “Project Syndicate” / Bota.al

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00