Italia dhe Franca pro Shqipërisë për liberalizimin e vizave
Sipas dy kryediplomatëve, liria e qarkullimit në BE është themelore për t’u bërë të mundur popujve të Ballkanit Perëndimor të ndihen anëtarë të familjes evropiane.
Blerina Gjevori
Franca dhe Italia mbështesin fuqimisht liberalizimin e vizave për Shqipërinë brenda kësaj vere. Ministrat e Jashtëm të këtyre dy vendeve, përkatësisht Bernard Kouchner dhe Franco Frattini janë shprehur optimistë për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën.
Në një artikull të publikuar nga “La Repubblica” dhe “Le Monde”, ministrat e Jashtëm të të dyja vendeve janë shprehur në favor të liberalizmit të vizave në zonën Shengen për boshnjakët dhe shqiptarët duke e konsideruar këtë si një hap më tej për stabilizimin e Ballkanit. “Brenda një afati të shkurtër, shpresojmë në veçanti se Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina mund të përfitojnë liberalizim vizash për qëndrim të shkurtër në hapësirën Shengen”, shkruajnë në të përditshmen franceze dy ministrat, të cilët biseduan për perspektivat evropiane të Ballkanit Perëndimor në samitin franko-italian të premten në Paris. Artikulli pason bisedimet e palës franceze dhe italiane në këtë samit.
Ndër të tjera, dy ministrat shprehen megjithatë se duhet të përmbushen kushtet teknike, por nuk duhet të lejohet krijimi i idesë se myslimanët e Ballkanit do të diskriminohen dhe se nuk do të lejohen të përfitojnë nga masa nga të cilat përfitojnë serbët ose malazezët që prej fundit të vitit 2009. Sipas dy kryediplomatëve, liria e qarkullimit në BE është themelore për t’u bërë të mundur popujve të Ballkanit Perëndimor të ndihen anëtarë të familjes evropiane. “Për të ecur përpara, para së gjithash duhet të shënohet progres për çështjen europiane. Ky veprim nuk mund të mbetet peng i një politike përsa i përket vizave”, vijon artikulli, që mban firmën e Bernard Kouchner e Franco Frattinit.
Në fund të vitit të kaluar vendet e zonës Shengen dhanë miratimin për heqjen e vizave me tri vende të Ballkanit, Serbi, Maqedoni dhe Mali i Zi, Shqipëria dhe Bosnja nuk përfituan. Zona e quajtur Shengen përfshin vendet e Bashkimit Evropian, përveç Britanisë së Madhe, Irlandës, Norvegjisë dhe Islandës. Komisioni Europian pritet të vlerësojë së afërmi mundësinë e heqjes së detyrimit të vizave për shtetasit boshnjakë. Në të njëjtin artikull, Kouchner dhe Frattini kujtojnë se Serbisë dhe Kosovës, që kanë prirje të njëjtë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, u duhet ende punë për të organizuar bashkëjetesën. “Pa vënë në zbatim të paktën fqinjësinë e mirë, përkatësia në të njëjtin bashkim është e pamundur dhe Franca dhe Italia kanë të njëjtin mendim lidhur me këtë çështje”, theksojnë ata.
Franca pro liberalizimit të vizave
Pas deklarimit të ministrave të Jashtëm të Francës dhe Italisë, përkatësisht Bernard Kouchner dhe Franco Frattinit, për liberalizimin e vizave për shqiptarët dhe boshnjakët, ka reaguar edhe ministria e jashtme franceze, pro liberalizimit të vizave. Zëdhënësi i kësaj ministrie, Bernard Valero për Deutsche Welle është shprehur se Franca e mbështet liberalizimin e vizave për vendet e rajonit. “Liberalizimi i vizave për banorët e Shqipërisë dhe të Bosnje Hercegovinës është diçka tepër e rëndësishme për integrimin e këtyre vendeve në Bashkimin Evropian”, ka thënë Valero.
Sipas agjencisë së lajmeve AFP, në një takim të mëparshëm të dy ministrave të jashtëm, Kouchner dhe Fratini, shefi i diplomacisë franceze, Kouchner është shprehur se Shqipëria e meriton të legjitimojë të gjitha përpjekjet që ka bërë gjatë gjithë këtyre kohëve për t’u integruar. Ndërsa, Frattini në një vizitë të posaçme që ka bërë në Tiranë ka deklaruar se heqja e vizave do të ndodhë brenda muajit qershor, në mënyrë të atillë që plotësimi i të gjitha procedurave të mbarojë në vjeshtën e këtij viti, që shqiptarët të lëvizin më pas të lirë drejt vendeve të BE. Ecuria dhe përpjekjet që ka bërë vendi ynë në këtë drejtim janë vlerësuar nga faktori ndërkombëtar me nota pozitive, duke mbështetur edhe liberalizmin e shpejtë të vizave për Shqipërinë në bazë të këtyre progresive.
Comments (0 posted)
Post your comment