Barroso: BE do të mbrojë euron
Banka Qendrore Europiane tha se do ta blejë borxhin e eurozonës.
Zyrtarët e kanë përshëndetur planin masiv që synon të frenojë përhapjen e krizës së borxheve në Evropë.
Fondi i emergjencës në vlerë deri 1,000 miliardë euro në formë të huave apo garancive u dakordua mbrëmë nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar pas bisedimeve të gjata në Bruksel. Fondi synon mbrojtjen e vendeve të kërcënuara nga vështirësitë financiare, të ngjashme me ato në Greqi.
Kryetari i Komisionit Evropian, Joze Manuel Barroso tha se marrëveshja do të sigurojë që të dështojë çdo përpjekje për të dobësuar euron.
“Marrëveshja e mëngjesit të sotëm do të sigurojë dështimin e çdo përpjekje për ta dobësuar euron. Ajo e tregon vendosmërinë e gjithë Bashkimit Evropian që t’u qëndrojë pranë vendeve anëtare kur ato janë të kërcënuara nga vështirësitë e rënda të shkaktuara nga rrethanat e jashtëzakonshme të dala nga kontrolli”, tha Barroso.
Bankat kryesore u janë bashkangjitur përpjekjeve të koordinuara. Rezervat Federale amerikane thanë se do të tregtojë dollarë për valuta tjera me disa banka qendrore që ato t’i kenë dollarët e nevojshëm.
Banka Qendrore Evropiane tha se do ta blejë borxhin e eurozonës. Sot euroja u rrit në mbi 1.29 $ nga 1.27 $ sa ishte të premten, ndërsa tregjet e bursave në Evropë shënuan rritje. /REL/
Comments (0 posted)
Post your comment