Shqipëria në krizë, Presidenti spektator
A e shikon Topi presidencën si garant të Kushtetutës dhe nëse po, kush do të jenë hapat e tij të shpejta për të parandaluar dhunimin e saj?
Nga Zenel Çeliku
Kriza politike në Shqipëri, pozitë-opozite po agravon dita-ditës. Shqetësimi i popullit duket hapur mbasi, nëse nga 202 grevistët, ndodh ndonjë gjë e keqe (kurrë mos ndodhtë), askush nuk e parashikon se si mund të shkojnë punët. Kjo situatë, është thikë me dy presa, sepse shqiptarët të zhgënjyer moralisht nga kjo politikë me plotë gënjeshtra në 20 vjet, tashmë të rrënuar edhe ekonomikisht, e shikojnë vehten para situatave aspak të këndshme. Shqiptarët së pari janë të zhgënjyer nga mashtrimet e politikës, nga politikanët tanë të papërgjegjshëm dhe së dyti nga Europa plakë. Nuk ngeli figurë e BE, KE dhe BiE pa ardhur në Tirane, duke shprehur nga njëra anë shqetësimin e tyre të një politike konfliktuale dhe nga ana tjetër duke vlerësuar Shqipërinë se në kohët e fundit janë bërë shumë përparime dhe se Qeveria Shqiptare po punon mirë për të plotësuar kriteret dhe detyrat e shtëpisë, për të përfituar shpejt lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë. Pas një maratone vizitash të misionarëve europian, së fundi rezultoi se Europa plakë, asnjëherë nuk i është gjendur pranë Shqipërisë, që në copëzimin e saj e deri tani me dështimin e liberalizimit të vizave. Për zgjidhjen e të ashtuquajturit-ngërç politik, më së fundi afro 2 muaj më parë u aktivizua edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Fillimisht deklaratat e Topit ishin optimiste, se ky ngërç, i cili de fakto ishte një krizë dhe asgjë më pak, do të zgjidhet mes palëve me praninë e tij.Pas shumë negociatash të ndërkombëtarëve, ku të dyja palët, PD-PS mbanin qëndrimet e tyre të palëkundura, hija dhe portreti i Presidentit u venit, aq sa humbi apo po fshihej- kur thotë populli. Nga misionarët e lartë europianë, shpeshherë kemi dëgjuar refrenin se kriteret që duhet të plotësojë Shqipëria për të përfituar liberalizimin e vizave, janë thjesht teknike, ato nuk janë politike. Atëherë cilido mundet të pyesë, meqenëse këto kritere që kërkon Europa janë teknike, përse Shqipërisë iu tregua gardhi, para pak ditësh iu tha, ndal sepse kriza politike është kusht dhe kriter bazë.
Atëhere shqiptarët me të drejtë thonë, ky është zhgënjimi i radhës nga Europa kurvë? Situata e djeshme tregon se gjendja e grevistëve mundet të përkeqësohet me plot rreziqe. Kjo do të thotë se kjo situatë mund të prodhojë skena destruktive dhe të papritura. Së fundi, pas një pauze gati-gati indiferente të Presidentit të vendit, Bamir Topi, para ca ditësh kemi parë serinë e dytë të Topit, i cili ka nisur bisedimet me përfaqësues të politikës shqiptare dhe të komunitetit ndërkombëtar, me qëllimin për zgjidhjen e krizës politike në vend. Topi është takuar me Zv/Kryeministrin Ilir Meta (a thua se Kryeministri Berisha ishte larg, në Kinë), e më pas me ambasadorin spanjoll Montobio, si dhe kreun e KE-së në Tiranë, Lohan. Ndërsa takimi më i rëndësishëm dhe shumë i pritshëm, ishte takimi i Presidentit me ambasadorin amerikan-Uidhers. Më vjen për shtat kur shprehem se takimi më i rëndësishëm dhe më i fuqishëm i Presidentit, bëhet me përfaqësuesin e SHBA-ve në Tiranë, mbasi të gjithë shqiptarët ndjehen dhe aspirojnë për Amerikën partner strategjik, sepse Europa plakë, historikisht Shqipërinë nuk e ka parë me drejtësi. Për çudi, edhe shkrimtari i madh shqiptar-Kadareja, para tre ditësh ka nënvizuar tek gazeta “Bota sot”, se Evropa është armiku numër një i shqiptarëve, SHBA-të janë miqtë më të mëdhenj të shqiptarëve (lexojeni tek “Bota sot” - 9 Maj). Në këtë moment ndoshta Kadareja gjendet disi i revoltuar nga qëndrimi zhgënjyes i Europës, lidhur me dështimin e liberalizimit të vizave momentalisht. Shkrimtari ynë i madh duket tej mase i shqetësuar për shqiptarët, përse kjo plakë Europë, sillet kështu historikisht me Shqipërinë?
Dje duke pirë kafen e mëngjesit me dy ish ministra të jashtëm të Shqipërisë, mjaft të vlerësuar, njëri prej të cilëve një pjesë të kohës e kalon rezident në Amerikë, ndaluan tek kriza politike dhe thanë: Sigurisht që Shqipëria duhet të mbajë marrëdhënie aktive me Europën sepse ne jemi pjesë e saj, por partneriteti strategjik me Amerikën, sot e për jetë duhet të theksohet e të ketë përparësi absolute për politikën dhe për Tiranën zyrtare, pa marrë parasysh se cilët do të jenë në qeverisje. Para disa ditësh kongresmeni amerikan-Engell, deklaroi se shqiptaret duhet të zgjidhin krizën vetë. Kush e ka lexuar këtë frazë, e kush është në gjendje ta kuptojë që politikani amerikan me mjaft kontribut për Shqipërinë, sikur u thotë shqiptarëve, mos e humbni kohën më tej me Europën, por tregoni inteligjencën tuaj për më tej dhe situata të zgjidhet sa më shpejt. Shumë e vërtetë dhe me shumë vend janë këto dy rreshta, sepse edhe vetë shqiptarët kokën e kthejnë nga Amerika, duke pritur se kur do të futen aktivisht në rol miqtë e hershëm të Shqipërisë dhe të shqiptarëve? Çfarë do të thotë Amerika për të zgjidhur shpejt këtë krizë e cila mund të prodhojë fatalitet për shqiptarët? Dhe në fund të fundit, vetëm Amerika mundet dhe ka tagrin që me kredibilitetin e saj të pakonsumuar dhe dashamirës për shqiptarët, të ndikojë pozitivisht e aktivisht mbi politikën e etur për pushtet. Besoj se të gjithë e kanë të qartë se Amerika ka treguar dhe vërtetuar se shqiptarët i do, i vlerëson dhe i është gjendur pranë në kohë të vështira historikisht.
Pra, Presidenti Topi duhet të kthejë vëmendjen dhe përqendrimin e tij në zgjidhjen urgjente të krizës sa nuk është vonë, por duke kërkuar mbështetjen absolute të SHBA-ve, sepse shqiptarët u ngopën me zvarritjet e europianëve. Si shumë e shumë shqiptarë, pyes, a e shikon Presidenti Topi rrezikun e një destabiliteti politik? A e shikon Presidenti se kjo situatë mundet të provokojë sigurinë kombëtare të vendit. A e shikon Topi presidencën si garant të Kushtetutës dhe nëse po, kush do të jenë hapat e tij të shpejta për të parandaluar dhunimin e saj? Presidenti duhet të përpiqet të tregojë autoritetin e tij, që të ulë në tavolinë Kryeministrin Berisha dhe liderin e opozitës, Rama. A e kupton Topi se pa Berishën nuk mund të zgjidhet asgjë? Kush është e ardhmja e Shqipërisë? Mendoj se institucioni i Presidentit duhet të mos flejë para një krize kaq shumë të acaruar. Topi nuk duhet të ketë frikë nga hija e Berishës, mbasi në një mënyrë apo në një tjetër, ai është produkt i tij. Në takime Presidenti duhet të ketë parasysh se nuk mund të konvertohet portreti gjigand i Berishës me atë të Metës. Nëse do të zgjidhet kjo krizë, ajo ka një emër, Berisha dhe vetëm Ai mund të bëjë që ky rrezik të kalojë, por nga ana tjetër, Presidenti duhet ti kërkojë po aq përgjegjësi, edhe liderit të opozitës. Nisma e tanishme e Presidentit Topi,duhet të jetë determinuese ndaj politikës. Tani më shumë se kurrë, Topi duhet ti kërkojë partive politike, stabilitet, politikë konstruktive, larg duart nga provokacionet për interesa pushteti dhe ti kërkojë, që ato të bëjnë politikë të pastër, sepse shqiptarët kanë humbur më shumë kohë se çdo vend tjetër i Ballkanit.
Zoti President, pa humbur kohë, duhet të dilni nga ky gjumë letargjik, duhet të dilni mbi këtë politikë shumë të turbullt. Ju duhet të mos lejoni që kjo politikë të kërcënojë sigurinë kombëtare, e Ju si Kryetar i Shtetit, duhet të garanotoni këtë siguri. Ju Z. Topi, duhet ti kërkoni Kryeministrit i cili ju ka votuar, transparencë të plotë sipas ligjit, të kutive të votimit të 28 Qershorit, por nga ana tjetër duke qenë krejtësisht i paanshëm, si garant i Kushtetutës, Ju Z. Presidnet, duhet ti kërkoni opozitës që kërkesat e saj të mos cënojnë kurrsesi asnjë fije Kushtetutën e vendit. Nëse nuk tejkalohet kjo krizë politike, Shqipëria sërish do të zërë vend në rendin e aktualitetit botëror, si një vend pa stabilitet politik. Le të presim kontributin shumë të pritur të Presidentit të nderuar, le të shpresojmë se këto ditë nuk ka gjumë, por vetëm punë dhe shqetësim për të dalë nga kjo situatë tejet e rrezikshme, dhe së fundi, me besimin se politika shqiptare e ka kuptuar mirë kongresmenin amerikan-Engell, të besojmë se ka ardhur koha që pozitë-opozitë ti japin zgjidhje kësaj krize politike, për të mirën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Comments (0 posted)
Post your comment