Home | Politics | Nervozimi i Europës

Nervozimi i Europës

image
Si rrallëherë të tjera, Europa dhe institucionet e saj janë në një komunikim intensiv me këtë yrt të shkretë të Ilirisë Perëndimore.

 

 

 

Agim Isaku

 

As fytyra e shqetësuar e shefit të zyrës së BE-së Lohan që “sakrifikoi” pushimin e së shtunës dhe u shpreh se “as në Parlament, as në rrugë” nuk ka ndryshuar gjë, as këshillat e Servet Pëllumbit nuk duket se kanë reflektuar gjë në gjetjen e zgjidhjes për krizën aktuale politike. Deklaratat e politikanëve përgjegjës ca më pak. Emocionet e larta që mbështjellin çadrat në bulevard sigurisht që nuk ndihmojnë të shohësh ndonjë shtegdalje...

Si rrallëherë të tjera, Europa dhe institucionet e saj janë në një komunikim intensiv me këtë yrt të shkretë të Ilirisë Perëndimore. Delegacione të Këshillit të Europës, të zyrave të Brukselit, vetë sekretari i përgjithshëm i NATO-s. Madje më shumë se sa kaq: edhe kongresmenët e përtejdetit i “detyruam” që të sqarojnë njëri-tjetrin përballë opinionit publik shqiptar. Ndërsa ajo që ndodhi ditët e fundit ishte një “store” që ka marrë dimensionet e së pabesueshmes, si çdo spekulim. Kishte apo nuk kishte një propozim të OSBE, në mirëkuptim edhe me ambasadat kryesore europiane e atë të Shteteve të Bashkuara, e cila ofronte një zgjidhje kompromisi? Berisha me përgjegjësi e mohoi këtë në konferencën e vet të shtypit të së shtunës. Edhe Topi kishte bërë të njëjtën gjë një natë më parë. Lohan certifikoi në pasditen e vonë atë që kishin thënë dy drejtuesit kryesorë të shtetit shqiptar. Ndërkaq Rama, me një tonalitet tërësisht të ndryshëm nga ai tubimeve të përnatshme, pasi përsëriti se protestat nuk do të ndërpriteshin kurrsesi, ofroi një mundësi kompromisi. Menjëherë shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike iu kundërpërgjigj, duke theksuar se oferta e Ramës nuk ishte në respektim të ligjeve në fuqi dhe nuk respektonte ndarjen e pushteteve.

Sigurisht që sot, ndërsa gjendja e grevistëve do të rëndohet edhe më, do të ketë sërish vajtje-ardhje nëpër dyert e ambasadave të rëndësishme në Tiranë, si dhe të institucioneve kryesore të vendit. Edhe në zyrat e Brukselit dikush-dikush, pa iu hequr aspak kokëdhimbja nga rrëmeti ekonomik që ka përfshirë mbarë Eurozonën, do të ngrejë telefonin e do të pyesë: Ç’bëhet andej nga Shqipëria? Jo pa bezdi, sigurisht. Mbase edhe i nervozuar.

Po në ç’raport jemi ne, domethënë institucionet tona dhe jeta jonë në përgjithësi me realitetet euroatlantike? Në ç’marrëdhënie? A janë të arsyetuara qëndrimet e shfaqura kohët e fundit, shpesh nervoze, që anatemojnë shefat e zyrave ndërkombëtare, qëndrimet dhe sjelljet e tyre? A është kjo shpalosje e një realiteti të ri të këtyre marrëdhënieve, apo pas këtij nervozizmi fshihet diçka tjetër? Dhe në analizë të fundit: e kemi nervozuar ne Europën apo Europa me qëndrimet e përfaqësuesve të vet na ka nervozuar ne?

Nuk është e vështirë të hetohet se së fundmi këto raporte kanë ndryshuar. Edhe pse sytë e shumëkujt janë kthyer nga Brukseli (Vizat. Korrik. Qershor. Mbledhja e radhës e komisioneve gjithfarësh. Vizat sërish e sërish. Dorëzimi i pyetësorëve. Përgjigjja e tyre. Leximi i çdo deklarate si “mbështetje” për njërin apo për tjetrin lider etj., etj.), komenti i asaj që Brukseli synon të kumtojë jo rrallë gjykohet në mënyrë partizane. Sigurisht që ky raport nuk do të ishte bërë objekt i këtij shkrimi nëse do të shfaqej vetëm në nivel të analizës e opinionit apo të gazetarisë në përgjithësi. Deklarimet e para disa ditëve të dy prej ish-ministrave të Jashtëm të vendit (zotit Milo dhe zonjës Dade) aktualisht figura të rëndësishme të opozitës politike shqiptare, për të mos përmendur pastaj aventurierët e njohur politikë që kapin tash e parë foltoret e herëpashershme, ku anatemoheshin jo vetëm aftësitë profesionale të përfaqësuesve të Brukselit, por nuk u kursye që edhe raporti i OSBE-së për zgjedhjet të konsiderohej i korruptuar dhe i manipuluar nga qeveria shqiptare dhe Berisha janë një kulminacion i cili nuk është logjike që të kalojnë pa analizë.

Sigurisht që me kalimin e viteve, me zgjerimin e dialogut Tiranë-Bruksel-Uashington, me përmirësimin e nivelit të administratës dhe të përfaqësuesve politikë të vendit, ishte e pritshme që Shqipëria dhe shqiptarët të dilnin nga ajo gjendje e përvuajtshme ku edhe fjala e cilitdo nëpunës më të fundit të ambasadave të shndërrohej në ligj dhe të futeshin në një nivel partnerial me përfaqësitë e huaja apo me zyrat e Brukselit (nënkupto edhe NATO edhe BE). Ky partneritet së pari do të ishte i mundur kundrejt faktit që institucionet dhe personalitetet politike të silleshin sipas standardeve europiane, pra të aftësoheshin në një marrëdhënie të re interaktive, marrëdhënie e cila do të duhej të kishte në themel interesat europiane të vendit, pra kurrsesi mbështetjen politike të këtij apo atij krahu. Vetëm në këtë raport partnerial do të mundësohej edhe shmangia e këtij nervozizmi që vihet re së fundmi dhe që minimalisht është dëshmi e mungesës së ekuilibrave të brendshëm të shoqërisë sonë. Dhe ky ekuilibër mund të arrihet vetëm nëse sjellja e cilitdo do të ishte e hapur, institucionale, interaktive, pra produktive.

...Ka tash disa kohë që jo vetëm në politikë, por në shkrimtarinë shqiptare është ndërprerë (përjashto ndonjë rast sporadik) shkëmbimi i ideve, (e kishte vënë re edhe Mustafa Nano në një nga shënimet e veta) kundërshtimi i tezave të njëri-tjetrit. Ose vërejmë pozicione të ngurta, më së shumti të shtyra nga partepritë apo, mbase, një ndjesi e fshehtë e përcjellë nga koha kur shkruesit ishin ndihmës të partisë në edukimin revolucionar të masave; ose një sharje e pafund e atij që mendon ndryshe. Edhe më e bezdisshme shpaloset kjo situatë në të ashtuquajturit debate politikë, që nuk janë as më shumë e as më pak veçse përthyerje e realitetit të munguar të jetës parlamentare. Arsyetimi është arratisur, debatimi i argumenteve është shndërruar në sherr. Ke ndjesinë se jo vetëm mitingashët, jo vetëm militantët e partisë, shumëkush hedh fjalën në pritje të miratimit të shefit përkatës. Veshët e publikut buçasin nga vetëtimat e njëanshme politike, që nuk mund të kuptohen veçse si partiake.

Pikërisht këtë gjendje paqëndrueshmërie dhe anshmërie të thekshme politike dëshmonte edhe shkrimi i para disa ditëve i Skënder Minxhozit, një prej penave që e vlerësoj për maturinë dhe elegancën e komunikimit. Ai ngrinte shqetësimin se në zhurmën e përgjithshme të përplasjes politike, citoj: “‘zhurmon’ që për së largu heshtja e ndërkombëtarëve”. Po a është e vërtetë kjo heshtje? Sigurisht që jo. Përveç një sërë deklarimeve të përfaqësuesve europianë në Tiranë, nuk ka se si të mos dëgjohen deklarimet e herëpashershme të komisionerit europian të zgjerimit, ato të presidentit dhe Presidencës së Këshillit të Europës, të anëtarëve të ndryshëm të Parlamentit Europian, të grupimeve politike parlamentare apo jo parlamentare të Europës e deri tek, siç e përmendëm më lart, të një autoriteti me peshë globale sikundër është sekretari i përgjithshëm i NATO-s. Ata kanë folur dhe po flasin, por nëse ajo që thonë ata nuk përputhet me atë që do të dëshironte secili nga ne, atëherë do të thotë se ndryshe nga ne, ata mendojnë, sikundër e tha edhe një zyrtar i lartë amerikan: për shqiptarët.

Sepse, pavarësisht se ç’analiza bëjmë ne, pavarësisht përfshirjes së gjithsecilit në këtë përplasje ballkanike, pavarësisht pretendimit se tash ne jemi rritur e maturuar dhe mund të diskutojmë me ndërkombëtarët si partner, nëse e sjellim gjendjen në atë nivel saqë sërish t’u përgjërohemi atyre për “ndërhyrje” në thelb ne kemi pohuar të kundërtën: që jemi ende si ai fëmija grindavec që me sherret e veta pa përmbajtje, përveçse thyen ç’gjen përpara, nervozon edhe fqinjët, te dera e të cilëve dëshiron të futet.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0