Home | Politics | Krizat si problem lidershipi

Krizat si problem lidershipi

image
Si në Shqipëri, ashtu edhe në Maqedoni dhe Kosovë, opozitat shqiptare reagojnë ndaj gjendjes së krijuar me një gjuhë shumë të ashpër, duke krijuar kudo vatra tensioni.

 

 


 
Gëzim Podgorica

 


Pothuaj në mënyrë të njëkohshme tre kriza me impakt mjaft sensitiv janë shfaqur në mjedisin politik ku jetojnë shqiptarët. Në Shqipëri nuk është vetëm fakti se po vijon prej tre javësh një greve urie, por një marrëdhënie shumë refraktare komunikimi midis mazhorancës dhe opozitës , e shtruar përmes kërkesash ultimative ka rritur ndjeshëm tensionin dhe ka ashpëruar në kufij ekstrem gjuhën e komunikimit. Parlamenti nuk po funksionon si një vend debati dhe miratimi ligjesh të cilat i hapin rrugë reformave të domosdoshme , por si një aneks politik me mundësi të kufizuara.

Në Maqedoni pothuaj çdo vit po shfaqet nga një Radushë, Sopot apo Brodec, të cilat jo vetëm kanë shtuar ndjeshëm mosbesimin ndëretnik, por kanë mbajtur ndezur edhe situatën konfliktuale brenda lidershipit politik shqiptar. Ka një mungesë të theksuar kohezioni për çështjet që janë kapitale për shqiptarët , ndërkohë që Marrëveshja e Ohrit, në cilësimin më të butë të mundshëm do ta konsideronim të ngrirë.

Kosova po shfaq një konflikt të parashikuar, atë midis Eulex-it dhe Qeverisë së Prishtinës, konflikt që ka në thelb zbatimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, por që në vetvete fsheh edhe mjaft probleme të tjera. Ngjan në këto momente sikur kemi një pushtet real që është ai i Eulex-it dhe një pushtet virtual që është ai të cilën e ka votuar populli, por mund ta zhbëjnë ndërkombëtarët. Këto sigurisht me apo pa arbitraritet, janë brenda Kushtetutës së Kosovës, e cila është votuar pothuaj me unanimitet në parlament. Ngjarjet e kohëve të fundit, ku Thaçi doli me shumë vonesë për të reaguar, tregojnë jo thjesht një krisje marrëdhëniesh midis dy faktorëve që qeverisin me koncepte e mënyra të ndryshme Kosovën, por qasje të kundërta në marrëdhëniet me shtetin dhe ligjin.

Si në Shqipëri, ashtu edhe në Maqedoni dhe Kosovë, opozitat shqiptare reagojnë ndaj gjendjes së krijuar me një gjuhë shumë të ashpër, duke krijuar kudo vatra tensioni. Sigurisht që përgjegjësitë opozitare ndryshojnë nga njeri vend tek tjetri, por gjuha mbetet e njëjtë. Normalisht që për të tre krizat nuk mundet të fajësohet opozita, pasi ato janë të natyrave të ndryshme , nuk kanë marrëdhënie kapilare me njëra-tjetrën, kanë specifika krejt të përcaktuara, por ama fatkeqësisht janë të njëkohshme, duke bërë që diplomacia dhe faktori ndërkombëtar të vendosin shumë pikëpyetje mbi sjelljen dhe emancipimin tonë politik. Por njëkohësisht edhe duke u shqetësuar se në këtë çast të papërshtatshëm të krizës globale, që nuk mund ta kalojë pa efekte zinxhir edhe në rajonin tonë, një radikalizmi qëndrimesh e raportesh , përkeqëson ndjeshëm situatat.

Me gjithë durimin e skajshëm për të mbajtur mbi supe barrën e rëndë sociale të krizës që shtrihet përditë e më tepër, fajësimi kolektiv si një popull i “pandreqshëm”, do të ishte shumë i padrejtë për ne. E analizuar me qetësi kjo situatë është më tepër pasojë e sjelljes së lidershipit politik shqiptar, i cili në mënyra të ndryshme është sulur drejt pushtetit me një grykësi të paparë. Ka harruar tërësisht interesat për të cilat flet e betohet dhe kërkon ose mbajtjen e pushtetit , ose marrjen e tij me çdo kusht.

Kur shikon se si tolerohen raste si të Radushës ku mungon guximi për të thënë qoftë edhe një fjalë të vetme, kur familjarizimi me pushtetin duket sheshit, ku fjalori politik është shumë i kujdesshëm që të mos bezdiset Gruevski, nuk ke nevojë të kërkosh shumë për të përcaktuar sjelljen politike të partisë shqiptare në pushtet dhe për të bërë anamnezën e kësaj sjellje. Përfundimi është krejt i lexueshëm: Përfitim maksimal nga mundësitë e dhëna dhe arratisje publike nga premtimet e përgjegjësitë e marra. Gjërat reduktohen tek një grup i caktuar njerëzish që në emër të karrigeve të pushtetit po sakrifikojnë jo vetëm të kaluarën, por edhe të ardhmen. Nuk është larg në këtë këndvështrim sot as mazhoranca aktuale në Kosovë, ndaj së cilës duhej reagimi i skajshëm i Eulex-it për të prerë hovin e korrupsionit që duket se ka plasur sheshit.

Por në se nga njëra anë kemi përpjekje të paprincipta abuziviste me pushtetin, në planin tjetër kemi mungesën e alternativës së opozitave për një qeverisje dhe qasje ndryshe ndaj situatave respektive. Konsumohen shumë energji për të prodhuar baltë, pa qenë të afta të shtrojnë alternativa zgjidhjeje. Duket kanë gjetur rrugën më të lehtë të kritikës dhe të lançimit të gjithçkaje, në vend të ofertave që mundet të kapërcejnë situatat e tanishme dhe krijojnë një profil të ri të imazhit shqiptar.

Pa u futur në detaje, duke analizuar sjelljen e lidershipit politik shqiptar, i cili me ndonjë dallim të vogël është lëshuar pa fre ndaj tortës së pushtetit, pavarësisht nga pozicionet, shikon se këto kriza që janë shfaqur , më shumë se çdo gjë janë krizë lidershipi politik. Kot lodhemi për të bërë analiza socio-politike e për të gjetur arsye të tjera. Janë kriza për pushtet e për përfitimet që vijnë, pavarësisht ambalazhimeve demokratike që përpiqen të shiten. Ngjashmëritë e sjelljes së drejtuesve politikë e komprometojnë hapur këtë dhe nuk lënë shtigje për të bërë arsyetime e deduksione të shtrënguara. Megjithatë janë përsëri votuesit që e paguajnë haraçin.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0