Home | Politics | 2 Korrik '90

2 Korrik '90

image 3 Korrik 1990: © Peter Gebert
Pas Popajve legjendarë të ambasadës italiane, tentativa e parë për kapërcimin e mureve u bë në ambasadën greke dhe gjermane.

 

 

Dy korriku është kthyer tanimë në një datë për të përkujtuar djemtë dhe vajzat, gratë dhe fëmijët që kërkuan tempujt e shpresës duke hyrë në ambasadat e huaja, sepse pikërisht në këtë datë është realizuar një përleshje e ashpër ndërmjet njerëzve të thjeshtë dhe strukturave policore të diktaturës.

Por, në fakt, hyrja nëpër ambasada kish filluar dymbëdhjetë ditë më parë, më datë 20 qershor, kur autobusi fizarmonikë me targë TR 00301, i drejtuar nga shoferi Bujar Alikaj, ndaloi rastësisht pranë mureve të ambasadës greke. Më pas, më 23 qershor, skoda LIAZ e drejtuar nga Fatos Kaceli shpërtheu portën e ambasadës italiane, ndërsa të nesërmen, rreth orës 18.00, skoda e drejtuar nga Kastriot Mano çau mes për mes murit të ambasadës gjermane duke e shembur atë. Pas datës 20 qershor deri në 6 korrik ka pasur kapërcime muresh thuajse në të gjitha ambasadat e huaja, ku veçohet kapërcimi i ambasadës turke, me anë të makinës së plehrave që në një farë mase konsiderohej një spektakël. Përveç ambasadës kineze dhe kubaneze, të cilat nuk i pranuan bujtësit, duhet thënë se të gjitha ambasadat e tjera reflektuan një bujari dhe mikpritje, e cila nuk duhet të harrohet nga politika e sotme shqiptare. Hyrja nëpër ambasada vazhdoi gjithashtu edhe pas datës 2 korrik, por kjo hyrje është bërë lehtësisht nën vëzhgimin e policisë, e cila për disa ditë rresht kishte marrë urdhër të mos reagonte më.

10 - 20 Qershor, plane të dështuara

Pas Popajve legjendarë të ambasadës italiane, tentativa e parë për kapërcimin e mureve u bë në ambasadën greke dhe gjermane. I pari që tentoi të kapërcente muret e ambasadës greke ishte një banor nga Narta e Vlorës, të cilin policët arritën ta kapnin pikërisht ndërsa përgatitej të gjente tangjenten fatale të lartësisë së murit, dhe duke e tërhequr me forcë, pasi e shtrinë përtokë, e goditën rrufeshëm me grushte dhe shkelma derisa i ra të fikët. Akoma edhe sot nuk është bërë ende publik emri i njeriut nga Narta për të cilin muri që kishte ëndërruar si limit shpëtimi u kthye papritur në një qeli burgu ose në një mur pushkatimi. Gjithashtu, një tentativë grupi për të hyrë në ambasadën gjermane kishte dështuar. Duhet shënuar se ato ditë thuhej që në "ambasadën franceze ka mundur të hyjë një njeri", por kjo gjë qarkulloi në formën e legjendës, pa u konfirmuar ndonjëherë saktësisht. Gjatë këtij dhjetëditori u synuan edhe disa ambasada të tjera në rrugët më të përshtatshme, por pa rezultat.

Goditja e parë, 20 Qershor


Autobusi fizarmonikë me targë TR 00301, i drejtuar nga 30-vjeçari Bujar Alikaj, më datë 20 qershor të vitit 1990 në orën 07.40, pasi kishte çuar në punë gratë punëtore të xhenios, u drejtua për tek ambasada greke, duke ndaluar në murin anësor të saj. Brenda, përveç Bujarit, ishte edhe Edmond Vokshi, i cili pas një tentative për kapërcim kufiri në Tropojë, së bashku me gruan shtatzënë dhe djalin e vogël, ishte dënuar me dhjetë vjet burg. Ndërsa gruaja me punë korrektonjëse. Pasi hapën kapakun e sipërm të autobusit, ata kapërcyen murin rrethues, duke u bërë kështu dy banorët e parë të kozmosit të ndaluar deri atëherë. Më 28 qershor në ambasadë hyri edhe gruaja e Mondit së bashku me fëmijët. Por, si u përgatit aksioni i hyrjes. "Një ditë më parë unë isha takuar me Leonidhën (shefi i sigurimit të ambasadës) në hotel 'Dajti', ku e kisha parashikuar për herë të dytë pikësynimin tim përfundimtar. Pasi më parë e kisha takuar te pishinat, - thotë Bujari. - Në këtë takim të dytë Leonidha më tha se 'për t'ju dorëzuar, nuk ju dorëzojmë kurrë, por data e nisjes suaj do të varet nga rrethanat e zhvillimeve të mëvonshme'. Kështu, të nesërmen, me të mbërritur në ambasadë, dy të rinjtë morën kontakte me personelin dhe gjithçka u rakordua brenda pak minutave. "Ndërkaq, nga territori i ambasadës gjermane kapërcyen dy të rinj të tjerë, Ardi dhe Bimi, të cilët pasi kaluan murin rrethues të gjermanes, u hodhën përsëri për tek grekja, - thotë ai. - Ambasadori gjerman mbërriti menjëherë në ambasadën greke duke na thënë se kush dëshironte të qëndronte tek ai, mund të vinte menjëherë, por ne na premtuan në ambasadën greke për kushte të mira, banesë dhe punë sapo të vinim. Kështu që qëndruam të gjithë atje". Ndërkaq, në kryeqytet kjo ngjarje bëri një bujë të jashtëzakonshme si te njerëzit e thjeshtë, ashtu edhe në instancat qeveritare. Mbahet mend se në Teatrin Kombëtar, ndërsa po vihej afishja që paraqiste shfaqjen e një komedie të re, njëra nga aktoret më të njohura të vendit, Eva Alikaj, u tha me zë të lartë organizatorëve: "Hiqeni fare afishen e komedisë, sepse tani të gjithë shqiptarët janë duke vuajtur fatin e tyre të zi dhe ata nuk mund të detyrohen të qeshin përpara kësaj gjendjeje".

23 Qershor, sulm mbi ambasadën italiane

"Në orën 22.00 një tjetër ngjarje e bujshme ndodhi në ambasadën italiane, kur skoda LIAZ e drejtuar nga Fatos Kaceli shpërtheu portën e hekurit duke u futur në mjediset e brendshme të saj. Në këtë makinë ndodheshin, përveç shoferit Burhan Kalaja, edhe Gëzim Tota, Ilia Miri, Luli e disa të tjerë. Në fakt LIAZ-i kishte tentuar një herë shumë orë më parë, por kishte ndërruar destinacion për shkak se përpara portës qëndronin ulur disa policë, të cilët mund të rrezikonin jetën duke përfunduar në rrotat e makinës. Pas ngjarjes në ambasadën greke, kjo ishte një iniciativë që tronditi rëndë sistemin e kohës. Unë kisha biseduar më parë me përfaqësues të ambasadës dhe me një gazetar, të cilët më kishin siguruar se nuk do të na dorëzonin," ka thënë për këtë ngjarje njëri nga protagonistët e saj, gazetari Luan Laze. Ndërsa Burhan Kalaja, në letrën që i dërgonte dy ditë më parë Bujar Alikajt në ambasadën greke nëpërmjet Leonidhës, shkruan se këto ditë do të hyjnë patjetër në ambasadën italiane, sepse ky sistem duhet shembur.

Thasë rëre dhe qingja në tokën gjermane


Pa u lënë frymë strukturave të shtetit të organizoheshin, më 2 korrik muri i ambasadës gjermane u shemb nga një skodë në të cilën ndodheshin rreth 20 veta, burra, gra dhe fëmijë. Përpara turirit të makinës ishin vendosur thasë rëre, ndërsa sipër saj, në formën e ushqimeve paraprake, kishin marrë edhe disa dele. Megjithëse gjithçka ishte planifikuar me hollësi, ndodhi që muri rrethues nuk ishte mur me tulla teke, por dopio. Kështu që pas goditjes së tij, shumë nga të pranishmit u gjakosën në fytyrë dhe në trup. Ashtu të gjakosur ata kapërcyen murin e shembur, duke shënuar kështu kuotë të re për shembjen e diktaturës. Duhet thënë se brenda në ambasadë ndodhej një grup të rinjsh, pasi Ivi së bashku me shokët e tij kishin kapërcyer murin më parë.

Arratisje me makinën e plehrave


Në ambasadën turke arratisja u krye në mënyrë spektakolare, nëpërmjet makinës së plehrave. Duke pastruar plehrat e qytetit, njerëz të veshur si punëtorë të komunales zbarkuan në ambasadën turke duke shënuar një të papritur të re. Më pas, së bashku me të ardhurit e tjerë që kishin hyrë më parë, Koli, Mondi, Ganiu, Fredi, Ardi etj. ata morën vizat tranzit për në Greqi dhe natën e fundit fjetën në hotel "Arbëria", ku duke pritur mëngjesin nuk vunë gjumë në sy.

2 Korrik, luftë para ambasadave

Hyrja më 2 korrik u realizua në orët e mbrëmjes nëpërmjet një përleshjeje të vërtetë midis njerëzve që donin të iknin dhe forcave policore, që kishin marrë detyrë të ndalonin me armë hyrjen në ambasada. Në këtë përleshje pati edhe shumë të plagosur, por qarkullojnë fjalë edhe për një numër enigmatik të vdekurish. Nga ana tjetër, njerëzit e policisë arrestonin pjesëmarrës të ndryshëm dhe i fusnin në makina, të cilat nxitonin nëpër rrugë, por edhe sot e kësaj dite asnjëri nuk e di destinacionin e tyre. "Unë shikoja që nga kangjellat e ambasadës greke këtë luftë të vërtetë dhe mund të them se njerëzit plagoseshin prej zjarrit policor ose goditeshin fizikisht me grushte dhe shkelma, pastaj ngarkoheshin nëpër makinat ushtarake tip IFA, por nuk e di ku përfundonin," thotë një përfaqësues i trupit diplomatik. Në dëshmi duhet shtuar se dy kameramanë të policisë së fshehtë filmonin të gjitha fytyrat e pjesëmarrësve në këtë përleshje.

2 ditë më pas

Ishte dhënë një urdhër tjetër, me anë të të cilit të gjithë ata që donin të hynin ishin krejtësisht të lirë për ta bërë këtë gjë. Madje, nën sytë e policisë njerëzit ngjiteshin dhe zbrisnin prej kangjellave, duke u kthyer në shtëpi për të ngrënë drekë ose për t'u lënë ndonjë porosi pjesëtarëve të tjerë të familjes. Kishte edhe raste kur njerëzit që kalonin andej rastësisht, pa ndonjë dëshirë për t'u futur në ambasada, ngacmoheshin prej policit përkatës: "Në qoftë se do të hysh, kapërce nga pjesa anësore e murit".

Pasojat e familjarëve

Babai i Bujarit, Ymer Alikaj, kishte qarë vetëm një herë në rininë e tij, atëherë kur fashistët gjermanë kishin bastisur zonën dhe kishin vënë para murit të pushkatimit disa pjesëtarë të familjes. Për herë të dytë Ymeri qau fshehurazi më 21 qershor, jo aq për heqjen e teserës së partisë, sesa për faktin që idealet komuniste që kishte mbrojtur kishin shkatërruar perspektivën e jetës së fëmijëve të tyre në atë masë saqë në semaforin e viteve '90 nuk dukej asnjë dritë jeshile. Përveç kësaj, ingranazhet e diktaturës qysh më datën 22 qershor përjashtuan nga puna si mësuese fshati në Vlorë motrën e Bujarit. Gjithashtu, me familjet e Fatosit, Kastriotit, Burhanit, Edmondit, Fredit, Ilirit etj. ndodhi e njëjta gjë: përjashtim nga puna dhe akuzë e rëndë për njollosje biografie. Mbledhjet që dukeshin sikur ishin harruar disi, rifilluan përsëri në këtë periudhë me një intensitet të paparë. Nga kupola komuniste ishte dhënë një urdhër i prerë për masat ndaj familjeve të të ikurve: përjashtim nga partia dhe largim nga puna në rastet kur bëhej fjalë për funksione ose punë intelektuale, por me sa duket ishte tepër vonë që diktatura të kamuflonte kafshimin e saj të helmuar. Kjo sepse familjarët, pasi dilnin nga mbledhjet e organizatave ku ishin përjashtuar për shkak të veprimit të fëmijëve, papritur takoheshin në rrugë me njerëz të thjeshtë, të rinj ose të vjetër, që i pyesnin "Si është djali?" dhe u jepnin zemër: "Mos u mërzit, im bir ka vendosur të futet nesër në ambasadë".

Trajtimi...

Në ambasada kishte një dyndje të jashtëzakonshme. Kuptohet që vështirësia ishte më e madhe për furnizimin me ushqime, por ato ambasada ku kishte një numër më të kufizuar, kushtet konsideroheshin më komode. Kështu, në ambasadën gjermane dhe italiane kishte më shumë probleme në ndarjen e ushqimeve, por duhet thënë se përkushtimi i personelit të mbetur (një pjesë e madhe e punonjësve të ambasadave ishin larguar) ishte në shkallën maksimale. Ndërsa në ambasadat turke, franceze, greke, çeke etj. ishte më e lehtë për të përballuar tranzicionin e pritjes dhe ndonjëherë ndodhte që refugjatët e ambasadës greke ndihmonin të afërmit në ambasadën fqinje me cigare, ushqime etj., por kjo ndodhi vetëm për njëfarë kohe, sepse pastaj nuk na lejonin më - thotë Edmondi. Dita gjithsesi ishte më lehtë për t'u kaluar, kurse nata më e vështirë. Ndodhte që natën policia e fshehtë shqiptare ngjitej në kangjellat e ambasadës duke u folur individualisht njerëzve që qëndronin aty. "Arbenit i ka vdekur nëna", "Iliri ka motrën të sëmurë" , ose "Dilni, sepse ata kanë vendosur t'ju bëjnë sapun, njëlloj si dikur në kampet e përqendrimit" etj. etj. Përveç kësaj, ndonjëherë vinin njerëzit e shtëpisë të nxitur nga shteti, të cilët u bënin thirrje të afërmve për të dalë. Në të gjitha rastet ne ishim të vendosur të qëndronim, por kishte ndonjë që edhe dilte për arsye të ndryshme, - thotë Edmondi.

Finalja Gjermani-Argjentinë

Ndeshja finale Gjermani-Argjentinë për herë të parë në kryeqytetin sportdashës të Shqipërisë u përcoll me një interes të paktë nëpër familje. Zërat e njerëzve ishin mekur plotësisht nga zhvillimet e fundit dhe shumë pak e kishin mendjen te futbolli. Kur u shënua goli i gjermanëve, tek-tuk u dëgjua ndonjë britmë entuziazmi, sepse kryeqyteti jetonte orët e tij më të vështira. Por pikërisht që nga ambasada gjermane papritur oshëtinin zërat e të ngujuarve që thërrisnin "Gjermani, Gjermani". Dhe në çastin e golit ky entuziazëm arriti kulmin. Atëherë njerëzit që banonin në qendër dolën në rrugë dhe më shumë sesa ndeshjen e futbollin dëgjonin oshëtimat e të ngujuarve, me shpresën e kotë se mund të dallonin zërat e të afërmve. Atë ditë i gjithë kryeqyteti shqiptar ishte me skuadrën e Gjermanisë, po në atë masë sa ç'mund të ishte me Italinë, Greqinë, Francën, Çekinë, Turqinë etj., po qe se do të luanin në finale.

Lamtumirë, do të kthehemi!


Në mëngjes, që pa gdhirë dita, autobusët u ngarkuan me refugjatë duke u nisur drejt Durrësit. Njerëzit e tjerë, familjarë ose të afërm, kishin bllokuar trotuaret e rrugës Kombinat-Plepa, duke pritur përfundimin e enigmës, por papritur u dha një urdhër që autobusët të kalonin nga rruga tjetër drejt Durrësit, duke parakaluar Laprakën. Me gjithë këtë devijim, edhe ato pjesë të rrugës ishin mbushur plot e përplot me familjarë të të ikurve. Në Maminas autobusët janë ndalur përreth çerek ore. Gjatë kësaj ikjeje refugjatët hiqnin bluzat, orët, unazat etj. të cilat i hidhnin rrugës me ndonjë mbishkrim të thjeshtë, si "Nënës sime si kujtim", duke shkruar gjithashtu ndonjë adresë. Ndonjëherë thonë se në Tiranë, ku ashtu si kudo ekzistojnë vjedhjet dhe plaçkitjet, po të humbi diçka nuk e gjen kurrë më. Por atë ditë ndodhi krejt ndryshe. Atë ditë kur kombi kishte humbur një pjesë të ndërgjegjes së tij, sendet e tjera apo florinjtë nuk kishin vlerë. Atë ditë nuk humbi asgjë, sepse të gjitha sendet mbërritën brenda ditës në destinacionet e adresuara. Njerëz që trokisnin nëpër dyer për të sjellë sendet e gjetura, pëshpërisnin me lot në sy fjalët: "Kërkoja një shenjë të tim biri, por gjeta një letër të djalit tënd dhe duke e shtrënguar në gjoks, qava njëlloj si për fëmijët e mi". Ndërkaq, në portin e Durrësit njerëzit e policisë shihnin me urrejtje të rinjtë që largoheshin. "Ikni, por të paktën mos flisni kundër pushtetit," tha njëri prej njerëzve të policisë. "Deri tani kemi dëgjuar se si keni folur ju, ndërsa tani ka ardhur koha të flasim ne për të thënë të vërtetën," është përgjigjur atje Ilir Demalia.Forumi Shqiptar

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00