Leter
Kërkesë urgjente
Drejtuar: Z. Bamir Topi – President i Republikës së Shqipërisë
Z. Sali Berisha – Kryeministër i Shqipërisë.
Znj. Jozefina Topalli – Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë.
Partive Politike, Grupeve Parlamentare dhe Medias.
Për dijeni: Z. John L.Withers, II – Ambasador i SHBA-së në Tiranë.
Z. Helmuth Lohan – Ambasador i K. Europës në Tiranë.
Z. Robert Bosch – Ambasador i OSBE në Tiranë.
Populli i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Komunitetet Fetare, Akademikët, Historianët etj. kanë kërkuar që 20 shkurti 1991 të shpallet “ Dita e Rrëzimit të Simboleve Komuniste” dhe të jetë “Festa Kombëtare më e shënuar e demokracisë dhe e popullit tonë”. Kësaj feste mund t’i shtohet shprehja dhe “Dita e Nderimit të Viktimave të Regjimit Komunist”. Në rast të vlerësimit të kësaj dite vetëm nga kjo shprehjeje të fundit kjo do të jetë një gabim i madh historik, që brezat e ardhshëm do ta korrigjojnë.
Fort i nderuari President i Republikës! Të nderuar Zonja dhe Zotërinj!
Në prag të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe marrjes së Statusit të Kandidatit të Anëtarsimit të saj në Bashkimin Europian dhe bazuar në Rezolutat Nr. 1096 të vitit 1996 dhe Nr. 1481 të 25 janarit 2006 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës si dhe në Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë 30.10.2006 “Për Dënimin e Krimeve Komuniste në Shqipëri”, ne, populli demokrat i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, nëpërmjet deklaratë/kërkesës tonë e datës 10.10.2008 e firmosur prej 107 personaliteteve të larta shtetërore, publike, fetare, të shoqatave, të sindikatatave, të organizatave jo qeveritare si dhe prej 108 ish protestuesve të 20 shkurtit 1991 e përkrahur edhe nga Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Akademia e Shkencave, Muzeu Historik Kombëtar, Qendra Ndërkombëtare e Kulturës etj., kemi kërkuar:
Shpalljen e 20 shkurtit 1991 “Dita e Rrëzimit të Simboleve Komuniste”.
Ishim ne, populli demokrat i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë që rrëzuam në Tiranë, Korçë, Gjirokastër etj. monumentet e diktatorit komunist, dogjëm veprat e tij si dhe hodhëm poshtë nga tarraca e Pallatit të Kulturës Tiranë parullën “LAVDI PARTISË SË PUNËS SË SHQIPËRISË”. Kjo ditë shënoi përmbysjen e sistemit komunist dhe vendosjen e demokracisë dhe të fesë në vendin tonë. Ajo është ngjarja më e shënuar historike e shekullit të kaluar të popullit shqiptar dhe duhet të jetë festa kombëtare më e madhe e demokracisë.
Është gabimi më i madh i politikës shqiptare që për afro 18 vjet e la në heshtje pa vlerësuar këtë ditë kaq të madhe historike. Kjo në radhë të parë sepse partitë politike të djathta të sapo krijuara ranë në 18 shkurt 1991 në kurthin e Zotit Ramiz Alia, ish President i Republikës i cili i detyroi gjithë partitë politike që të firmosnin një deklaratë të përbashkët në formë thirrje drejtuar popullit për paqe dhe qetësi sociale. Vetëm Z. Fiqri Xibri si përfaqësues i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve nuk pranoi për ta firmosur. Kjo shkaktoi atë që të gjitha partitë politike të dilnin jashtë kornizës së lëvizjeve demokratike në ditët në vazhdim si greva e studentëve demokratë edhe greva e përgjithshme e gjithë popullit të Tiranës i cili ju bashkua thirrjes së Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë. Në 20 shkurt 1991 unë pata nderin që të udhëheq turmën kryesore të protestuesve drejt Sheshit Skënderbej për rrëzimin e monumentit të diktatorit komunist. Urrejtja e madhe e popullit shqiptar ndaj regjimit të urryer komunist që sundoi për 47 vjet bëri që populli shqiptar të realizojë rrëzimin e këtij monumenti të diktatorit dhe simboleve të tjera të sipërpërmendura në Tiranë dhe qytetet të tjera të Shqipërisë. Kjo ditë shënoi rrëzimin e sistemit komunist dhe vendosjen e demokracisë dhe të fesë në Shqipëri. Në çdo vend të botës fitimtari e cakton ditën e fitores. Prandaj, populli i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë bazuar në dispozitat ligjore i kërkojnë Z. Bamir Topi – President i Republikës së Shqipërisë, Qeverisë, Kuvendit të Shqipërisë, Grupeve Parlamentare dhe Deputetëve dekretimin dhe shpalljen e 20 shkurtit 1991 Festë Kombëtare “Dita e Rrëzimit të Simboleve Komuniste”. Unë kërkoj që edhe në respekt të mendimit të dhënë nga Z. Sali Berisha t’i shtohet dhe shprehja shtesë “edhe Dita e Nderimit të Viktimave të regjimit komunist”. Për më tepër për respekt të sakrificës së bërë nga populli i Tiranës i takon Z. Bamir Topi President i Republikës si bir i familjeve autoktone më të nderuara, fisnike dhe demokrate të Tiranës të dekorojë protagonistë e asaj dite.
Falenderoj Z. John L.Ëithers, II – Ambasador i SHBA-së dhe Z. Helmuth Lohan – Ambasador i K. Europës për sugjerimet e tyre tepër të vlefshme që më dhanë mua dhe Z. Adrian Kati Drejtor Ekzekutiv i Qendrës për Reabilitimin e Viktimave të Traumës për të mirën e demokracisë në prill të 2008 në vlerësimin e kësaj ditë të shënuar. Pas një pune afro tetë mujore unë duke mbledhur firmat e 215 personaliteteve të larta shtetërore, shoqërore, fetare, të mediave, të ish protestuesve të asaj dite etj. për të mirën e demokracisë dhe popullit shqiptar jam tepër i lumtur që po i lë një mesazh brezave të ardhshëm të Shqipërisë.
Kjo ditë do të jetë dita e përbashkët e nderimit të viktimave të regjimit komunist, e fitores së pluralizmit politik, e shtresës së ish të përndjekurve politikë, e komuniteteve fetare, e lëvizjes demokratike studentore dhe sindikaliste, të refugjatëve, emigrantëve, e mediave demokratike.
Kjo ditë na afron më tepër me SHBA-në, Bashkimin Europian dhe NATO-n.
I lutem gjithë personaliteteve të mësipërme të larta shtetërore dhe Kuvendit të Shqipërisë që kjo kërkesa ime dhe e mbarë popullit shqiptar do të merret parasysh.
Jam i gatshëm të takohem me secilin prej jush për të dhënë sqarimet e mëtejshme krahas dhënies së të gjithë dokumentacionit të sipërpërmendur.
Me respektin më të madh
Saimir MALOKU
Ish i burgosur politik, humanist dhe aktivist i Qendrës
Shqiptare për Rehabilitimin e Viktimave të Traumës dhe të Torturës.
Comments (0 posted)
Post your comment