Presidenti i KE viziton Tiranen
“Vij në Shqipëri me një mesazh inkurajimi. Inkurajim për të vazhduar reformat dhe rolin pozitiv që vendi juaj luan në rajon."
"Stabiliteti dhe integrimi europian i vendit mbetet i rëndësishëm për Bashkimin Europian”, deklaroi Van Rompuy në njoftimin e tij para vizitës.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi në takimin e zhvilluar me Presidentin e Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy ka marrë mbështetjen për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Kreu i KE, theksoi në këtë drejtim rëndësinë e vazhdimësisë së reformave integruese si dhe vuri në dukje nevojën për reforma më intensive në fusha si konsolidimi i mëtejshëm i institucioneve të pavarura demokratike,lufta kundër korrupsionit, shteti i së drejtës dhe mbrojtja e lirive e të drejtave të njeriut si dhe përpjekjet për një qeverisje edhe më të mirë. Ndërsa presidenti Topi, theksoi se vullneti e përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë për përmbushjen e standardeve të kërkuara, janë dëshmi e interesit dhe e angazhimit të pandërprerë të shtetit dhe qytetarëve shqiptarë për integrimin europian.
Duke iu referuar fazës aktuale ku ndodhet Shqipëria në pritje të dy vendimeve historike, atë të zyrtarizimit të liberalizimit të vizave dhe opinionit për marrjen e statusit të vendit kandidat, Kryetari i Shtetit shqiptar e njohu Presidentin e Këshillit Europian me mobilizimin e strukturave tona dhe intensifikimin e fushatës për sensibilizimin dhe njohjen e qytetarëve shqiptarë mbi procesin e liberalizimit të vizave, detyrimet dhe të drejtat që rrjedhin prej tij. “Ne jemi të vetëdijshëm për përgjegjësitë e angazhimet e mëdha që mbart ky vendim”, nënvizoi Presidenti i Republikës dhe shprehu bindjen se vota e Parlamentit Evropian do të pasohet nga miratimi i Ministrave të Brendshëm të BE, në takimin e datës 8 nëntor 2010.
Duke iu referuar situatës aktuale në Kosovë, Presidenti i Republikës theksoi në këtë takim se është shumë e rëndësishme që çdo hap i zhvillimeve politike në vend po bëhet konform ligjit themeltar të shtetit, Kushtetutës së Republikës së Kosovës, çka i shërben ruajtjes së stabilitetit në Kosovë, si faktor me rëndësi dhe në atë rajonal dhe shprehu besimin se klasa politike kosovare ka fituar tashmë pjekurinë dhe përvojën e duhur për ta kapërcyer me sukses edhe këtë sfidë të përkohshme. Të dy personalitet e larta ndanë të njëjtën pikëpamje përsa i përket të ardhmes së sigurt të të gjitha vendeve të rajonit, ku në këtë kontekst Presidenti i Këshillit Evropian u shpreh se nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit rajonal, i tërë Ballkani Perëndimor do të zërë vendin e vet të merituar në gjirin e familjes së madhe evropiane.
Comments (0 posted)
Post your comment