Haradinaj kërkon lirim të përkohshëm
Avokati i Tij tha se aplikimi për lirim të përkohshëm ka bazë të mirë dhe beson se Tribunali do ta miratojë atë.
Lideri i AAK Ramush Haradinaj ka kërkuar lirim të përkohshëm nga Tribunali i Hagës nga 17 Dhjetori deri më 14 Janar. Lajmin e konfirmoi avokati i tij Majkëll O`Rejlli. Ai tha se aplikimi për lirim të përkohshëm ka bazë të mirë dhe beson se Tribunali do ta miratojë atë. Në këtë kohë, O`Rejlli ka thënë se edhe Tribunali është në pushim për shkak të festave të fundvitit. Ai ndodhet në Sheveningen që nga 20 Korriku. Tribunali në Shtator nuk e ka liruar Haradinajn deri në fillim të gjykimit, duke vlerësuar se kjo do të kishte ndikim në gatishmërinë e dëshmitarëve që të paraqiten para Tribunalit.
Ndërsa, Dhoma e apelit e Gjykatës së Hagës më 21 Korrik e anuloi lirimin e Haradinajt me arsyetimin se procesi origjinal është shënuar me frikësime të dëshmitarëve, dhe ka vendosur që rigjykimi të mbahet pjesërisht. Në gjykimin e parë të Haradinajt në prill të vitit 2008, ai u lirua nga të 37 akuzat. Gjykimi do të përsëritet pjesërisht edhe ndaj ish-luftëtarëve të UÇK Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj.
Kohë më parë Tribunali i Hagës ka bërë të ditur se ka shkurtuar dukshëm pikën katër të aktakuzës kundër Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balajt, e cila i rëndon ata me krime kundër njerëzimit, duke lënë pikën e thyerjes së ligjeve dhe zakoneve të luftës. Gjykata ka publikuar pikën e rishikuar të aktakuzës në të cilën thuhet se Prokuroria e Hagës ka të drejtë që të përdorë dëshmi edhe për pikën e hequr të aktakuzës nëse kjo shihet si relevante.
Comments (0 posted)
Post your comment