Home | Politics | Faktorizimi i të rinjve

Faktorizimi i të rinjve

image
Sondazhet sinjalizojnë se rreth 70 % e të anketuarve konfirmojnë pjesëmarrjen në zgjedhje. 

 

 

 


  
Shkëlzen Maliqi

 

 


Për zgjedhjet e 12 Dhjetorit tashmë me mjaft siguri mund të parashikohet se do të sjellin dy risi. E para është ajo e depërtimit të brezit të ri të politikanëve kryesisht në radhët e subjekteve që do të garojnë për herë të parë për pushtet (Lëvizja Vetëvendosje dhe Fryma e Re). Edhe në listat e partive tashmë të etabluara po kështu ka emra dhe energji të reja, që zgjedhjeve do të mund t’ua japin jo vetëm sharm, por edhe përmbajtje të paktën freskuese me elemente më serioze reformatore.
Subjektet e reja në fushatën e tyre insistojnë se përfaqësojnë një mendësi dhe frymë krejtësisht të re. Ato nuk pozicionohen thjesht në një platformë të konfliktit të brezave, por janë projekte serioze në ndërtim e sipër, që e kundërshtojnë ashpër dhe pa kompromis politikëbërjen e vjetër dhe të keqe. Pra, konfrontimi i tyre nuk duket thjesht si një ndërmarrje retorike, apo pjesë e atyre fushatave të zhurmshme që synojnë tërheqjen e vëmendjes të opinionit, kurse më pastaj, nëse korrin sukses, i hanë lehtë fjalët dhe premtimet e veta.

Sondazhet e opinionit paralajmërojnë një hyrje të vrullshme të Vetëvendosjes në skenën politike, si parti e tretë me përkrahje dhe numër të mandateve në Kuvendin e ardhshëm. Unë parashikoj që Vetëvendosja do të ketë 14 deri 18 deputetë.
Për FER-in, sondazhet janë më të rezervuara, nëse do të mund ta kalojë pragun prej 5 %, sa duhet për t’u futur në parlament. Megjithatë, prognoza ime është se FER-i do ta arrijë këtë duke merituar 6 deri 8 deputetë.
Argumenti që dëgjohet shpesh rreth dështimit eventual të FER-it është ai se kjo parti është themeluar shumë vonë, në tetor të këtij viti. Edhe ata që e shohin me simpati, shfaqin frikën se mos vota e tyre për FER-in do të shkojë huq. Por, ky argument nuk duhet të jetë vendimtar. Nga e kaluara jo fort e largët e kemi shembullin e Partisë Reformiste ORA, e cila po kështu dy tre muaj pas themelimit garoi në vitin 2004 dhe fitoi rreth 7 % të votave. Po kështu edhe AKR-ja dhe LDD-ja, kuptohet në rrethanat pak më ndryshe të çarjes së madhe në LDK, patën suksese të jashtëzakonshme në paraqitjen e tyre të parë, edhe pse edhe ato si parti ishin themeluar rishtazi.


Për Vetëvendosja dhe FER-i më i rëndësishëm se momenti kur janë futur në garë është diagnostikimi se a ekziston në elektorat disponimi përkrahës ndaj ofertave politike të tyre. Dhe mua ky disponim më duket i padyshimtë për të dy subjektet. Për Vetëvendosjen definitivisht, kurse për FER-in me një nuancë më dyshuese, por gjithsesi shpresëdhënëse dhe me perspektivë.
Ka zëra që thonë se Vetëvendosja dhe FER-i mund të jenë edhe konkurrentë mes veti, gjë që ua zvogëlon gjasat për sukses. Megjithatë, supozoj se mes elektoratit të Vetëvendosjes dhe të FER-it nuk ka interferenca të mëdha, që ato të kacafyten për shtresa dhe struktura të njëjta elektorale. Me programe ato dallojnë dukshëm, kështu që edhe përkrahësit e tyre janë të ndryshëm.


Momenti i dytë që do të shënojë zgjedhjet e 12 Dhjetorit është ai i disponimit të rritur për dalje në zgjedhje. Sondazhet sinjalizojnë se rreth 70 % e të anketuarve konfirmojnë pjesëmarrjen në zgjedhje. Në proporcionet reale të votuesve të themi “rezidentë” (pra pa diasporën dhe “tepricat” e ndryshme në listat zgjedhore), kjo lejon që të spekulohet se më 12 dhjetor do të dalin rreth 700 mijë votues. Kjo do të thotë se për 1 vend në Kuvend nuk do të mjaftojnë më 5 deri 6 mijë vota, si më herët. Për një vend në Kuvend partitë tani do të duhej të fitonin 7 mijë vota. Kjo do të ketë për pasojë që edhe disa parti që kanë rritje numerike (me gjasa LDK-ja e Isa Mustafës), të mos avancojnë shumë në përqindje. Kurse disa edhe do të shënojnë regres të vogël në përqindje, ndonëse do të votohen nga elektorati i tyre besnik (p.sh. PDK-ja e Hashim Thaçit që gjithnjë llogarit në rreth 210 mijë votues)


Një llogaritje e thjeshtë e lëvizjeve të pritshme në elektoratin shqiptar të çon në spekulime të ndryshme për efektin e vërshimit të frymave të reja që pretendojnë të bëhen pjesë e Kuvendit. Nëse Vetëvendosja dhe Fryma e Re vërtet do të arrijnë që të futen në Kuvend dhe nëse i marrin të paktën 15 mandate (gjasat janë edhe për më shumë se 20), ato do të bëhen faktor i fuqishëm kushtëzues për partitë e mëdha dhe çdo hesap të koalicioneve.
Ndarja e votës ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, që supozoj se mund të peshojë rreth 60 mandate në total, nuk u lë të partive të tjera (AAK, AKR, LDD) shumë mandate, më saktë vetëm rreth 20. Shpërndarja e votës te ky njëzetësh i fundit mund të bëjë praktikisht të pamundur koalicionin e fituesit të garës, ta marrim p.sh. PDK-në që konsiderohet favorite, me AAK-në dhe AKR-në, për krijimin e një qeverie stabile. Ky koalicion do të duhej të “mbushej” qoftë me partitë minoritare - që pjesërisht është e obligueshme - qoftë me dy partitë e reja, të cilat kundërshtojnë ashpër politikën e vjetër dhe sërish të mos dalë ndonjë llogari tamam. Në një ngushticë të mundshme opsionesh, mbase mund të imponohet - në bazë të matematikës së mandateve – ripërsëritja e koalicionit të madh PDK – LDK, si i vetmi që do ta sigurojë stabilitetin e qeverisjes. Në këtë rast, edhe zyrat e mëdha të Quintit do t’ua kujtojnë atyre që deklarohen kundër koalicionit PDK – LDK atë thënien e famshme Never say never.

Por, mos ta paragjykojmë këtë. Duhet besuar se ka edhe mundësi të tjera, më pak dëshpëruese.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00