Ndaloni vetë-shkatërrimin e Shqipërisë
Bashkësia ndërkombëtare duhet të organizojë dhe të drejtojë një palë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare vitin e ardhshëm, duke dërguar një mesazh të qartë...
Daniel Korski
Një moment Shqipëria është destinacioni numër një i planetit për tu parë për vitin 2011, një anëtar i NATO-s, shtetasit e të cilit gëzojnë udhëtimin pa viza në Bashkimin Evropian, ditën tjetër, forcat qeveritare shtinë dhe vrasin protestuesit në rrugë dhe Zyra e Jashtme Britanike paralajmëron vizitorët që të shmangin turmat e mëdha në Tiranë.
Shqipëria, e cila i shpëtoi një diktaturë të stilit të Koresë së Veriut në 1990 për tu rrëzuar dhunshëm në vitin 1997, tani lëkundet në prag të një tjetër katastrofe.
Nëse vendi do të zhytet përsëri në konflikt të brendshëm apo do të kthehet mbrapsht në rrugën e nisur duke u kapur me thonj e me dhëmbë, ka rëndësi për Evropën. Shqipëria ka qenë kohët e fundit një forcë për paqe në Ballkan, duke vendosur lidhje me armiqtë e vjetër si Serbia dhe duke u kërkuar vëllezërve të etnike në Kosovë dhe Maqedoni të punojnë për paqe.
Kriza e tanishme, megjithatë, i ka rrënjët e thella. Që nga viti 1992, asnjë prej zgjedhjeve të Shqipërisë nuk janë konsideruar të lira dhe të ndershme nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, organi-zgjedhor i monitorimit.
Zgjedhjet janë luftuar si të ishin beteja, me ushtri që i betoheshin për besnikëri vetëm njëri-tjetrit dhe jo ndonjë procesi demokratik. Zgjedhjet janë mundësi për politikanët për të shkatërruar kundërshtarët dhe për të pasuruar miqtë e tyre. Zgjedhjet e fundit, në qershor 2009, nuk ishin të ndryshme. Kreu i Partisë Socialiste të opozitës, Edi Rama, protestoi kundër rezultateve, duke bojkotuar Parlamentin. Bojkoti është ende në fuqi, duke ia plaçkitur Shqipërisë mundësinë për një zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve.
Ndërkohë, kryeministri Sali Berisha ka qeverisur në një mënyrë që e ka bërë Freedom House tani të thotë se e konsideron një vend vetëm "pjesërisht të lirë," status i njëjtë i dhënë për Abkhazinë, Gambian dhe Nagorno-Karabakh.
Politika majë për majë, një rivalitet personalitetesh midis Berishës dhe Ramës ka vepruar si një thikë me dy presa, me fërkimet e të dy palëve, duke çarë përmes institucioneve të vendit siç çan sopata dërrasën.
Le të marrim çështjen e Kushtetutës së Shqipërisë të vitit 1998. Tre vjet më parë Berisha dhe Rama, ranë dakord me cinizëm për një grup gjithëpërfshirës të reformave, të cilat, sipas ish-presidentit Alfred Moisiu, e ndryshuan dokumentin brenda natës. Të dy udhëheqësit duhet të kenë menduar se ata do të qëndronin për të përfituar nga ndryshimet. Tani kur duket se vetëm njëri është përfitues, pala tjetër qan me urrejtje. Modeli u përsërit me futjen e një Kodi të ri zgjedhor.
Korrupsioni është ndoshta problemi më i madh. Vendi i 95-të i Shqipërisë nga 180 vende në Indeksin e 2009 të Transparency International lidhur me Perceptimin e Korrupsionit ishte një përpjekje në grup. Megjithatë, Berisha ka refuzuar të shkarkojë aleatët kryesorë që përballen me padi. Një shpërthim në një depo ushtarake që vrau shumë njerëz, detyroi ish ministrin e atëhershëm të Mbrojtjes, Fatmir Mediu që të jepte dorëheqjen. Ai është rizgjedhur që atëherë dhe imuniteti parlamentar që gëzonte para dorëheqjes është rivendosur nga Gjykata e Lartë (ai është aktualisht ministër i Berishës për mjedisin).
Janë të panumërta rastet e tjera në mesin e anëtarëve të klasës politike në të gjitha palëve. Situata në media është gjithashtu e zymtë, pavarësisht nga garancitë kushtetuese të lirisë së shprehjes. Është rutinë që mediat të konsiderohen të jenë politikisht partizane, dhe gazetarët i nënshtrohen padive, kërcënimeve dhe sulmit fizik. Vitin e kaluar një gazetë kritike, "TemA", ishte dëbuar nga zyrat e saj pavarësisht nga një urdhër i gjykatës për ndalimin e veprimit. Botuesi gazetës "TemA" u rrah pastaj nga truprojat e një manjatin të naftës të lidhura me qeverinë. Pas vitesh të këtij lloj aktiviteti, nuk është çudi që institucionet shqiptare janë lëmsh.
Edhe sistemi gjyqësor është një rrëmujë, ndërkohë që shkretohet me një argument politik nëse duhet të arrestohen apo jo gjashtë komandantët e Gardës kombëtare, të kërkuar në lidhje me vrasjen e protestuesve. Në vend që të ndalen dhe të shohin dëmin që kanë shkaktuar, Rama dhe Berisha kanë mprehur shpatat.
Ata të dy tani duken të gatshëm për të përdorur mënyra jashtë-institucionale për të fituar apo mbajtur pushtetin. Berisha akuzon Ramën se po përpiqet të "fitojë pushtetin me forcë" dhe për orkestrimin e "një përpjekje të qartë kristal" për të rrëzuar një qeveri të ligjshme.
Ai ka për qëllim tani të sjellë demonstruesit e tij jashtë në rrugë. Rama, nga ana tjetër, proteston se regjimi i Berishës është jodemokratik dhe të thotë se vetëm një revolucion i stilit alla Tunizi mund të sjellë ndryshim në vend. Bashkimi Evropian ka përqendruar në vitet e fundit vëmendjen diku tjetër në Ballkan. Tani, megjithatë, BE-ja duhet të bëjë të qartë se politikanët e Shqipërisë duhet të bëjnë një hap larg nga përdorimi i dhunës dhe shkatërrimi i institucioneve të vendit. Nëse jo, atëherë shqiptarët do të humbasin mundësinë e lëvizjes pa viza në Evropë dhe vendi i tyre do të humbasë çdo mundësi serioze për anëtarësim në BE.
Edhe anëtarësimi i vendit në NATO mund të jetë në rrezik. Për të treguar shqetësimin e saj, Catherine Ashton, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, duhet të dërgojë një ndërmjetës të lartë në Shqipëri. Një komision i-presidentësh duhet të ngrihet për të hetuar dhunën e kohëve të fundit. Bashkësia ndërkombëtare duhet të organizojë dhe të drejtojë një palë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare vitin e ardhshëm, duke dërguar një mesazh të qartë, pa ekuivoke se institucionet shqiptare nuk janë më të besueshme apo të afta për t’i bërë vetë.
Qeveria e re duhet të mbahet e lidhur me një agjendë konkrete reforme. Kjo mund t’i ndalojë më në fund politikanët e Shqipërisë që të presin nga të gjitha anët institucionet e vendit. Në qoftë se jo, ndikimi do të ndjehet përtej kufijve të Shqipërisë.
Daniel Korski është anëtar i lartë i Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë.
Teksti është shqipëruar nga Linda Karadaku Ndou.
Comments (0 posted)
Post your comment