Home | Politics | SHBA: Të ruhet kushtetutshmëria e Shqipërisë

SHBA: Të ruhet kushtetutshmëria e Shqipërisë

image
“Nuk duhet të kemi dyshime se Kushtetuta u jep institucioneve pavarësi. Ato duhet ta bëjnë punën e tyre pa frikën e rrjedhojave politike. Ne do t’i mbështesim ato në përpjekje për ta bërë këtë.

 

 

 


Thomas Countryman

 

Zv/sekretari amerikan i Shtetit, Thomas Countryman, e ka nisur me një ngushëllim për viktimat e 21 janarit konferencën e tij për shtyp, nga selia e ambasadës amerikane në Tiranë. “Jemi të trishtuar nga humbja e jetës së 4 shqiptarëve në ngjarjet e fundit. Kjo nuk është një deklaratë politike, por njerëzore. Gjithashtu, pasqyron dashurinë dhe respektin që shqiptarët kanë për Amerikën dhe anasjelltas”, është shprehur Countryman. Në vijim të deklaratës së tij, ai ka nënvizuar se shqetësimi kryesor i Shteteve të Bashkuara është kushtetutshmëria e Shqipërisë në këto momente. “Nuk na përket ne që në takime publike apo private të mbështesim njërën anë, apo tjetrën. Shqetësimi ynë është për popullin shqiptar dhe Kushtetutën e Shqipërisë. Shpresoj që populli shqiptar do ketë mundësi të dëgjojë atë që miqtë e tyre kanë për t’u thënë, jo vetëm përmes prizmit të partive politike”, ka deklaruar Countryman. Duke komentuar ngjarjet e fundit, zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit ka kërkuar që ato të trajtohen nga institucionet shqiptare në mënyrë kushtetuese. “Shqipëria është një vend unik, por ngjarjet e fundit nuk janë aq unike në vetvete. Shqipëria nuk është i vetmi vend dhe e vetmja demokraci që ka probleme me korrupsionin. Gjithashtu, nuk është i vetmi vend në Europë që ka pasur përvojë me zgjedhje të debatueshme dhe nuk është i vetmi vend që ndërmerr protesta dhe ku protestat përfundojnë në dhunë. Të gjitha këto ngjarje në një demokraci kushtetuese duhet të trajtohen në mënyrë kushtetuese”, ka theksuar Countryman.

Duke prekur çështjen e korrupsionit, e cila u bë dhe shkak për protestat, ai ka sugjeruar se lufta kundër këtij fenomeni, që ka prekur shumë nivele, mund të bëhet vetëm përmes institucioneve të pavarura. “Më lejoni të shpreh se çfarë mendoj për korrupsionin dhe zgjedhjet. Sikurse kemi thënë më herët, korrupsioni në Shqipëri është një problem në shumë nivele, në qeverisjen qendrore, vendore, biznese dhe parti. Dhe në raste të tilla, e pengon Shqipërinë të arrijë të ardhmen europiane dhe potencialin ekonomik. SHBA është përpjekur përmes ndihmës së tyre që të mund të luftojë çështjen e korrupsionit. Kjo luftë kërkon një prokurori të pavarur dhe gjyqësor të pavarur që mund ta bëjnë punën e tyre pa qenë të kërcënuara. Gjithashtu, nënkupton bashkëpunim në nivel qendror dhe vendor. Kërkon edhe që media e lirë të jetë në pritje dhe e përgjegjshme të flasë për të”, ka pohuar Countryman. Ndërsa lidhur me debatin për zgjedhjet, ai ka nënvizuar se problemet mund të zgjidhen vetëm nëpërmjet rrugëve kushtetuese. “Për sa u përket zgjedhjeve, vendi ynë ka përvoja të fundit për zgjedhje të kontestuara. Dhe ne i adresojmë këto probleme përmes mjeteve kushtetuese.

Në rastin e Shqipërisë, është e rëndësishme që problemet mbi zgjedhjet të trajtohen me mjete kushtetuese. Është edhe më e rëndësishme për partitë dhe qytetarët të mësojnë nga çdo përvojë e zgjedhjeve të papërsosura. Shqipëria nuk është e vetme në këtë proces. OSBE dhe ODIHR kanë ndihmuar në krijimin e një liste gjithëpërfshirëse të asaj që nevojitet për të krijuar një sistem të duhur në Shqipëri. Dhe gjithashtu shpreh pakënaqësinë tonë që qeveria dhe opozita nuk kanë gjetur mënyrën për të trajtuar ato çështje”, ka deklaruar Countryman, i cili ka kërkuar realizimin e zgjedhjeve lokale brenda afateve të paracaktuara. “Kur ka një mungesë demokracie, përgjigjja është më shumë demokraci. Për këtë arsye është besimi ynë që zgjedhjet vendore të përcaktuara për këtë vit të vazhdojnë. Presidenti ka përdorur mjetet kushtetuese për të thirrur zgjedhjet vendore dhe ne e respektojmë autoritetin e tij kushtetues. Qytetarët e Shqipërisë meritojnë të zgjedhin mes partive, që nënkupton se partitë duhet të marrin pjesë në një proces zgjedhor. Bllokimi i zgjedhjeve është një veprim antikushtetues, që një demokraci nuk e meriton”, është shprehur Countryman. Pika tjetër e prekur prej tij ka qenë protesta e 21 janarit. Sipas zotit Countryman, protestat paqësore janë një e drejtë kushtetuese, por në asnjë mënyrë nuk duhet të përfundojnë në dhunë. Ai ka theksuar se në raste të tilla, përgjigjen më të mirë për fajtorët duhet ta japë Prokuroria e Përgjithshme, e cila nuk duhet të ndikohet nga presionet politike.

“Lidhur me protestat dhe dhunën, në çdo demokraci, protestat paqësore janë e drejtë e qytetarëve dhe qeveria në vende të tilla ka si detyrim që të mos ndalojë dhe mos përdorë dhunën ndaj këtyre protestave. Por edhe protestuesit kanë një përgjegjësi, për të mos ushtruar dhunë në protesta. Gjatë viteve të fundit kjo e drejtë është ushtruar dhe ruajtur në Shqipëri. Pyetja që ne shtrojmë është, përse pas qindra protestave paqësore protesta e 21 janarit përfundoi në dhunë? Unë nuk kam një përgjigje për këtë pyetje dhe është e papërgjegjshme të spekulosh për përgjigjen e kësaj pyetjeje. Por ne kemi një mjet kushtetues për ta trajtuar këtë pyetje dhe kjo është përpjekja e Prokurorisë së Përgjithshme për të zbardhur ngjarjet e 21 janarit. Mbështesim pavarësinë e Prokurores së Përgjithshme për të zhvilluar hetime pa ndërhyrje politike. Jemi krenarë që do ofrojmë ndihmë teknike për t’i shtuar kredibilitet përfundimit. Në përgjigje të mbështetjes sonë, Prokurorja e Përgjithshme ka gjithashtu përgjegjësi serioze”, ka deklaruar Countryman, sipas të cilit janë dy gjëra që duhen respektuar. “Janë dy gjëra që duhen respektuar nga Prokuroria e Përgjithshme. E para është një hetim i plotë dhe i balancuar. Të hetohen veprimet e të gjithë aktorëve më 21 janar. Dhe këtu përfshihen veprimet e policisë, Gardës, protestuesve dhe organizatorëve. Dhe gjithashtu, ajo duhet të ketë aftësinë që të marrë në pyetje gjithë këta persona. Së dyti, Prokurorja e Përgjithshme ka të drejtën që të ruajë sekretin e informacionit dhe publikimi i përditshëm i rezultateve të hetimeve nuk e ndihmon prokurorinë të ruajë gjithçka që ka arritur”, ka pohuar Countryman. Pyetjes së “Top Channel”, se si mund të zgjidhet konflikti i hapur mes Kryeministrit Sali Berisha dhe institucioneve të pavarura si Presidenca, Prokuroria e Përgjithshme dhe SHISH, ai ka dhënë këtë përgjigje:

“Nuk duhet të kemi dyshime se Kushtetuta u jep institucioneve pavarësi. Ato duhet ta bëjnë punën e tyre pa frikën e rrjedhojave politike. Ne do t’i mbështesim ato në përpjekje për ta bërë këtë. Dhe për shkak se jemi amerikanë dhe kemi këshilla për të ofruar, ne do t’u ofrojmë këshillat tona këtyre institucioneve të pavarura. Nuk besoj se konflikti mes qeverisë dhe 3 institucioneve të pavarura është i pashmangshëm. Është një kohë e çmuar për qeverinë, institucionet dhe opozitën që të ndjekin këshillat që ambasadori Arvizu u dha javën e shkuar. Të mund të zgjedhin një ditë vetëm për të dëgjuar dhe jo për të folur. Sepse çdo ditë në kryeqytet ne mund të ndeshim se si mund të ketë stuhi dëbore, por shumë pak dialog”, është përgjigjur Countryman.
Shqip

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0