Një botë tjetër po shfaqet
Shqipëria po ballafaqohet prej vitesh me një krizë të pazakontë dhe me mjaft pasoja sociale.
Nga Sadedin Çeliku
Në këtë shkrim përpiqem të përcjell një kuptim të të ardhmes. Sigurisht, qëllimi është të identifikojmë prirjet kryesore gjeopolitike, teknologjike, demografike, kulturore, ushtarake, në kuptimin më të gjerë të tyre si dhe të përcaktojmë ngjarjet kryesore që mund të ndodhin. Nuk është e lehtë të shpjegosh se si funksionon bota sot dhe si do të jetë e ardhmja globit. Bota sot po përjeton luftra shkatërrimtare dhe me pasoja të mëdha për popujt si defiçite të pakontrolluara, çmime të larta gati të papërballueshme, vrasje, gjakmarrje, korrupsion në biznes e në qeveri, informalitet, trafiqe, krim të organizuar, terrorizmi i kthyer në çështje dite, krizë financiare e shoqëruar me plagë të shumta sociale, droga, etj. Sistemi që po jetojmë e ka kaluar periudhën e artë dhe tashmë janë shfaqur vështirësitë që paralajmërojnë kriza të tjera përveç asaj financiare që po ballafaqohet bota sot. Duhet pranuar se sistemi ndërkombëtar gjendet sot jashtë ekuilibrit dhe shpeshherë e vështirë të mbahet nën kontroll. Është pranuar nga analistë të ndryshëm se bota po përballet me një rritje të madhe popullsie. Rritja e pakontrolluar e popullsisë nuk është shoqëruar me rritjen e prodhimit, në mënyrë të veçantë atë ushqimor. Edhe pse popullsia në Europë ka tendenca të ulet, përsëri vërehet se në vendet në zhvillim kjo prirje po rritet pra do bëhet e vështirë për tu kontrolluar.
Pasojat e luftës së parë botërore sidomos në Europë, Azi dhe Afrikë ishin të shumta për shkak se solli ndryshime kufijsh mes vendeve dhe lindjen e shteteve të reja. Edhe lufta e dytë botërore ishte e tmerrshme dhe la shumë pasoja, disa prej të cilave ndjehen edhe në ditët tona. Ngjarjet e kohëve të fundit në Libi, Tunizi, Egjipt, Armeni, Algjeri, Jemen, Irak, Iran, Bregun e Fildishtë, Çad, Oman, Afganistan, Pakistan, Kinë, etj., po ndryshojnë botën.
Sigurisht që këto zhvillime kërkojnë analizë të hollësishme nga politologë, analistë të marrëdhënieve ndërkombëtare, diplomatë, politikanë, pra analizë të të gjithë faktorëve që çuan në këto ndryshime, por më e prekshmja për të gjithë është kërkesa antiqeveritare e protestuesve ku kërkohet largimi i udhëheqësve të tyre. Tashmë, Mubarak dhe Ben Ali janë dorëhequr dhe pritet të largohen edhe ata që nuk duan të largohen nga pushteti si Ali Saleh, Gadaf, etj. Largimet po shoqërohen me miliarda dollarë të grabitura nga luksi që u jep pushteti 30 vjeçar. Edhe pse në këto vende ekziston pluralizmi politik, vërehet se pushteti politik dhe publik bazohet tek pushteti i fiseve dhe klaneve të cilët kanë menduar të pasurohen në mënyrë abuzive vetëm për vete dhe nuk kanë menduar të demokratizojnë shoqërinë. Demokracia në këto vende është e deformuar dhe kjo është arsyeja që këto ndryshime tentojnë të gjejnë liderë të rinj që çojnë vendin përpara. Intelektualët kudo janë, kanë rol të pazëvendësueshëm në këto ngjarje. Atyre u kërkohet të studiojnë e analizojnë fenomenet, rol më aktiv dhe të vlerësojnë rreziqet për sigurinë që në shekullin e ri përkthehen në parandalim të munguar të rrezikut dhe të vlerësimit korrekt të ndërveprimit midis njeriut në raport me mjedisin. Është rasti i analizës lidhur me krizën ekonomike e financiare në zhvillim, që është futur në mënyrë të qëndrueshme në të gjitha dokumentet kryesore të planeve që merren me sigurinë.
Presioni ndaj rritjes së papunësisë do të prodhojë terrene të përshtatshme për krimin dhe terrorizmin që nuk kanë qenë kurrë më parë. Është e domosdoshme dhe me interes për shumë vende të monitorohen dhe studiohen tendencat dhe zhvillimet që mund të ndodhin në të ardhmen. Vitet 2010-2020 parashikojnë të na sjellin një konflikt global që parashikohet i tejkaluar por që mund të konsiderohet epidemi globale e cila është e mundur të ndodhë. Nëqoftëse burimet energjetike kanë qenë shkaqet reale të luftës së fundit botërore dhe të konflikteve më të fundit me tension të lartë dhe të ulët, uji i pijshëm, zija e bukës si pasojë e ndryshimeve klimaterike apo të përdorimit për qëllime jo ushqimore të tokave të kultivueshme, do të jenë sipas çdo gjase në origjinën e tensioneve të reja, të afta që të gjenerojnë luftra zonale e më gjerë. Ëndrra e dominimit të botës është lajtmotivi i vërtetë që vë në lëvizje të gjitha luftrat dhe konfliktet politike.
Dekadat e fundit janë akumuluar mjaft probleme të mëdha që vështirë se do të zgjidhen.
Ngrohja globale, e cila për 40 vitet e ardhshme parashikohet të rriten temperaturat edhe pse vendet e G8 dhe G20 e kanë diskutuar dhe kanë marrë masa, vështirë se do zgjidhë gjë. Pasojat parashikohen të jenë një katastrofë e vërtetë. Sistemi i bujqësisë e ushqimit qysh tani është në krizë. Në qoftë se nuk merren masa qysh tani, botën e pret një kërcënim serioz dhe i paparë. Zhvillimi i teknologjisë së informacionit dhe i elektronikës po kërcënon botën nga papunësia e cila po bën kërdinë dhe plagë të tjera që nuk kanë ekzistuar më parë. Sidoqoftë surpriza të tjera presim në dekadat e ardhshme, kjo është dhurata që do ti lëmë brezave. Natyrisht ne na interesojnë zhvillimet e vendit, tonë të cilat janë mjaft delikate që më së shumti i bëjmë vetë. Pyetja shtrohet, a i ngjajnë hallet tona ngjarjeve që po zhvillohen në Afrikën Veriore e kudo?
Në fakt nuk është e njëjta gjë, por simptomat në përmbajtje janë identike. Kudo ku protestohet dhe ka pakënaqësi, zhvillohet për një jetë më të mirë, qeverisje ndryshe dhe në dobi të popullit etj. Pse themi se Mubarak apo Gadaf kanë 20-30 vjet në pushtet dhe nuk shohim hallin tonë. Po ky i yni sa ka? Z. Berisha ka 21 vjet që dominon politikën shqiptare dhe ai është përgjegjës për gjithçka është bërë keq, sikurse ka meritë edhe për gjithçka është bërë mirë. U privatizua shumë keq ekonomia dhe pasuria kombëtare, ku pronarë nga 80 % që ishin, janë bërë me pa të drejtë 10 % e tyre sepse u politizua çështja dhe u përkrahën militantët e partisë. U mbajtën disa qëndrime për privatizimin ku toka ju dha me 7501 fshatarëve që e kishin tokën e tyre, dyqanet ju dhanë shitësve dhe të tjera vende-vende pronarëve legjitimë. U bënë legalizimet e banesave, pa u kompensuar pronarët etj.
Formimi i firmave piramidale, injektimi dhe mbështetja që i dha qeveria, bëri që populli shqiptar i papunë të ngrihet në revoltë për të drejtat e tyre. Në emër të reformave u bë kërdia. U hoqën me mijra nga puna dhe u zëvendësuan nga të tjerë të pashkolluar dhe jo profesionistë, u dhanë me koncension ndërmarrje rentable e me fitim në kundërshtim me ligjin, hidrocentralet ku bie në sy se nuk ka mbetur lumë dhe shtrat lumi pa e marrë njerëzit me konflikt dhe të afërmit e qeverisë. Investimet nuk drejtohen për uljen e tensionit social, hapjen e vendeve të reja të punës por atje ku ushqehet korrupsioni. Drejtimi i qeverisë është konceptuar si punë rrugësh, duke harruar falë papunësisë janë shtuar vjedhjet, krimi i organizuar e plagë të tjera. Rezultantja, populli më i varfër se 5 vjet përpara dhe se një vit përpara. Aq e pazot është qeveria saqë i gjen në kanalet televizive duke na mbushur mendjen se punojnë dhe nëpër zyra arrijnë shumë pak orë. Efektiviteti i tyre është në nivele mjaft të ulta.
Shqipëria po ballafaqohet prej vitesh me një krizë të pazakontë dhe me mjaft pasoja sociale. Sigurisht në fillim u përvijuan kërkesa politike si “hap kutitë”; “rinumërim votash”; “bëni transparencën e zgjedhjeve” etj. Tashmë nuk është halli aty. Ngjarjet kanë evoluar dhe populli jeton më keq se më parë. Qeveria nuk tregoi performancë dhe aftësi për zgjidhjen e mjaft problemeve ekonomike që shqetësojnë popullin. Barra e taksave që paguajmë sot është e papërballueshme dhe është turp që qeveria të mburret me rritjen ekonomike. Kështu, energjia elektrike jo vetëm që u rrit disa herë, por u vendos dhe tarifë shërbimi që s’e kemi patur për 70 vjet, kurse shërbimi më i keq se kurrë. Uji i pijshëm u rrit disa here, shërbimi u përkeqësua dhe u vendos dhe këtu tarifë shërbimi.
Tarifat e telefonit më të lartat në rajon, edhe atje u vendos tarifë shërbimi. Theksoj se të gjitha tarifat që paguajmë janë për shërbime të pakryera. Taksa e televizorit u dyfishua, ndërsa çmimet e mallrave të konsumit të përditshëm nuk njohin stabilitet, madje ministri Ruli theksoi se buka do të rritet dhe ne nuk e ndalim dot. Sikur të mos mjaftojë kjo, na u rritën dhe çmimet e medikamenteve për të sëmurët dhe ata që janë të pangrënë. Në këto kushte, me të ardhurat që kanë familjet tona, të jemi seriozë, nuk mund ta përballojnë jetesën me përjashtim të 5 % e popullsisë. Po të tjerët që nuk kanë si të bëjnë? Pra unë nuk po futem thellë se çfarë ndodh vërtet në Shqipëri sepse publiku i di dhe i kupton të gjitha. Ai akoma nuk e ka thënë fjalë e tij. Në këtë kuptim nuk kanë diferenca të ngjarjeve sepse përmbajtja nuk ndryshon madje është identike. Ajo që është thelbësore të kuptojmë, janë zgjedhjet për zgjidhjet e mjaft halleve që kemi ne. Ato nuk na e zgjidhin ndërkombëtarët cilëtdo qofshin, por jemi ne që duhet të determinojmë të ardhmen. Çdo vonesë në këtë aspekt është me pasoja për të sotmen dhe të ardhmen. Atëhere, të nxitojmë me ngadalë.
Comments (0 posted)
Post your comment