Shpresa përtej kufirit…
Mirëpo unë nuk e di se ku mund të merret një kredi për kthimin e shpresës në këtë vend.
Kushtrim Krasniqi
Para disa ditësh shënuam trevjetorin e pavarësisë. Megjithëse është një festë të cilës duhet t’i kushtohet rëndësi dhe vëmendje, kjo gjë kësaj here nuk u bë, dhe iu la në dorë kuvendeve komunale, sikur pavarësia të ishte festë e nivelit lokal dhe sikur të mos meritonte një trajtim më të dinjitetshëm. Me gjithë problemet që shoqëruan këtë festë, së paku festat dhe përvjetorët e tillë na shërbejnë për diçka. Për t’i bërë një lloj bilanci të gjithë asaj që kemi kaluar dhe asaj që kemi arritur deri më sot. Për të bërë një vlerësim të drejtë të asaj se ku “kemi arritur”, mund të marrim dhe t’i analizojmë të gjitha të dhënat e mundshme, përqindjen e varfërisë, nivelin e korrupsionit, kamatat e larta, raportin e progresit/regresit apo edhe çfarëdo studimi tjetër në lidhje me Kosovën. Mirëpo jo, nuk do ta bëjmë asnjërën prej këtyre. Thjesht do të shohim nivelin e jetesës dhe mirëqenies së një qytetari të zakonshëm të këtij vendi. Pra ta shohim sa realisht ka ndërruar cilësia e jetës së tij, ku dallon ajo nga jetesa e para tri, pesë apo dhjetë viteve.
…për t'u shkolluar. Te gjithë jemi dëshmitarë se në Kosovë njëra prej fushave në të cilën është eksperimentuar më së shumti është arsimi. Ajo çka ta vret syrin janë universitet private të cilat kanë mbirë në çdo qosh. Për një kohë të gjatë të gjitha këto te vetëquajtura universitete operuan pa ndonjë rregull të caktuar. Mësimi në to zhvillohej në disa shtëpi të mëdha dhe padyshim ishte më tepër kthim në mënyrën e studimit që ishte bërë gjatë okupimit sesa ndonjë ofertë e re për studentët. Gjatë kësaj periudhe ministrat e ndryshëm të arsimit “akreditonin” këto universitete apo vetëm disa nga fakultetet e tyre dhe për degët e tjera udhëzoheshin që të mos pranonin student të tjerë. Mirëpo ne kemi qenë dëshmitarë se këto vendime asnjëherë nuk janë marrë parasysh dhe sot e asaj dite nuk dihet se çka ka ndodhë me ato degë apo fakultete të “pa akredituara”, apo ndoshta që të gjithë janë futur në këtë mishmash vlerash? Por pse kemi ardhur deri këtu? Ka shumë pikëpyetje. Për shkak së etjes për dituri dhe pamundësisë që Universiteti i Prishtinës të i pranojë të gjithë studentët e interesuar? Për shkak se universitet u bënë ndër bizneset më profitabile? Apo për shkak se u bë trend që të gjithë të kenë një fakultet të kryer? Cilado nga këto na ka sjellë në gjendje që pas pesë apo më së largu 10 viteve të gjithë do të kemi në minimum nga një universitet të përfunduar. E një gjendje e tillë do të shkatërronte përtokë çdo sistem vlerash në Kosovë (nëse diçka e tillë ka ekzistuar ndonjëherë).
Më e prekura nga kjo sindromë patjetër që do të jetë administrata publike ku zakonisht të gjitha ata që nuk mund të gjinden në profesionin e tyre në botën reale dhe konkurrencën e vërtetë të dijes, përfundojnë duke punuar për shtetin. Mirëpo a ekziston një zgjidhje për të gjithë ata që ende besojnë në termin “universitet”, për të gjithë ata që edukimin e shohin si një mënyrë për tu ngritur profesionalisht dhe për të dhënë kontributin e vet dhe jo si mundësi përmes të cilit fitohet një vend pune? Patjetër që po. Për t’i ikur gjithë kësaj katrahure të arsimit në Kosovë ata po mundohen që studimet e tyre të i bëjnë duke dalë jashtë Kosovës, qoftë për studime universitare apo master. Disa përmes bursave të ndryshme e të tjerët duke investuar lekët e veta. Pra paramendojeni në çfarë gjendje kemi ardhur kur rinia e këtij vendi më nuk beson në vlerat që i ofrohen dhe shpëtimin e sheh vetëm duke dalë jashtë Kosovës? A është vërtetë kaq e mjerueshme dhe e pashpresë gjendja në arsimin tonë? Unë mendojë se po. E këtë më së miri e dëshmon edhe hapja çdo ditë e më shumë edhe e shkollave fillore e të mesme private të cilat pretendojnë të u japin nxënësve atë që nuk mund të ua japin shkollat publike. Disa prej tyre madje këtë munden ta transmetojnë hapurazi edhe përmes emrave të tyre, duke i quajtur këto shkolla si shkolla amerikane, britanike, gjermane, turke etj… pra duke tentuar që edhe atij që nuk ka mundësi për të dalë jashtë Kosovës të i jepet një mundësi për një edukim më cilësorë.
…për t'u shëruar. Sektori i dytë për nga renditja e dukurive negative në Kosovë padyshim është shëndetësia. Në dhjetë vitet e fundit kemi parë se si faji për gjendjen aktuale bartet prej një qeverie tek qeveria tjetër, prej një ministri tek ministri tjetër dhe prej një drejtori tek një drejtor tjetër, e kështu me radhë... Mirëpo kurrë nuk pamë një person që thotë se: “Po kjo ka qenë detyra ime dhe këtë nuk e kam bërë si duhet”. Pra në njëfarë mënyre që secili nga personat përgjegjës të pranojë pjesën e vet të fajit. Kjo jo për arsye tjetër, por vetëm për faktin që kur dihet faji dhe gabimi atëherë shumë më lehtë është që ai të korrigjohet, përmirësohet dhe më e rëndësishmja që të mos përsëritet. Sido që të jetë dhe pa marrë parasysh rrugën që kemi kaluar, ajo që është më e rëndësishmja është si është gjendja sot. E ajo për fat të keq është e mjerueshme. Kemi një spital të mjekësisë terciare (QKUK) për të cilën sa herë dëgjojmë në lajme medoemos ai duhet të jetë një lajm negativ. Herë mungojnë barnat e herë mungon mjeku e shpeshherë “nuk punojnë” aparaturat. E mos të flasim për respektim të orarit të punës e për sorollatjen që mjekët u bëjnë pacientëve nga një klinikë në tjetrën.
Edhe në shëndetësi kanë lulëzuar ordinancat private për të cilat asnjëherë nuk kemi parë e dëgjuar se monitorohen nga ndonjë organ i shtetit që bënë kontrollimin e cilësisë së shërbimeve të tyre. Nuk do të kishte asgjë të keqe në hapjen e ordinancave apo minispitaleve private sikurse të mos ishin pikërisht këto ordinanca ato që zbrazin kuletat e pacientëve shqiptarë. Dhe kjo ndodhë jo për arsye se vet pacientët zgjedhin të bëjnë kontrollet aty mirëpo në të shumtën e rasteve udhëzohen nga vet mjekët me arsyetimin se aparaturat e spitalit “nuk punojnë” apo edhe më keq se këtyre në spital nuk mund të u “besojmë”. Të gjendur në një mjegullnajë kaq të madhe dhe duke e ditur se bëhet fjalë për shëndetin e tyre atëherë qytetarët e gjorë edhe një herë marrin rrugën për jashtë Kosovës duke kërkuar shpëtimin e tyre në spitalet rajonale (kryesisht në Maqedoni).
Kosova është një shtet i ri dhe po tentojmë të zhvillohemi, prandaj edhe sikur ky eksport i pacientëve të bëhej për shkak të rasteve të rënda për të cilat në Kosovë vërtetë nuk ka teknologji apo nuk ka personel të profesionalizuar nuk do të ishte kaq problematike. Mirëpo shqetësues është fakti se një përqindje e madhe e këtij trafikimi të pacientëve bëhet për kontrolle të cilat me një menaxhim më të mirë apo sistem më mirë të organizuar do të mund të bëheshin edhe në Kosovë. Se sa e madhe është përqindja e pacientëve që dalin jashtë Kosovës këtë më së miri e ka pranuar edhe vet ministri i shëndetësisë i Maqedonisë i cili gjatë një vizite në Kosovë theksoi shifra milionëshe të të hyrave që spitalet e Maqedonisë marrin nga pacientët e Kosovës. Për ta kuptuar më mirë gjendjen në shëndetësinë e Kosovës kujtojuni një herë nëse keni parë apo dëgjuar që ndonjëri prej politikanëve apo fëmijëve të tyre të ketë bërë kontrollet mjekësore në spitalet tona? Me siguri që nuk do të gjeni asnjë rast të vetëm. A nuk është kjo e tmerrshme?
…për të jetuar. Secili komb ka historinë e vet. E cila mund të jetë e ngjashme apo e ndryshme nga historitë e kombeve të tjera. Por si historia e kombit tonë nuk e di nëse ka ndonjë tjetër. Sikur të marrim çfarëdo periudhe të historisë sonë shohim se armiqtë e ndryshëm gjithmonë janë munduar që të na largojnë nga këto treva. Por ne prapëseprapë edhe përkundër vështirësive e rreziqeve qëndruam këtu. Këtë fakt më së mire e shpjegon edhe lufta e fundit kur menjëherë pas mbarimi të luftës mbi një milion shqiptarë të dëbuar nga Kosova mësynë atdheun. Shpeshherë duke rrezikuar edhe jetën e tyre duke u kthyer nëpër fshatrat të cilët ende nuk ishin kontrolluar nga skuadrat dominuese. I dhamë botës një shembull që nuk ishte parë më parë nga situata të ngjashme. E aq më pak nga popujt e rajonit ballkanik. Por çfarë po ngjet tani? Euforia e pasluftës kaloi. Shpresë nuk po duket, ndryshimet nuk po shihen, e keqja po rritet. Kjo vërehet në fytyrën e gati secilit qytetar të këtij vendi. Të gjendur në një situatë ku papunësia çdo ditë e më tepër po rritet, ku listat e atyre që kërkojnë ndihmë sociale po shtohen, ku çmimet e gjërave më elementare kalojnë çdo kufi të arsyeshëm. Shembulli i fundit padyshim është rritja e çmimit të bukës, ku buka prej vetëm 400-500 gram kushton 45 cent. Pra një kilogram bukë kushton rreth 90 cent e kur dihet se një përqindje e madhe e popullit jeton me më pak se disa euro në ditë. Atëherë, jeta bëhet e papërballueshme. Këtë çdo ditë e më tepër po e vuajmë në lëkurën tonë. Kush më herët e kush më vonë.
Jemi po këta shqiptarët e njëjtë që me eufori menjëherë pas luftës u kthyem në Kosovë me shpresën për një jetë më të mirë. Jemi po këta shqiptarët e njëjtë që sot pas 11 viteve bëjmë është e mundur për të dalë jashtë Kosovës. Jemi po këta që japim mijëra euro (të marra borxh) për të blerë ndonjë vizë false, për të kaluar kufirin në këmbë apo edhe për të paguar vdekjen tonë, siç ishte rasti tragjik i fundosjes në lumin Tisa gjatë përpjekjeve për të ikur nga Kosova. Apo rasti tjetër kur vajza rreth të 20-ave u ngri nga të ftohtit duke tentuar që së bashku me fëmijën e sajë të kalojë kufirin në mes Bosnjës dhe Kroacisë.
E tani ju lutem paramendojeni sa ironike tingëllojnë deklaratat e qeveritarëve që bëjnë thirrje për investitorë të huaj. Apo kur dalin dhe na prezantojnë projekte të mëdha, apo kur na tregojnë se kanë marrë kredi nga Banka Botërore apo fondacione të tjera, të cilat ç’është e drejta edhe mund ta zbusin varfërinë pak nëse dihet si dhe ku të investohen. Mirëpo unë nuk e di se ku mund të merret një kredi për kthimin e shpresës në këtë vend.
Comments (0 posted)
Post your comment