Home | Politics | Presidenti Pacolli: Të unifikojmë ligjet dhe të heqim doganat

Presidenti Pacolli: Të unifikojmë ligjet dhe të heqim doganat

image
Të sigurojmë lëvizje të lirë të njerëzve, të mallrave, të ideve, të kapitaleve. Së pari mes nesh. 

 

 

 

 

 

 

Presidenti i ri i Kosovës, Behgjet Pacolli, gjatë vizitës së tij në Shqipëri është takuar me krerët e politikës shqiptare. Në takimin e veçantë të zhvilluar me homologun e tij shqiptar, presidentin Bamir Topi, presidenti i Kosovës ka kërkuar unifikimin e ligjeve, heqjen e doganave si dhe lëvizjen e lirë pa dokumente, pa pasaporta e pa letërnjoftime midis dy vendeve.

Ai theksoi se me realizimin e kësaj ideje, dy vendet do të integrohen në rajon, si parakusht që në të ardhmen të integrohen edhe në shtëpinë e madhe të bashkësisë evropiane. “Ne duhet të bisedojmë për tarifat doganore që ato të mos ekzistojnë, sidomos mes Shqipërisë dhe Kosovës, që mallrat, prodhimtaria jonë të jetë prodhimtari plotësuese. Ne do të ndërmarrim që tani që të heqim doganat, tarifat doganore, që të unifikojmë dokumentacionin përcjellës të këtyre mallrave, që të bëjmë liçenca të mallrave të unifikuara, po pse jo, edhe ligjvënësit tanë, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë t’ia fillojnë e të bëjnë ligje të njëjta, standarde të njëjta! Dhe kjo ne do të na çojë drejt asaj që Bashkimi Evropian pret nga ne. Dhe me këtë ne nuk do të lëndojmë askënd. Ne do të respektojmë të gjitha normat, sidomos për komunitetet e tjera, por do t’i afrohemi me këtë vërtet sa më afër Bashkësisë Evropiane, atyre shoqërive ku ne synojmë. Ishte pyetja që të mos mbetemi vetëm tek lëvizja e lirë e njerëzve dhe e mallrave, por të kemi edhe lëvizje të lirë të ideve, unifikimin e teksteve shkollore, unifikimin e dokumentacioneve përcjellëse etj, etj. Këto forume, insistoj që të ndodhin, për arsye se ne duhet t’ia fillojmë tani. Tani duhet ta fillojmë punën. Jemi me vonesë”, është shprehur gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, presidenti i Kosovës. Po ashtu, Pacolli vlerësoi ndihmën që Shqipëria po jep për Kosovën në këto momente, që sipas tij dihet nga çdo kosovar. “Ju falënderojmë shumë për atë që bëtë për Kosovën, që ta mbështesni Kosovën në mënyrë që ajo të njihet nga shumë miq ndërkombëtarë, që Kosova të afirmohet edhe më tutje si shtet i civilizuar!”, deklaroi ai.


Heqja e kufijve
Presidenti kosovar duke folur për bisedimet e zhvilluara me presidentin Topi theksoi se këto bisedime u përqendruan në intensifikimin e kontakteve në nivel të përfaqësuesve kryesorë të institucioneve të dy vendeve. Në këtë pikë Pacolli shprehu propozimin e tij që së paku dy herë të takohen në nivel presidentësh, në nivel kryeministrash dhe në nivel parlamentarësh. “Kemi hapur kufirin tonë me forcë. Atëherë ai kufi ka qenë i blinduar. Dhe tani nuk do të na e falë askush nëse ne nuk vazhdojmë që edhe këto barriera që kanë mbetur, të mos i heqim prej rendit të ditës. Të sigurojmë lëvizje të lirë të njerëzve, të mallrave, të ideve, të kapitaleve. Së pari mes nesh. Kjo është përgjegjësia jonë, zoti President dhe këtu do të hapim derën edhe për ato shtete që duan t’i bashkohen kësaj ideje. Dhe kjo vlen për Maqedoninë, ku kemi një numër të madh, një përqindje të madhe të banorëve të saj, të cilët i përkasin kombit tonë. Po ashtu vlen edhe për Malin e Zi. Unë jam i bindur që ato janë shumë të interesuara për t’iu bashkangjitur kësaj ideje”, u shpreh ai, për të shtuar se në këtë takim është folur edhe për rrugën.


Integrimi
Duke u ndalur tek integrimi në NATO, Pacolli theksoi se Kosova dëshiron të jetë aty ku është Shqipëria. “Ne dëshirojmë të jemi aty ku jeni ju! Ne dëshirojmë të rreshtohemi aty ku ju rreshtoheni, për arsye se tradita është në anën tuaj, eksperienca është në anën tuaj, dhe mbetet pothuajse një përgjegjësi e Republikës së Shqipërisë që t’ia shtrijë dorën Kosovës, aty ku Kosova ka nevojë. Këtë populli e Kosovës di ta çmojë. Ne e çmojmë këtë dhe ju falënderojmë shumë për çdo gjë që keni bërë për ne dhe rruga e përbashkët ka filluar të ndërtohet”, u shpreh Pacolli.

Pacolli: Zgjedhja e presidentit, nga populli
Presidenti Pacolli ka garantuar se gjatë mandatit të tij do të promovojë me të gjithë fuqinë institucionale, profesionale, personale që kam, që Kushtetuta, në atë pikë ku flitet për zgjedhjen e Presidentit, të ndërrohet dhe Presidenti i Kosovës të zgjidhet nga qytetarët. “Vetëm atëherë do të kemi një president legjitim të zgjedhur nga qytetarët e Kosovës dhe nuk do të mundet askush ta kontestojë. Unë personalisht kam qenë pak a shumë, jo shumë komod kur kam dëgjuar dhe zëra që kanë kontestuar zgjedhjen time personale, prandaj unë do të jem promovues i madh i ndërrimit të kësaj pike dhe besoj se unë prapë do të rikandidohem”, është shprehur ndër të tjera ai. Në këtë drejtim Pacolli shtoi se do të jetë kandidat potencial për President të ardhshëm të Kosovës dhe do të jetë krenari e popullit të Kosovës që me votën e tij ta zgjedhë atë si President që të mos jetë më objekt i kontratave të partive të koalicioneve të ndryshme.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0