Osmani: Shqiptarët kërkojnë ndryshime
Kreu i RDK-së, Rufi Osmani ka theksuar se populli shqiptar nuk pajtohet me mënyrën e udhëheqjes së politikës, andaj kërkojmë ndryshime.
"Identifikimi i gabimeve si dhe aftësia për t'i përmirësuar këto gabime nga ana e RDK-së, kanë bërë sot që Rilindja Demokratike Kombëtare për tri javë pas promovimit të saj si parti politike të ketë një ngritje të lartë të rejtingut të saj, ndërsa udhëheqësi i saj, të prijë bindshëm si lideri më i preferuar shqiptar me 73%. Këto parametra flasin qartë se populli nuk pajtohet me mënyrën se si të tjerët e udhëheqin politikën dhe se kërkojnë ndryshime", nënvizoi kryetari Osmani në takimin me banorët e Pirokut të Tetovës.
Ai gjithashtu theksoi se hyrja pa kushte ne qeveritë e deritanishme, na ka sjellë në gjendjen të cilën jemi sot, prandaj RDK-ja ofron që para zgjedhjeve, partitë politike shqiptare të masin peshën në elektorat dhe më pas të ulen dhe të bisedojnë për kushtet me të cilat do të hyhet në Qeveri.
Duke shpalosur përcaktimet programore të partisë, kryetari Osmani tha se rreth tij ka njerëz të ndershëm, me vlera morale dhe shkencore dhe se kjo është dëshmia më e fortë se ekipi i tij do të dallojë nga të tjerët dhe se RDK-ja premtimet do t'i realizojë me besa-besë.
Kreu i RDK-së shtoi se të gjitha subjektet shqiptare që deri më tani kanë qenë pjesë e qeverisë kanë marrë vendime te gabuara të cilat kanë determinuar fatin e shqiptarëve që ne sot te jemi në këtë gjendje të rëndë politike dhe ekonomike. (INA)
Comments (0 posted)
Post your comment