Wollfarth: 8 Maji ditë tepër e rëndësishme
Tani duhet të përqendrohemi te zgjedhjet. Është një ditë shumë e rëndësishme, sepse do të vendoset, në nivel vendor, në të gjitha qytetet e komunat se si administrohet...
-Ambasadori Wollfarth, është hera e parë që ambasadorët janë kaq aktivë në një fushatë zgjedhore. Pse pikërisht në këto zgjedhje?
Sepse këto zgjedhje kanë rëndësi. Ne tani jemi para zgjedhjeve vendore të 8 Majit dhe çështja qëndron te stabilizimi i kësaj demokracie ende të re. Demokracia në këtë vend ka një histori 20-vjeçare,me të përpjetat dhe të tatëpjetat e veta. Ne jemi të bashkuar për të ndihmuar shqiptarët që të gjejnë një rrugë edhe më të mirë për Shqipërinë në ndërtimin e demokracisë. Dhe kjo është edhe ajo që na bashkon. Pikësëpari, duke pasur prejardhje dhe formime të ndryshme, por duke qenë njëkohësisht të bashkuar, kemi një përfaqësues të një kombi të madh, model i një demokracie shumë të hershme, një përfaqësues të një organizate të madhe prej shumë kombesh, apo thënë ndryshe, një bashkim i shumë shteteve, Bashkimi Evropian, në të cilin Shqipëria aspiron të hyjë, dhe OSBE-në. Shqipëria ka ndërmarrë disa angazhime të qarta në lidhje me OSBE-në dhe Prezenca jonë në Shqipëri është këtu për t'i mbështetur shqiptarët për të gjetur rrugën më të mirë për t'i përmbushur këto angazhime sa më shpejt që të jetë e mundur.
- Por, Ambasador Wollfarth, pas deklaratave tuaja, jo vetëm deklaratat e bëra nga ambasadorët, por edhe nga Bashkimi Evropian, nga diplomatë të Departamentit të Shtetit, apo të tjerë, që të dyja palët në Shqipëri, si opozita ashtu edhe shumica mendojnë apo i interpretojnë ato si mbështetje secili për veten e vet. A mund të jeni më të qartë me mesazhet tuaja apo njerëzit i keqkuptojnë mesazhet tuaja këtu?
Nuk besoj se ka keqkuptime. Përkundrazi. Në qoftë se ata gjejnë mbështetje në atë që ne bëjmë, kjo është gjë e mirë, sepse demokracia ka nevojë për alternativa. Ka nevojë për oferta të mira, ka nevojë për programe të mira e ka nevojë edhe për argumente të mira. Dhe në fakt, ka shumë prej këtyre në këtë fushatë të zgjedhjeve vendore dhe kjo është shumë konstruktive. Kjo na jep shpresë neve dhe shpresojmë t'i japë shpresë edhe popullit shqiptar që të shpresojë për zhvillime më të mira, për një të ardhme më të mirë.
- Ambasadori Wollfarth, kjo është fushata e parë që ju ndiqni në Shqipëri. Duke e krahasuar me fushatat e tjera që ju keni ndjekur në Kosovë dhe në vende të tjera, çfarë mendoni për fushatën këtu?
Pikësëpari, admiroj guximin e kandidatëve. Kur ata dalin me programe dhe i prezantojnë ato që nga viti 2009 në një mjedis mjaft dinamik, përgjithësisht e bëjnë këtë në një mënyrë shumë të mirë dhe të civilizuar dhe unë besoj se kjo vërtet duhet përgëzuar. Është shumë gjë e mirë. Shqipëria është një vend sovran që vitin e ardhshëm feston 100-vjetorin e pavarësisë, është bërë mjaft progres dhe kjo është e dukshme. Unë nuk shoh se mungon ndonjë element. Ndoshta mungon pak durimi...
-Ambasador Wollfarth, ç’mendim keni për dy liderët? E di që është gjithmonë e vështirë të flasësh për liderë, por...
Në mënyrë absolute, të dy, si kryeministri Berisha, ashtu edhe kryetari i Bashkisë Rama janë liderët e partive të tyre. Janë karizmatikë dhe në disa raste kemi pasur diskutime dhe shkëmbim idesh interesante, kryesisht drejt së ardhmes. Të dy kanë shqetësimin që t’u shërbejnë qytetarëve dhe të dy, e theksoj të dy, janë të vendosur për të luftuar korrupsionin, si dhe për të rritur më tej shkallën e ndershmërisë. Siç e thashë edhe në një veprimtari kundër korrupsionit dje paradite, asnjë shtet nuk është plotësisht i çliruar nga korrupsioni. Është një punë në vijimësi, që ka nevojë për të gjitha palët, në të gjitha nivelet. Të dy e kanë në vëmendje këtë çështje dhe kjo është shumë e rëndësishme. Ata ofrojnë alternativa, qoftë njëra ngjyrë apo tjetra. Kjo është shumë e rëndësishme. Duke u dhënë këtë ofertë qytetarëve, i shërben shoqërisë. Unë do të doja të shihja më shumë bashkëpunim. Hapi i parë i takon padyshim kryeministrit Berisha për shkak se është kryetar i qeverisë dhe duhet të bëjë më shumë përpara drejt opozitës dhe të bëjë ofertën për një dialog të mirëfilltë për çështjet e rëndësishme, në mënyrë që vendi të ecë përpara. Njëkohësisht, nga opozita do të prisja më shumë hapa konstruktivë. Unë shoh drejt së ardhmes dhe nuk dua më të shoh veprime të tilla si bojkotet dhe grevat. Këto u përsëritën në vendet fqinje dhe nuk po çojnë askund. E rëndësishme është që liderët ta udhëheqin Shqipërinë drejt së ardhmes dhe, këtu, unë pres më shumë disiplinë. Më pak blu, më pak të kuqe, më shumë Shqipëri. Në këtë pikë, shoh qartësisht mungesa. Kjo është natyrisht skema e madhe kombëtare. Tani po u drejtohemi zgjedhjeve vendore. 8 Maji është një ditë me më shumë rrezik për kandidatin Ramë, sesa për kryeministrin Berisha.
- Pse?
Sepse nuk është dita e zgjedhjeve për kryeministrin. Kështu që, duhet të rifokusohemi. Megjithëse janë të dy kryetarë të partive kryesore, ata kanë detyra të ndryshme dhe është sigurisht detyrë e lartë të administrosh Tiranën. Zoti Rama është rizgjedhur disa herë. Pra në të shkuarën, duket se ka pasur një nivel të lartë besimi te puna e tij. Tani e kanë në dorë votuesit. E njëjta gjë vlen edhe për kryeministrin Berisha dhe qeverinë e kryesuar prej tij kur një ditë të zhvillohen zgjedhjet parlamentare dhe njerëzit të tregojnë nëse kanë besim te ta. Tani duhet të përqendrohemi te zgjedhjet. Është një ditë shumë e rëndësishme, sepse do të vendoset, në nivel vendor, në të gjitha qytetet e komunat se si administrohet jeta e përditshme nga kryetarët e bashkive dhe komunave dhe këshillat bashkiakë. Prandaj, ka shumë për të rrezikuar dhe, nëse mund të shtoj edhe një dëshirë, kjo pjesë shërbimesh duhet ndarë nga gara mes partive.
Comments (0 posted)
Post your comment