Marrëveshja e Ohrit me afat të skaduar!
Edhe pse kaluan kaq shumë vjet nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje, asnjë pikë nuk u implementua deri me tash.
Faik Krasniqi
Më 13 Gusht 2011 mbushen plotë 10 vjet prej se u arrit të nënshkruhet marrëveshja e Ohrit, për t’i dhënë fund konfliktit të armatosur në mes shqiptarëve dhe maqedonaseve (bullgarëve). Nënshkrues të asaj marrëveshje atëbotë ishin, ish- presidenti maqedonas (bullgar) Boris Trajkovski (tashmë i ndjerë), ish- kryeministri Lupço Georgievski, ish presidenti tjetër Branko Cërvenkovski, atëherë ishte lider i LSDM-së, lideri i PPD-së Imer Imeri (tashmë i ndjerë) dhe ish lideri i PDSH-së, Arbër Xhaferi. Në atë dokument të marrëveshjes, nënshkrime si dëshmitar zyrtar vunë edhe lehtësuesit ndërkombëtar në dialog - Fransoa Leotar dhe Xhejms Pardju.
Edhe pse kaluan kaq shumë vjet nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje, asnjë pikë nuk u implementua deri me tash. Madje, parlamenti maqedonas, jo që nuk implementoi asnjë pikë nga kjo marrëveshje, por nxori ligje të njëanshme dhe mjaft diskriminuese kundër shqiptarëve, si ligjin stimulim për natalitet vetëm për maqedonasit (bullgarët) duke anashkaluar shqiptarët. Ky ligj u nxor pasi maqedonasit (bullgarët) kanë ulje drastike të natalitetit nga frika e natalitetit të shtuar të shqiptarëve, ngase shqiptarët në një të ardhme të afërt do të behën popullatë shumicë në Maqedoni, si dhe shumë ligje të tjera diskriminuese kundër popullatës shqiptare.
Padyshim fajtorët kryesore që po i mbyllin sytë para këtyre diskriminimeve që po u behën shqiptarëve, janë partitë shqiptare në Arbëri (Maqedoni). Përçarjet e mëdha, interesat personale dhe partiake të partive shqiptare i kanë dëmtuar në masë të madhe popullatën shqiptare dhe këto më se miri po i shfrytëzon kryeministri dinak maqedonas (grek) Nikola Gruevski. Përçajë e sundo, duke luajtur si macja me miun, jo vetëm me partitë shqiptare, por edhe me shqiptarët në Arbëri (Maqedoni). Nikola Gruevski për të dëshmuar fuqinë që ka në politikën maqedonase (bullgare) në vitin 2008 prishi qeverinë dhe koalicionin që kishte me PDSH-në e Menduh Thaçit, në mënyrë që mos të implementohet marrëveshja e Ohrit.
Edhe pas mbajtjes së zgjedhjeve partitë shqiptare edhe njëherë dëshmuan se interesat partiake dhe kolltukët e nxehta janë më primare se interesat e shqiptarëve në Arbëri (Maqedoni), madje duke i bërë lutje Gruevskit që t’i marrë në koalicionin qeverisës, kurse ky i fundit si partner të koalicionit zgjodhi BDI-në e Ali Ahmetit. Për t’ju dhënë fund këtyre diskriminimeve nga pushteti maqedonas (bullgar) që po u bënë shqiptarëve, popullata shqiptare duhet njëherë e përgjithmonë të zgjohet nga “gjumi” dhe të reagojnë në forma të ndryshme, institucionale apo edhe në forma radikale. Partitë shqiptare atje duhet t’i lënë mënjan interesat partiake dhe personale, duke bërë trysni tek qeveria maqedonase (bullgare).
Por, padyshim edhe Shqipëria shteti amë i të gjithë shqiptarëve, si anëtare e NATO-së me të drejte veto, duhet të mendojë seriozisht që të vendosë veto kundër Maqedonisë në NATO. Në vitin 2009 një deklaratë të tillë e bëri edhe Menduh Thaçi, që do t’i kërkojë kryeministrit Sali Berisha ta bëjë një gjë të tillë, në mënyrë që t’i mbrojë interesat e shqiptarëve në Arbëri (Maqedoni), ketë gjë e ka edhe obligim shteti shqiptarë, ashtu siç e kam cekur edhe në artikullin tim “Ndarja e Maqedonisë mund të jetë e pashmangshme”. Kështu maqedonasit (bullgarët) do të viheshin para një akti të kryer dhe ekzistimi i këtij shteti artificial do të vihej në pikëpyetje. Zgjidhja më e mirë për shqiptarët në Maqedoni, por edhe për Ballkanin në përgjithësi do të ishte ndarja e Maqedonisë, ku shqiptarët do të merrnin pjesën e tyre që u takon dhe kështu do të evitohej një konflikt i mundshëm mes shqiptarëve dhe maqedonasve (bullgarëve), siç ndodhi në vitin 2001.
(Autori është publicist dhe redaktor në NacionalAlbania)
Comments (0 posted)
Post your comment